Opozita, kundër platformës së Veselit

Aktuale April 24, 2018 - 09:53
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Subjektet opozitare shprehen të rezervuara ndaj platformës së kryetarit të Kuvendit Kadri Veselit për unitet politik për temat e mëdha, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli u ka dërguar letër liderëve të partive politike, nëpërmjet së cilës u bën thirrje për krijimin e një ekipi të përbashkët të liderëve politikë.

Veseli vlerëson se duhet unitet politik në disa tema si: dialogu me Serbinë, themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, formimi i ushtrisë së Kosovës, agjenda e Integrimeve Evropiane dhe reforma zgjedhore.

Megjithatë partitë opozitare kritikojnë platformën e Veselit për arritjen e konsensusit politik për “temat e mëdha”, shkruan më tutje "Zëri".

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e ka mirëpritur platformën konsensuale të propozuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

LEXO EDHE: Partitë politike me mijëra euro borxh shtetit

Ai pas mbledhjes së Qeverisë ka deklaruar se platforma konsensuale është e nevojshme.

“E mirëpresim mundësinë të koordinohemi më shumë i gjithë spektri politik për temat e interesit nacional. Është diçka më se e nevojshme”, ka thënë ai.

Platformën e kanë mirëpritur edhe anëtarët e tjerë të AAK-së.

Deputetja nga radhët e AAK-së Time Kadrijaj ka thënë se konsensusi është i mirëseardhur.

“Duhet të jetë një konsensus dhe të gjithë liderët, kryeministri edhe kryeparlamentari do të përpiqen që ta formojnë një grup të unifikimit. Bisedimet janë në fazën finale, është Asociacioni, formimi i ushtrisë, është përmbyllja e dialogut dhe konsensusi në mes të partive parlamentare është i mirëseardhur”, ka thënë ajo...

Opozita kritikon platformën

Deputetja nga radhët e LDK-së Besa Gaxheri ka treguar për “Zërin” se anëtarët e kësaj partie ende nuk kanë një qëndrim rreth kësaj çështjeje.

“Sot e kam një e-mail që do të takohemi si grup parlamentar e të nxjerrim qëndrim dhe pastaj do të prononcohemi në bazë të qëndrimit zyrtar të partisë. Këto ditë do ta nxjerrim një qëndrim”, ka theksuar ajo.

Ndërsa edhe deputeti i Vetëvendosjes Ismail Kurteshi ka thënë se do të mblidhen për të vendosur për çështjen e formimit të një ekipi të përbashkët.

“Do të mblidhemi në Kuvend për të diskutuar për platformën dhe pastaj vendoset për çështjen për ekip të përbashkët. Konsensusi duhet të arrihet në Kuvend dhe në mes të partive politike”, ka thënë ai për “Zërin”.

Kurse deputetja nga radhët e Grupit të Deputetëve të Pavarur, Shqipe Pantina, ka thënë për “Zërin” se asnjë rezultat deri më tani nuk e ka nxjerrë dialogun dhe Asociacionin si prioritet parësor të Kosovës.

“Platforma lë shumë për të dëshiruar. Së pari një pjesë e ‘temave të mëdha’ janë megjithatë tema sporadike për interesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Asnjë sondazh e asnjë rezultat zgjedhor nuk e kanë nxjerrë kurrë dialogun me Serbinë e as Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe si prioritete parësore të Republikës së Kosovës. Megjithatë, këto janë kryesoret në ‘Platformën’ e Veselit”, ka thënë ajo.

Sipas saj, në platformë nuk flitet për diskutimin kritik për rezultatet e dialogut, por për vazhdim të tij.

 “... Flitet për bashkërendim të vazhdimit të dialogut aty ku ka mbetur, po ashtu Veseli ‘Platformën’ e merr si të mirëqenë në drejtimin e dialogut nga presidenti Thaçi dhe kërkon një grup strategjik në mbështetje të tij”, ka thënë ajo.

Beogradi me kundërplatformë, tri pikat kryesore në dëm të Kosovës

Beogradi zyrtar ka reaguar për platformën e Kosovës, në të cilën përfshihet edhe dialogu me Serbinë. Ata ditën e djeshme kanë publikuar edhe dy projektstrategji kundër Kosovës.

Në tri pikat e këtyre projekteve shkruan se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ajo do të vazhdojë ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat e Kombeve të Bashkuara, si dhe do ta kundërshtojë transformimin  e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.

“Serbia nuk do ta njohë Pavarësinë e Kosovës. Për interes të stabilitetit rajonal dhe për marrëdhënie sa më të mira serbo-shqiptare do ta vazhdojë dialogun me institucionet në Prishtinë me ndërmjetësim të BE-së. Serbia do të angazhohet që ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata e KB-së, sidomos në OKB. Serbia përpiqet për moszvogëlim të pranisë së KFOR-it dhe kundërshton transformimin e FSK-së në FAK, sepse parashikon se kështu do të destabilizohej situata në Kosovë dhe do të shkatërrohej siguria në rajon”, është thënë në një pjesë të projektit të publikuar në gazetën serbe “Blic”.

Tahiri: PDK-ja e LDK-ja duan të blejnë kohë për zgjedhje

Analisti Ramush Tahiri ka thënë se iniciativa e marrë nga Veseli është e mirë, pasi që, sipas tij, vendi ka nevojë për një konsensus për çështjet madhore në vend.

“LDK-ja, Kadri Veseli dhe kushdo tjetër që merr këtë iniciativë është e mirë, sepse Kosova ka nevojë për një konsensus kombëtar për çështjet që konsiderohen madhore. E para është çështja e integrimeve evropiane të Kosovës. Tani kemi çështjet e tjera që kanë të bëjnë me reformën e përgjithshme të Kosovës, shëndetësore, arsimore, reformën e sistemit zgjedhor që e ka përmendur Veseli, por ai i ka përmendur vetëm çështjet praktike, siç është ushtria, Asociacioni e çështje të tjera të cilat janë pak më të vogla për të cilat ka zgjidhje ligjore”, ka thënë ai, duke shtuar se çështja për Asociacionin nuk ka nevojë të ketë konsensus pasi që, sipas tij, është çështje ligjore, është mendim i Gjykatës Kushtetuese dhe duhet të zbatohet.

Sipas Tahirit, as PDK-ja dhe as LDK-ja nuk janë të gatshme ta dërgojnë vendin në zgjedhje.

“Unë mendoj që PDK-ja dhe LDK-ja tash duan të blejnë kohë, nuk janë të gatshme ta dërgojnë vendin në zgjedhje dhe duan para pushimeve të verës ta shtjerrin kohën për këto debate dhe që në vjeshtë të shohin a po shkon vendi në zgjedhje apo jo”, ka thënë ai./ZËRI