Qeverinë 'e rrëzuar' s’munden ta rrëzojnë

Aktuale April 26, 2018 - 07:52
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Partitë opozitare ende nuk i kanë siguruar votat e nevojshme për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”, ndonëse kjo e fundit i ka vetëm 53 vota në Kuvend. Drejtues të partive opozitare disa herë kanë deklaruar se kjo Qeveri i ka ditët e numëruara, por vlerësohet se as vetë ato parti nuk janë të gatshme për zgjedhje të parakohshme, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ndonëse tash e disa muaj opozita po vazhdon ta kërkojë rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”, në mungesë të numrave ende nuk po arrin ta realizojë një gjë të tillë.

Si rrjedhojë e kësaj, koalicioni qeverisës me vetëm 53 mandate po vazhdon të funksionojë në Parlamentin e Kosovës, shkruan më tutje "Zëri".

Njëjtë pritet të vazhdojë edhe përgjatë tërë këtij viti, po qe se PDK-ja nuk rreshtohet kah krahu opozitar për t’i dhënë fund kësaj Qeverie.

Kështu të paktën konsiderojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët thonë se opozita nuk është serioze në kërkesën e saj për rrëzim të Qeverisë dhe për zgjedhje të parakohshme.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e LDK-së kanë thënë përZërin se po qe se nuk arrihet një dakordim mes partive për zgjedhje, atëherë ky subjekt do t’i nisë procedurat për mbledhjen e nënshkrimeve për ta ngritur mocionin për rrëzimin e ekzekutivit.

Se Qeveria aktuale nuk do të jetë jetëgjatë kanë pohuar edhe përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët janë shprehur të bindur se vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Megjithatë, pavarësisht këtyre, partneri më i madh i koalicionit qeverisës, PDK-ja, ka deklaruar dje se nuk është koha e përshtatshme që vendi të përballet me një proces të ri zgjedhor.

Avdyli: Duam që të ketë dakordim për zgjedhje

Deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli ka deklaruar se vendi domosdo do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, porse fillimisht duhet të shikohen pozicionet e partive politike rreth kësaj, në mënyrë që më pas të fillohet me mbledhjen e nënshkrimeve për mocion.

“Në bazë të pozicionit të partive ne do të fillojmë mbledhjen e nënshkrimeve për mocion. Diku 70 vota janë që nuk janë pjesë e Qeverisë. Nuk është njëherë në rend dite sepse jemi duke shikuar se si do të shkojnë bisedimet”, është shprehur ai.

Avdyli më tej ka thënë se LDK-ja është e interesuar që partitë politike të merren vesh dhe ta caktojnë një datë të përbashkët për ta çuar vendin në zgjedhje.

“Ne jemi të interesuar për një datë të dakorduar, të përshtatshme për të gjitha partitë. Mund të jetë vjeshta, mund të jetë më herët ose më vonë, por gjithmonë duam që ta kemi një dakordim”, ka theksuar ai.

Kollçaku: Rrethanat çojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme

E sigurt se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme është shprehur edhe nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje Fatmire Kollçaku, e cila ka vlerësuar se qeveria “Haradinaj” do të bjerë shumë shpejt.

“Është e qartë që kjo Qeveri nuk do ta ketë gjatë dhe nuk do të arrijë ta përfundojë mandatin, pikërisht pasi tashmë është qeveri e pakicës. Krejt rrethanat po shkojnë në drejtim të zgjedhjeve të parakohshme”, ka deklaruar ajo.

Kjo pasi, sipas saj, asnjë projektligj nuk mund të dalë në Kuvend për votim, po qe se mungojnë partitë opozitare.

“Ajo që është e qartë është se, faktikisht nuk ka mundësi që asnjë çështje ta fusim në Kuvend të Kosovës pa pjesëmarrjen e opozitës dhe kjo tregon sa e brishtë është kjo Qeveri”, është shprehur Kollçaku në një prononcim për “Zërin”.

Krasniqi: Ky mandat duhet të shkojë deri në fund

Pavarësisht tyre, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka konsideruar se nuk është aspak e nevojshme që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme ashtu siç po kërkon opozita.

“Nuk është rendi i zgjedhjeve. Mendojmë që ky mandat duhet të shkojë deri në fund, mendojmë që Kosovës i duhet stabilitet. Nuk kemi nevojë e as hapësirë për zgjedhje të parakohshme. S’i ka 7 muaj që ka qenë procesi zgjedhor. Ky është qëndrimi i PDK-së”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, sipas Krasniqit, po qe se partitë janë që vendi të shkojë në zgjedhje, atëherë PDK-ja është e gatshme kurdo që të ballafaqohet me një proces të ri zgjedhor.

“Nëse partitë arrijnë ta bëjnë shumicën që ta çojnë vendin në zgjedhje, ne jemi të gatshëm sepse asnjë parti serioze nuk mund të thotë se nuk është e gatshme për zgjedhje”, deklaroi Krasniqi pas takimit me partitë politike.

Sherifi: Dy mënyrat që vendi të shkojë në zgjedhje

Ndërkaq, duke folur rreth mundësisë së zgjedhjeve të parakohshme, shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, tha se ekzistojnë vetëm dy mënyra për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve.

“Nisma mendon se janë dy mënyra për ta dërguar vendin në zgjedhje: me marrëveshje mes partive politike, me anë të të cilave shpërndahet Kuvendi. Aty janë të nevojshme 80 mandate, nuk munden 61. Rruga tjetër është e mocionit, aty mjaftojnë vetëm 61 deputetë”, u shpreh Sherifi.

Ndërkohë tha se kushdo që beson se është shumë i fuqishëm dhe se pa të nuk shkon vendi në zgjedhje, e ka gabim.

Kjo pasi, sipas tij, një ose dy deputetë mjaftojnë në të tilla raste.

Baraliu: Opozita, joserioze sa u përket zgjedhjeve

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike Mazllum Baraliu ka vlerësuar se opozita nuk është serioze në kërkesën e saj për zgjedhje të parakohshme.

“Ndonëse kjo Qeveri është e pakicës së pakicës, edhe opozita nuk është se ka ndonjë pozicion më të qëndrueshëm dhe unifikues. Opozita po të ishte rrugës së duhur do të duhej të koordinohej. Nuk e di sa janë të vendosur për zgjedhje, sa janë të bindur. Megjithatë, nuk jam shumë i sigurt që ata e kanë shumë seriozisht për të shkuar në zgjedhje dhe për ta rrëzuar Qeverinë. Një opozitë serioze do të duhej të ishte unike në rrethanat si këto”, ka potencuar Baraliu.

Sipas tij, vendi aktualisht ndodhet në një pozicion ku as pozita e as opozita nuk i kanë numrat.

Tahiri: Gjasat që tash të ketë zgjedhje pothuajse nuk ekzistojnë

Ndërkaq politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se mundësitë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme ashtu si po deklarohet opozita, janë më se të vogla.

“Gjasat që vendi të shkojë në zgjedhje tash janë minimale ose nuk ekzistojnë fare nëse për to nuk përcaktohet edhe PDK-ja. Numra të mjaftueshëm për ta rrëzuar Qeverinë nuk ka. Dëshira e LDK-së si parti opozitare është e kuptueshme, por mundësia është e vogël dhe ka pak deputetë që nuk mund të rrëzohet Qeveria”, ka theksuar ai.

Gjatë analizës së tij, Tahiri ka thënë se një fakt të tillë që vendi të shkojë në zgjedhje nuk e dëshiron as faktori ndërkombëtar tash për tash.

E po qe se me anë të tryezave nuk ka ndonjë dakrodim mes partive politike, ai ka konsideruar se zgjedhje nuk do të ketë deri në pranverën e vitit të ardhshëm.