Partitë politike me mijëra euro borxh shtetit

Aktuale April 24, 2018 - 09:30
Kaq është borxhi i partive politike ndaj shtetit

Pavarësisht se kanë kaluar disa muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve lokale, partitë politike vazhdojnë të mos i kryejnë obligimet e veta ndaj shtetit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

130 mijë e 100 euro është shuma e mbetur e gjobave që partitë duhet t’ia paguajnë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për shkeljet e tyre gjatë fushatës zgjedhore.

PZAP-i u pat shqiptuar partive politike mbi 257 mijë euro dënim, prej të cilave deri më tani janë paguar gjithsej 127 mijë e 250 euro, kurse kanë mbetur pa u paguar edhe 130 mijë e 100 euro.

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca Kosova e Re dhe Nisma janë disa nga partitë të cilat kanë kryer detyrën e tyre duke paguar në tërësi borxhin ndaj PZAP-it, përderisa Partia Demokratike e Kosovës ka paguar vetëm gjysmën e borxhit, por që i mbeten edhe 16 mijë e 700 euro të tjera për t’i paguar, shkruan më tutje "Zëri".

Në anën tjetër Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila është njëherësh edhe partia që ka shumën më të lartë të gjobave gjatë zgjedhjeve, nuk ka paguar ende as një pjesë të borxhit.

LEXO EDHE: Hetohen 44 policë, 4 prej tyre për 'Korrupsion'

Nga 78 mijë e 550 euro gjobë LDK-ja nuk ka bërë ende pagesën e saj.

As partia e kryeministrit Ramush Haradinajt nuk ka kryer pagesën e gjobave. AAK-ja ka mbi 17 mijë euro të papaguara.

Mulë Desku, kryesues i Sekretariatit të PZAP-it, ka bërë të ditur për Zërin se për dy rundet e zgjedhjeve janë shqiptuar gjithsej gjoba në vlerë prej 257 mijë e 350 eurosh.

Prej tyre deri më tani janë paguar gjithsej 127 mijë e 250 euro, kurse kanë mbetur pa u paguar edhe 130 mijë e 100 euro.

“Afati për pagesën e këtyre gjobave ka kaluar. PZAP-i subjektet politike që nuk i kanë paguar gjobat i ka paralajmëruar me shkresa zyrtare, ku disa prej tyre pas paralajmërimit i kanë paguar gjobat, ndërsa disa ende jo. Jemi në pritje që edhe subjektet tjera të cilat nuk i kanë paguar gjobat ato t’i paguajnë brenda muajit prill 2018”, ka thënë Desku.

Desku po ashtu ka bërë të ditur që asnjë parti politike nuk mund të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të vendit pa i paguar këto gjoba.

“Subjektet politike që nuk i paguajnë gjobat në bazë të dënimeve që ka shqiptuar PZAP-i nuk do të mundë të certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme, të cilat mbahen në Kosovë qofshin ato të nivelit qendror ose ato të nivelit lokal”, ka theksuar ai.

Drejtoresha për Regjistrimin e Partive Politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve  Miradije Mavriqi, ka thënë se nëse partitë politike nuk i paguajnë borxhet që kanë ndaj PZAP-it, atëherë atyre këto para do t’u ndalen nga fondi i Qeverisë, e cila ndan 4 milionë euro për të gjitha partitë që kanë fituar ulëse në Parlament.

“Ajo parti që merr fonde nga buxheti i ndarë për to nëse ka ndonjë borxh i merren ato mjete të fondit, pra nëse KQZ-ja e ka gjobitur një parti politike ajo ua merr mjetet e fondit dhe i kalon në buxhet të Kosovës”, ka thënë Mavriqi.

Në anën tjetër Adnan Rrustemi, ish-anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, për “Zërin” ka konfirmuar që Vetëvendosja i ka paguar të gjitha obligimet e saj dhe për këtë arsye edhe KQZ-ja i ka lëshuar mjetet financiare për zgjedhjet e KQZ-së.

“Vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka shlyer borxhet nga zgjedhjet e fundit, ndërsa partitë tjera parlamentare ende kanë mijëra euro pa paguar nga gjobat e shqiptuara nga PZAP-i”, ka thënë Rrustemi.

Rrustemi po ashtu ka bërë të ditur që partisë së tij i janë lëshuar mjetet financiare nga Fondi i Demokratizimit, pasi ka bërë shlyerjen e borxhit ndaj PZAP-it.