Bytyqi: Do t’i eliminojmë të gjitha dobësitë brenda MASHT-it (VIDEO)

Aktuale May 02, 2018 - 14:33
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Gjatë ditës së sotme është bërë prezantimi i Raportit të Rishikimit Funksional të MASHT-it dhe BE-së, me ç’rast ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka konsideruar se pas përmbushjes së pikave të dala nga ky raport do të ketë një ministri krejt ndryshe, raporton zeri.info.

Bytyqi gjatë fjalës së tij, ka thënë se me anë të këtij raporti janë bërë të ditura dobësitë që janë brenda MASHT-it, për të cilat ai është zotuar se do të punohet intensivisht që ato të eliminohen në të ardhmen.

“Që në fillim të marrjes së detyrës, në takimin e parë që kemi pasur me Apostolovën, kemi rënë dakord që ta bëjmë një rishikim funksional për MASHT, duke parë që ministria e Arsimit luan një rol shumë të rëndësishëm. Ne vetë kishim parë disa dobësi brenda ministrisë së Arsimit. Në kuadër të raportit na prezantohen detajet dhe rëndësitë teknike të këtij raporti. Ka dalë me 15 të gjetura, të gjitha e kanë një peshë specifike të veten. Po ashtu në raport janë dhënë edhe rekomandime se si t’u qasemi këtyre të gjeturave që t’i eliminojmë të gjitha dobësitë”, ka deklaruar ai, raporton "Zeri.info".

Sipas Bytyqit, kjo përbën një hap tejet të rëndësishëm për ministrinë e Arsimit.

“Konsideroj se ky është një hap shumë pozitiv dhe pas marrjes së hapave të parë, ne do ta shohim një funksionim ndryshe të MASHT-it. Pas përfundimit të këtyre objektivave shoh një ministri krejt ndryshe. Kjo reformë në administratë duhet të vazhdojë edhe në ministritë e tjera”, ka shtuar ai. /Zeri/