Lajm i mirë për të gjithë përfituesit e sigurimeve sociale në Zvicër

Aktuale April 29, 2018 - 14:57
Lexoni më shumë detaje

Në fillim të muajit qershor do të nënshkruhet marrëveshja në mes të Kosovës dhe Zvicrës lidhur me sigurimet sociale, ka konfirmuar për Ekonomia Online, Skender Reçica, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skënder Reçica.

Marrëveshja për pensionet me Zvicrën tashmë e 8 vite mbetet problem i pazgjidhur për shumë qytetarë që kanë të drejtën e marrjes së pensioneve nga ky shtet, por kreu i MPMS-së shprehet i bindur se marrëveshja do të arrihet, ndonëse nuk ka një datë të saktë të nënshkrimit të saj.

“Tani më kemi marrë një konfirmim zyrtar në parim për një datë në fillim të qershorit për nënshkrimin e kësaj marrëveshje dhe jemi duke zhvilluar përgatitjet për konfirmimin e saktë të datës dhe momentit të nënshkrimit”, ka theksuar ai.

“Është çështje e stërzgjatur bukur shumë, por nga dita e parë e deri në këtë moment jemi angazhuar maksimalisht dhe unë në kontinuitet kam qenë në kontakt me autoritetet zvicerane dhe nuk është çështje që nuk është varur nga ne, as nga ndikimi as nga presioni jonë, por ka qenë çështje e agjendës së personit përgjegjës i cili është i thirrur për të nënshkruar këtë marrëveshje”, ka shtuar Reçica.

Reçica tha se mos nënshkrimi i marrëveshjes me Zvicrën për pensione nuk është neglizhencë e palës kosovare apo zvicerane por për shkak të agjendës së personit përgjegjës që nënshkruan këtë marrëveshje.

“Marrëveshja me Zvicrën për sigurimet sociale është marrëveshje që është negociuar kohë më parë dhe janë kryer të gjitha procedurat dhe ka mbet vetëm nënshkrimi dhe fatkeqësisht që një kohë jemi duke e pritur momentin e nënshkrimit, jo për ndonjë arsye të neglizhimit qoftë nga pala jonë, qoftë nga ne si zyrtarë të Kosovës, qoftë edhe nga pala zvicerane. Ideja është në harmonizimin e agjendës me homologun tim që është edhe president i Federatës në Zvicër”, ka thënë Reçica.

Qeveria Zvicerane, më 1 prill të vitit 2010, kishte ndërprerë marrëveshjen e ish Jugosllavisë në raport me Kosovën, në fushën e sigurimeve shoqërore.

Pas këtij vendimi, shumë shtetas kosovarë që kanë punuar me vite në Zvicër, por që janë kthyer për të kaluar pleqërinë në Kosovë, nuk mund ta shfrytëzojnë pensionin.