Alarmante, dyfishohen rastet e të prekurve me kancer

Aktuale April 26, 2018 - 08:17
Lexoni më shumë detaje

Në vitin 2014 numri i personave të prekur me kancer, të cilët ishin regjistruar në Institutin e Onkologjisë ishte 760. Në vitin 2015 kjo shifër ishte rritur në 808, në vitin 2016 të prekur me kancer ishin 1.236 persona, ndërsa në vitin 2017 kishte 1.550 raste të reja të personave të prekur me kancer, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Për pak vite janë dyfishuar rastet e pacientëve të prekur nga kanceri. Ky është alarmi që jepet nga drejtues të Klinikës së Onkologjisë në Prishtinë.

Këta drejtues kanë bërë të ditur për gazetën Zëri se që nga viti 2014 deri në fund të vitit të kaluar, përkatësisht për katër vjet, në Kosovë ka pasur rritje të këtyre rasteve për 50 për qind.

Në vitin 2014 numri i personave të prekur me kancer, të cilët ishin regjistruar në Institutin e Onkologjisë ishte 760.

LEXO EDHE: Qeverinë 'e rrëzuar' s’munden ta rrëzojnë

Në vitin 2015 kjo shifër ishte rritur në 808, në vitin 2016 të prekur me kancer ishin 1.236 persona, ndërsa në vitin 2017 kishte 1.550 raste të reja të personave të prekur me kancer.

Megjithatë, këto shifra mund të jenë edhe më të mëdha, pasi shumë pacientë kërkojnë shërim jashtë vendit, duke e anashkaluar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ekrem Hyseni, ka thënë për Zërin se të prekurit nga kanceri janë kryesisht të moshës më të vjetër, ndonëse ka edhe të rinj.

Skender Baca, pulmolog, nga Klinika e Mushkërive në QKUK, thotë se ka rritje enorme të rasteve të pacientëve të prekur nga kanceri. Për t’i trajtuar rastet e tilla.

Ministria e Shëndetësisë ka ndarë një buxhet prej rreth 6 milionë eurosh.

Shkaktarët e kancerit

“Në përgjithësi kanceri prek moshat e mëdha e shumë më rrallë moshat e reja dhe po i njëjti trend është edhe në Kosovë. Në mosha të reja kemi raste sporadike, kurse me rritjen e moshës rritet edhe numri i të prekurve”, ka thënë Hyseni. Ai ka treguar se cilët janë shkaktarët e kancerit. “Në përgjithësi janë disa shkaktarë që shkaktojnë kancer, por shkaqet që njihen janë: gjenetika, faktorët ambiental dhe stili i jetës (duhani, obeziteti, alkooli). Vlen të theksohet se këta shkaktarë kanë lidhje direkte me disa lloje të kancereve, p.sh. duhani dhe kanceri i mushkërive, etj. Megjithatë, shumica nuk kanë një shkaktar të njohur”, ka theksuar ai.

Ndërsa pulmologu Baca  thotë, pacientët që janë të prekur me këtë sëmundje i takojnë më së shumti moshës mbi 45-vjeçare.

“Si gjithkund në botë, edhe në Kosovë është rritja enorme e kancerit të mushkërive për shkak se janë mbledhur pacientët të cilët kanë pirë duhan qe 30-40 vjet dhe tani vijnë me probleme të shumta të traktit respirator dhe në mes të tyre edhe me kancer të mushkërive. Mosha më e prekur me kancer të mushkërive tani për tani është mosha 45-vjeçare deri në 62-vjeçare. Para 30 vjetëve ka qenë krejtësisht ndryshe, mbi moshën 65-vjeçare ishin pacientët me këtë sëmundje”, ka thënë ai.

Sipas tij, shkaktar i sëmundjes është edhe ndotja e ajrit.

Ministria ka ndarë 6 milionë euro për barna kundër kancerit

Zyrtarë për informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë për “Zërin” se rreth 6 milionë euro të buxhetit janë ndarë për ilaçe kundër kancerit.

“Buxheti për barna dhe për materialin shpenzues i MSH-së është 22 milionë euro. Prej kësaj shume, rreth gjashtë milionë euro shpenzohen për ilaçe kundër kancerit, që jepen në Onkologji falas për pacientët në kimioterapi”, kanë thënë ata.

Sipas tyre, rastet e personave të sëmurë me kancer trajtohen në Kosovë dhe nuk rekomandohen për trajtim jashtë vendit.

“Numri i rasteve që nga kjo Klinikë rekomandohen për trajtim jashtë është simbolik, për të mos thënë gati zero, sepse aty ofrohet kimioterapia, radioterapia, kujdesi paliativ ditor dhe hormono-terapia. Jashtë vendit rekomandohen rastet e leukemive, jo të gjitha, por vetëm ato raste që janë në faza të cilat nuk mund të trajtohen në QKUK (20-30 raste të fëmijëve dhe të të rriturve në vit)”, kanë thënë ata më tej.

Zyrtarët për informim në këtë Ministri kanë treguar se ka raste të sëmundjeve malinje, të cilat rekomandohen për jashtë vendit për kryerjen e ndonjë analize e cila nuk mund të kryhet në vend.

“Onkologjia është funksionale. Disa klinika që bëjnë trajtimin kirurgjik të tumoreve, si Kirurgjia Torakale shembull, nuk referojnë fare raste për trajtim jashtë vendit. Megjithatë, ka raste të ndonjë forme të sëmundjeve malinje që rekomandohen për trajtim jashtë ose kryerje të ndonjë analize që ende nuk mund të kryhet në Kosovë, por jo si përpara”, kanë theksuar ata.

Sipas statistikave të dërguara nga zyrtarë të kësaj Ministrie, rreth 1956 persona vitin e kaluar kishin kërkuar ndihmë në Ministrinë e Shëndetësisë për shërim jashtë vendit për sëmundje të ndryshme.

Ndërsa, vetëm për dy muajt e parë të këtij viti 300 persona kanë kërkuar trajtim mjekësor jashtë vendit.

Rugova: Citostatikët janë blerë shumëfish më shtrenjtë

Citostatikët, të cilët shërbejnë për kryerjen e kimioterapive për të sëmurët me kancer, konsiderohen se janë blerë shumë më shtrenjtë sesa çmimi real i tyre.

Anëtari i Komisionit për Shëndetësi, Naser Rugova, në diskutimin e mbajtur në lidhje me Draftin për Rregullimin e Çmimeve të Barnave tha se citostatikët të cilët kushtojnë 350 euro janë shitur me çmimin 1300 euro.

"Kemi pasur probleme me mungesën e citostatikëve, të cilët e ndalin shkallën e mortalitetit në Kosovë. Kemi raste kur një citostatik kushton 350 euro, por është shitur 1300 euro", ka thënë ai.

Ndërsa anëtari i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Shemsi Veseli, ka thënë për “Zërin” se ka rënie të numrit të pacientëve që shkojnë për shërim jashtë vendit.

“Shërbimet e Institutit të Onkologjisë janë 24 orë. Nuk është numri më i madh i pacientëve që shkojnë për shërim jashtë vendit. Ka ende kërkesa për të dalë, sidomos e kemi fjalën për leukemi”, ka thënë ai.