Përfundon testi PISA, Ministria e Arsimit pret rezultate pozitive

Aktuale April 29, 2018 - 16:36
Testi PISA është mbajtur tashmë në të gjitha komunat e Kosovës.

Testi që vite më parë e renditi Kosovën te shtetet më të dobëta, këtë vit është zhvilluar në mënyrë digjitale.

Por përkundër kësaj nxënësit nuk kanë pasur problem në lidhje me realizimin e testit.

Valmir Gashi këshilltar i ministrit të Arsimit, ka thënë për lajmi.net se në fillim të testit, në disa shkolla ka pasur probleme të vogla.

Por që sipas tij, ato janë sanuar menjëherë.

LEXO EDHE: Lajm i mirë për të gjithë përfituesit e sigurimeve sociale në Zvicër

“Testi ka përfunduar në të gjitha komunat e vendit, pjesëmarrja ka qenë afro 95%. Nuk ka pasur probleme, veç në fillim te disa shkolla që kanë pasur probleme me kompjuterë. Por që janë sanuar menjëherë”, ka thënë këshilltari i Shyqiri Bytyqit.

Gashi tutje ka thënë se pritet ngritje e lartë e Kosovës në renditjen totale.

“Duke pasur parasysh angazhimin e të gjithëve, pritet që Kosova të jetë në mesin e shteteve me ngritje të lartë. Pra ndërmjet cikleve 2015-2018”, ka thënë Gashi për lajmi.net

Ai ka bërë të ditur se vetëm në 10 shkolla ka pasur nevojë për një sesion pasues të testit PISA.

Mbarëvajtjen e këtij testi kohë më parë e kishte përshëndetur edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.