Të larguarit e Vetëvendosjes marrin PSD-në, Ahmeti kryetar

Aktuale May 10, 2018 - 08:46
Lexoni më shumë detaje

Të larguarit nga Lëvizja Vetëvendosje të mërkurën kanë marrë drejtimin e Partisë Socialdemokrate (PSD). Në kuvendin e jashtëzakonshëm të kësaj partie kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti është zgjedhur kryetar i PSD-së, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Grupi i Deputetëve të Pavarur dhe ish-anëtarë tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje disa muaj pasi u larguan nga partia e Albin Kurtit janë anëtarësuar në Partinë Socialdemokrate duke marrë kështu drejtimin e PSD-së.

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti është zgjedhur dje zyrtarisht kryetar i PSD-së, kurse ish-kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri është zgjedhur nënkryetar në partinë e vjetër, por të re për të.

LEXO EDHE: Ish-ministri Blerand Stavileci po hetohet nga Prokuroria

Ndërkohë ish-nënkryetarja e partisë së Albin Kurtit, Aida Dërguti, është zgjedhur sekretare e përgjithshme e PSD-së.

Me këtë rast strukturat e reja udhëheqëse të kësaj partie u zotuan se do ta sjellin ndryshimin në vend, shkruan më tutje "Zëri".

PSD-ja ka marrë vendim për t’u larguar edhe nga koalicioni që kjo parti kishte bërë me PAN-in para zgjedhjeve të fundit parlamentare, në atë kohë PSD-ja udhëhiqej nga Bajram Kelmendi.

Në ceremoninë inauguruese të strukturave të kësaj partie u pa një numër i vogël i anëtarëve të partive tjera, duke përfshirë këtu nënkryetarin e Komunës së Prishtinës Selim Pacollin nga AKR-ja, Bilall Sherifin nga Nisma, Ilir Dedën nga Alternativa, nënkryetarin e AAK-së Ahmet Isufin e të tjerë.

Ahmeti: Do të luftojmë për normalizim në vend

Kryetari i zgjedhur i Partisë Socialdemokrate (PSD), Shpend Ahmeti, u është drejtuar për herë të parë strukturave të kësaj partie duke thënë se partia e tij do të luftojë për normalitet dhe për barazi në vend.

“Partia Socialdemokrate është një ndër partitë më të vjetra në vend, edhe pse thuhet që është parti e re. Ajo u krijua në vitin 1990 dhe është ndër subjektet më të vjetra të vendit.  Nuk është përzgjedhur rastësisht 9 Maji - Dita e Evropës, që çuditërisht në Kosovë është pushim”, ka thënë ai.

Duke folur për anëtarësimin e Kosovës në Evropë, Ahmeti ka thënë se Evropa është ajo që duhet të instalohet në Kosovë dhe jo ne të shkojmë në Evropë ashtu siç thuhet.

“Evropa duhet të instalohet në Kosovë. Ne nuk duam të shkojmë të jetojmë të gjithë në Evropë, por standardet e Bashkimit Evropian të vijnë në Kosovë. Ne duam që të luftojmë për normalitet, për barazi, jo si individë, por si shoqëri, sepse edhe nga e kaluara nuk i kemi bërë askujt keq që të trajtohemi si të pabarabartë”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti me këtë rast ka thënë edhe se së bashku me partinë e tij do të luftojnë që të sjellin normalitet në vend.

"Ne duam të luftojmë për normalitet, për barazi, të konsiderohemi të barabartë me të tjerët jo si individë, por si grup. Ne duhet të luftojmë për socialdemokracinë brenda shtetit tonë", ka thënë Ahmeti.

Mes tjerash kryetari i ri i PSD-së ka thënë se duhet të punohet për të rinjtë e vendit, me qëllim që ata të mos largohen. “Të rinjtë po thonë që duan të ikin jashtë, por në sytë e tyre e sheh që nuk duan të shkojnë. Tregojnë se si njerëzit kërkojnë të shkojnë jashtë të shërohen. Gjenerata e re nuk është se nuk ka ideal e kreativitet, mirëpo na nevojitet një konkretizim i këtyre idealeve”, ka thënë Ahmeti.

Ymeri: Në Kosovë nis një etapë e re

Ndërsa nënkryetari i PSD-së Visar Ymeri në kuvendin e partisë ka thënë që Kosova prej të mërkurës do të futet në një etapë të re.

"Që nga sot do të nisë një etapë e re, e cila do ta fuqizojë e do ta avancojë këtë bindje politike që është e domosdoshme për Kosovën. Është detyrë jona t’i përmbushim dy pjesët e emrit tonë si socialdemokratë në të mirë të vendit", ka thënë Ymeri.

Sipas tij, PSD-ja do t’i shërbejë popullit të Kosovës në të gjitha fushat dhe do të jenë të vetmit që do të mundohen ta ndryshojnë situatën në vend.

Ymeri po ashtu ka thënë se partia e tij do të angazhohet në demokracinë e brendshme dhe në barazinë për të gjithë.

“PSD-ja përkushtohet për shoqëri demokratike. Nuk mundtë ketë republikë pa qytetarët. PSD-ja angazhohet për të nëpërkëmburit. PSD-ja angazhohet po ashtu për Republikë të qytetarëve”, ka thënë Ymeri.

Duke e uruar kryetarin e ri të partisë Shpend Ahmetin, Ymeri ka thënë edhe se ata si PSD janë të interesuar që ta ndryshojnë gjendjen në vend.

PSD-ja del nga koalicioni parazgjedhor me PAN-in

Pasi kuvendi i jashtëzakonshëm i Partisë Socialdemokrate zgjodhi me shumicë votash kryetarin e saj Shpend Ahmetin, nënkryetarin Visar Ymerin dhe sekretaren e përgjithshme Aida Dërgutin, ata bënë publike edhe daljen e tyre nga koalicioni PAN.

“Në këtë mbledhje u zgjodh edhe Këshilli Drejtues i partisë, si dhe mori vendim që PSD-ja të tërhiqet nga koalicioni i lidhur me PAN-in para zgjedhjeve të fundit parlamentare”, u tha një në njoftim të kësaj partie.

Ndërsa në anën tjetër, pjesëmarrës në Konventën e PSD-së ishte edhe Bajram Kelmendi, kryetar i deritanishëm i Partisë Socialdemokrate, i cili ka thënë se do të angazhohen që së bashku të punojnë për të mirën e qytetarëve të Kosovës.

“Partia Socialdemokrate ka qenë parti e programit e jo e liderëve dhe për këto tri dekada që jemi angazhuar në skenën politike kemi konsideruar që vetëm të bashkuar mund t’i arrijmë qëllimet. Nuk mund të lavdërohem për përvojat tona në vendimmarrje për këtë kohë. Ne kemi mirëpritur dhe kemi qenë të gatshëm të vazhdojmë së bashku sepse në këtë mënyrë fuqizohet partia jonë”, ka thënë ai.