Hetohen 44 policë, 4 prej tyre për 'Korrupsion'

Kronika April 24, 2018 - 09:03
Lexoni më shumë detaje

44 zyrtarë policorë po hetohen për përfshirje në vepra të ndryshme penale dhe 12 kallëzime penale kundër disa policëve janë dërguar në prokuroritë kompetente nga Inspektorati Policor i Kosovës. Ndërsa në vitin e kaluar rreth 80 zyrtarë policorë janë larguar nga Policia e Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ndonëse janë të thirrur për ta mbrojtur ligjin, është i madh numri i zyrtarëve policorë të cilët vetë janë të përfshirë në vepra penale.

Rreth 330 ankesa kundër zyrtarëve policorë janë adresuar në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, shkruan më tutje "Zëri".

LEXO EDHE: Nisin hetimet ndaj policëve që arrestuan Gjuriqin

Kurse nën hetim të Inspektoratit Policor të Kosovës janë 44 policë të përfshirë në vepra të ndryshme penale.

Zyrtarë të këtij institucioni pohojnë se gjatë tre muajve të parë të këtij viti 12 kallëzime penale ndaj zyrtarëve policorë janë dërguar në Prokurori.

Zëdhënësi i IPK-së Arbër Beka i ka thënë gazetës Zërise IPK-ja gjatë tremujorit të parë të vitit 2018 ka pranuar dhe ka menaxhuar 326 ankesa dhe informata.

LEXO EDHE: Falimentimi i ndërmarrjes më fitimprurëse

“Prej tyre njëqindedyzet (140) ankesa janë dërguar në Departamentin e Hetimeve - IPK për hetim penal, kurse 183 ankesa që janë klasifikuar si shkelje disiplinore janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Kosovës, një (1) ankesë është dërguar në një institucion tjetër dhe dy ankesa (2) janë mbyllur në IPK”, thotë Beka.

Sipas tij, përveç hetimit të 44 zyrtarëve policorë IPK-ja tashmë ka dërguar 12 kallëzime penale në prokuroritë kompetente.

“Nga këto raste në bazë të të dhënave zyrtare të IPK-së janë duke u hetuar 44 zyrtarë policorë, katër (4) prej tyre dyshohen për vepra penale me elemente korruptive, ndërsa dyzet (40) po hetohen për vepra të tjera. Sa u përket kallëzimeve penale, ndaj dymbëdhjetë (12) zyrtarëve policorë është ngritur kallëzim penal dhe të njëjtat janë përcjellë në prokuroritë kompetente”, është shprehur Beka.ë

Ai thotë se misioni i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) është që përmes ushtrimit të veprimtarisë së tij ta sigurojë një shërbim policor të përgjegjshëm, demokratik dhe transparent në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me standardet e kërkuara.

Ndërsa të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se 79 zyrtarë policorë janë larguar nga puna vitin e kaluar.

Bajram Krasniqi, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë për “Zërin” se numri total i pjesëtarëve të Policisë i përfshirë edhe në stafin civil është 8721.

“Numri total i policëve të cilëve u është ndërprerë marrëdhënia e punës nga PK-ja për arsye të ndryshme, duke përfshirë masat disiplinore, ndërprerjet vullnetare, shkaqet shëndetësore, si dhe një numër prej tyre për raste penale, gjatë vitit 2017 është 79 zyrtarë”, thotë Krasniqi.

Ai thotë se numri total i policëve që kanë dalë në pension gjatë vitit 2017 është 15 zyrtarë.

Por, njohësit e çështjeve të drejtësisë thonë se ulja e numrit të rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar brenda Policisë së Kosovës do të bëhej nëse do të bëhej ngritja e pagave për policët.

Pa përgatitje adekuate profesionale

Avni Islami, njohës i çështjeve të sigurisë, thotë se nuk arsyetohen veprimet korruptive të policëve, mirëpo vlerëson se rritja e pagës ndaj zyrtarëve policorë do ta zvogëlonte nivelin e veprave korruptive.

“Niveli i korrupsionit dhe i krimit të organizuar duhet të jenë nën zero, mirëpo unë mendoj që njëri ndër faktorët kryesorë që mund të korruptohet Policia janë pagat e ulëta të tyre. Institucionet përgjegjëse të shtetit duhet të mendojnë për sigurimin shëndetësor të policit, për shkallën e rrezikshmërisë së tyre që të bjerë numri i policëve të korruptuar”, shprehet Islami.

Ai thotë se sipas disa statistikave, çdo i treti polic është me kredi pasi nuk mund t’i mbulojë shpenzimet e veta dhe të familjes.

“Duhet të bëhet rritja e pagave, të rregullohet çështja e shërbimit shëndetësor në mënyrë që të zvogëlohet korrupsioni, sepse është e pamundur të ketë zero korrupsion, edhe në vende të zhvilluara ka korrupsion, por jo në këtë shkallë, thotë ai.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, ka thënë se element esencial është që një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve të Policisë nuk kanë përgatitje adekuate profesionale, gjë që bën që ata të përfshihen në vepra kriminale.

“Duhet që në rend të parë të bëhet depolitizimi i Policisë se Kosovës nga grupet e interesit. Edhe IPK-ja të jetë më efikase dhe e paanshme në luftimin e dukurive kriminale brenda PK-së dhe të shquhet njësia e standardeve profesionale. Njëherësh të ngrihet edhe niveli i benefiteve, siç është siguria shëndetësore dhe niveli i pagës luan rol që të këtë ulje të zyrtarëve që mund potencialisht të bien pre e grupeve të interesit”, shprehet Shala.

QKSS: Besimi i qytetarëve në Polici mund të bjerë si shkak i korrupsionit

Në anën tjetër Plator Avdiu, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë se rastet e fundit të cilat kanë ndodhur në Policinë e Kosovës, veçanërisht gjatë viteve 2016 dhe 2017, do të mundë të ndikojnë qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi në prishjen e imazhit të këtij institucioni përballë qytetarëve të vendit.

Megjithatë sipas tij, institucioni më i besueshëm në vend vazhdon të jetë Policia.

“Sipas të dhënave të Barometrit Kosovar të Sigurisë, hulumtim që është realizuar në tetor të vitit 2017 nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, rreth 62 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se i besojnë punës së Policisë. Nëse krahasohet me vitin 2016, atëherë kuptohet që gjatë vitit 2017 është rritur besimi i qytetarëve në Polici për 6 për qind më shumë”, bën të ditur Avdiu.

Por ai thotë se kjo nuk nënkupton që Policia e Kosovës tashmë të ndihet komode dhe krenare duke mos ndërmarrë hapa në drejtim të parandalimit dhe luftimit të korrupsionit, si dhe veprave të tjera penale brenda radhëve të saj.

“Përkundrazi, përqindja e qytetarëve që besojnë në Polici mund të bjerë në rast se trendi i veprave penale të zyrtarëve policorë do të vazhdojë sikurse viteve të fundit.

Ky është numër tejet i lartë i zyrtarëve policorë të dyshuar për përfshirje në vepra penale”, shprehet ai.

Avdiu thotë se duhet të forcohen edhe mekanizmat e kontrollit të brendshëm të Policisë së Kosovës, ku përmes një sistemi të paralajmërimit të hershëm do të arrihej të luftohej korrupsioni policor, përkatësisht të parandalohet një dukuri e tillë.

Ndryshe, aksioni më i madh për arrestimin e zyrtarëve policorë të dyshuar për marrje ryshfeti ishte bërë në fund të vitit 2016, ku IPK-ja kishte arrestuar 59 policë.

Ndërkohë, numri i zyrtarëve policorë të cilët po përballen me procese gjyqësore për përfshirje në raste korruptive është mjaft i madh.