Lista Serbe kundërshton Qeverinë, nuk pranojnë ndryshime në asociacion

Aktuale May 11, 2018 - 21:46

Jevtiq tha sot se serbët në Kosovë e duan Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe në mënyrën në të cilën është nënshkruar në Bruksel dhe jo ndryshe.

“Çdo gjë që tenton të bëhet ndryshe ne nuk do ta pranojmë. Është iniciativë nga shqiptarët që AKS tani t’i ofrohet diçka që do të jetë zëvendësim për karrige në OKB, unë mendoj se kjo do të jetë e vështirë të ndodhë”, ka thënë Jevtiq në televizionin serb, Pink.

Ai theksoi se serbët nuk duan AKS-në, që do të jetë diçka që aktualisht është në ligjet e Kosovës, transmeton lajmi.net.

“U thashë shqiptarëve në Prishtinë. I pyeta ata, “A mendoni se dikush ka shkuar në Bruksel të negocioi me ju për të marrë atë që tashmë është në ligje? Ne nuk kemi negociuar diçka që kemi, por kemi kërkuar diçka tjetër”, tha Jevtiq.

Në Prishtinë, ka pak vullnet për të bërë kompromis, theksoi ai. Ajo që është definitivisht e sigurt, theksoi ai, është se ka pak vullnet për të bërë kompromis në Prishtinë.

“Kur ne flasim për kompromis edhe unë si President i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili disa herë e ka thënë shumë qartë, mendoj se do të jetë proces i vështirë dhe i dhimbshëm”, shtoi ai.

Ndryshe sot anëtarët e Ekipit Menaxhues për themelimin e Bashkësisë së komunave serbe u takuan sot në Mitrovicë me zëvendësshefin e Misionit të OSBE, Kilian Wahl.

 Në një komunikatë të dërguar për media thuhet se të dy palët shprehën kënaqësinë për aktivizimin e Ekipit menaxhues dhe nisjen e procesit të hartimit të Statutit të Bashkësisë së komunave serbe, në përputhje me marrëveshjet nga Brukseli, me mbështetjen e administratës në Prishtinë.

“Përfaqësuesi i OSBE-ja u njoh me aktivitetet e ndërmarra nga ana e Ekipit menaxhues, dhe takimi gjithashtu ishte edhe mundësi për një bisedë fillestare ne lidhje me strukturën dhe elementet përmbajtjesore të dokumentit, dhe formatin e formën e ndihmës teknike të OSBE-së në këtë proces. ”

“Anëtarët e Ekipit menaxhues theksuan se vlerat e përfshira në Kartën Evropiane për Vetëqeverisjes Lokale do të jenë edhe pjesa integrale e draft statutit të Bashkësisë së komunave serbe”, thuhet në njoftimin dërguar nga Ekipi menaxhues për themelimin e  Asociacionit të komunave serbe.