Koha për partneritet të Ballkanit me BE-në në vend të kushtëzimit

Aktuale April 23, 2018 - 09:20
Intervistë me drejtoreshën e Fondit Evropian për Ballkanin, Hedvig Morvai

“Ne tani insistojmë që BE-ja dhe Ballkani Perëndimor të zhvillojnë partneritet dhe që ky partneritet të funksionojë paralelisht në të dy drejtimet. Që ta kemi jo vetëm Ballkanin, i cili nxiton për diçka që është e paarritshme dhe që është e palimituar në kohë, por që ky të jetë një bashkëpunim serioz me qëllim të krijimit të një projekti të ri evropian, sepse edhe Evropa duhet të ndryshojë dhe Ballkani duhet të inkuadrohet në këto procese ndryshimi”, thotë në intervistën për “Zërin” drejtoresha e Fondit Evropian për Ballkanin, Hedvig Morvai.

Fondi Evropian për Ballkanin është një nga organizatat më të njohura rajonale që angazhohet për inkuadrimin e Ballkanit Perëndimor në BE-në.

Përveç avokimit për ngritjen e çështjes së integrimit të Ballkanit Perëndimor lart në agjendën e BE-së, kjo organizatë ka implementuar një sërë projektesh në të gjitha vendet e rajonit që janë në funksion të përshpejtimit të procesit të integrimit.

LEXO EDHE: Në maj pritet rifillimi i punimeve për zgjerimin e rrugës në 'Veternik'

Në mesin e tyre dallohen seria e forumeve Ballkanike të shoqërisë civile, ngritja e kapaciteteve menaxhuese të liderëve të ardhshëm të Ballkanit, avancimi i njohurive për integrime evropiane dhe bashkëpunimin rajonal.

Me rastin e dhjetëvjetorit nga themelimi i kësaj organizate, Fondi Evropian për Ballkanin ka inauguruar një deklaratë të veçantë për partneritetin evropian me Ballkanin.

Në intervistën përZërin drejtoresha e Fondit, Hedvig Morvai, fillimisht shpjegon arsyet për nxjerrjen e një deklarate të tillë.

“Ka ekzistuar edhe më herët nevoja për përcaktimin më konkret dhe më shpresëdhënës të BE-së për Ballkanin. Ky vit ka krijuar shpresë për ekzistimin e mundësisë për vendosjen e themeleve të qëndrueshme për bashkëpunim mes Evropës dhe Ballkanit. Me qëllim po e theksoj fjalën ‘bashkëpunim’, sepse deri më tash ekzistonte raporti, i cili mund të quhet raport i kushtëzimit, raport ku shpesh Ballkani Perëndimor mendonte që synonte diçka të paarritshme. Ishte kjo periudhë kur Bashkimi Evropian e ka humbur atë magjinë që e kishte për rajonin më herët. Ishte kjo periudha kur BE-ja është larguar nga Ballkani dhe kur i është kthyer vetes duke e ballafaquar me një seri krizash dhe problemesh të brendshme. Pra, marrëdhëniet mes BE-së dhe Ballkanit ishin tepër të ngrira. Por, për shkak të rrethanave të reja në terren, sidomos për shkak të kthimit të gjeopolitikës në Ballkan, ka ardhur sërish deri te rritja e interesimit të BE-së për Ballkanin. Është rikthyer kujdesi për Ballkanin. Dhe nga kjo arsye ne mendojmë se duhet shfrytëzuar këtë momentum i cili përbëhet nga sinjalet për ekzistimin e vullnetit për kthimin e Ballkanit në agjendën evropiane. Por, ajo që ne insistojmë është që të mos i kthehemi mënyrave të vjetra të veprimit sipas modelit ‘bussines as usual’ (biznesi si zakonisht), pra të mos rikthehet ajo metoda e vjetër e trajtimit të Ballkanit me të cilën nuk është arritur shumë, siç shpresohej shumë pas premtimeve të mëdha që janë dhënë më 2013-n në Selanik. Kanë kaluar 15 vjet nga ky samit të BE-së dhe vetëm Kroacia është pranuar në ndërkohë në BE. Ne tani insistojmë që BE-ja dhe Ballkani Perëndimor të zhvillojnë partneritet dhe që ky partneritet të funksionojë paralelisht në të dy drejtimet. Që ta kemi jo vetëm Ballkanin, i cili nxiton për diçka që është e paarritshme dhe që është e palimituar në kohë, por që kjo të jetë një bashkëpunim serioz me qëllim të krijimit të një projekti të ri evropian, sepse edhe Evropa duhet të ndryshojë dhe Ballkani duhet të inkuadrohet në këto procese ndryshimi. Evropa duhet që t’i japë shansin rajonit që të paraqitet si partner në procesin e dizajnimit të projektit të ri evropian, sepse duam të jemi anëtarë të një klubi të tillë sa më parë të jetë e mundur dhe jo të lejojmë që të kalojë sërish një kohë e gjatë me një proces të konsumues dhe pa fund.

Nga vjen interesimi më i ri evropian për Ballkanin? A është ai i induktuar nga instalimi i Rusisë dhe i Turqisë në rajon? Apo ka frikë nga radikalizmi i brendshëm i vetë rajonit sikur për shembull ai me sfond religjioz?

Morvai: Mendoj se frika nga këto tendenca e luan rolin më të rëndësishëm, pra frika nga paraqitja e faktorit të tretë dhe të aktorëve që përbëjnë jo vetëm kërcënim për rajonin dhe BE-në, por edhe më gjerë. Por, dua të besoj se ka ardhur edhe deri te ngritja e ndërgjegjes se strategjia e deritanishme evropiane dhe procesi që është zhvilluar në bazë të saj nuk prodhojnë rezultate të pritura. Mendoj se përgjigjja e saktë është që ekziston një përzierje e faktorëve që e kanë bërë BE-në ta rivlerësojë situatën. Kanë kaluar 15 vjet dhe ka mjaft arsye për vlerësimin e performancës evropiane në rajon, si dhe në matjen e rezultateve. Një nga faktorët që kanë nxitur vlerësimin e performancës lidhet edhe me krizën e madhe të refugjatëve, e cila e ka kthyer Ballkanin në hartën politike dhe e cila ka krijuar situata të çuditshme kur imigrantët hynin në territorin e një vendi anëtar të BE-së, tani dilnin nga ai dhe e kalonin tërë Ballkanin për të hyrë sërish në territorin e BE-së.

Atëherë u dëshmua në praktikë se sa i madh është problemi i ekzistimit në Evropë të një vrime të zezë, e cila nuk e ka sistemin ligjor të sinkronizuar me Bashkimin Evropian. Ndoshta atëherë është kuptuar se ky rajon duhet të përfshihet në Evropë për të mundësuar zgjidhjen e krizave. Kështu ka filluar të ngrihet ideja për kompletimin e projektit evropian dhe ndërgjegjja se vetëm në këtë mënyrë Evropa mund të jetë një dhe e tëra dhe vërtet funksionale. Mendoj se me strategjinë e re të Komisionit Evropian dhe me mesazhe te reja e pozitive të BE-së, si dhe me takime të ardhshme në Sofje dhe në Londër në kuadër të Procesit të Berlinit, pjesa e parë e vitit 2018 ka kaluar dhe do të kalojë në shenjë të qasjes pozitive dhe të sinjaleve pozitive të BE-së që e sigurojnë motivimin e ri për integrime evropiane në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Mendoj se këto vende duhet ta shfrytëzojnë këtë avantazh për përçimin e mesazheve të tyre dhe për insistimin që ky momentum të shfrytëzohet për ide kyçe për zhvillimin e proceseve integruese në ata lëmenj që do të mundë ta shtyjnë rajonin përpara. Rajoni duhet të fillojë të merret me atë që është prioritare e urgjente dhe që do t’i bindë qytetarët në të gjitha shtetet e tij se diçka ka filluar të ndryshojë për së mbari. Në këtë mënyrë ata do të fillojnë edhe t’u kontribuojnë ndryshimeve. Nuk mjafton që në këto vende pushtetin ta fitojnë partitë që i premtojnë integrime evropiane sepse në të shumtën e rasteve bëhet fjalë për premtime pa esencë. Kredibiliteti i integrimeve evropiane sigurohet vetëm përmes ndryshimeve pozitive në jetën e qytetarëve. Esenca e integrimeve evropiane konsiston në ndryshimin pozitiv të shoqërive në Ballkan, në stabilizimin e tyre dhe në mbështetjen e tyre në sisteme demokratike për të mundësuar jetën e dinjitetshme të qytetarëve të tyre, të njëjtën sikur ajo jetë që e shohim kur e kalojmë kufirin e Bashkimit Evropian.

A nënkupton partneriteti i ri mes BE-së dhe rajonit tejkalimin e formatit të deritanishëm në bazë të të cilit BE-ja e kishte rolin e profesorit që i cakton detyrat e shtëpisë, ndërsa vendet e rajonit e kishin rolin e nxënësve që duhet t’i bëjnë këto detyra nëse synojnë integrimin në familjen evropiane? A do të thotë ai më pak burokraci në qasjen e re evropiane ndaj Ballkanit Perëndimor?

Morvai: Dyshoj se do të mundë të ketë më pak burokraci. Por, e gjithë struktura e raporteve do të mund të ndryshojë në mënyrë që ajo t’i ngjasojë partneritetit dhe jo kushtëzimit. Duhet pasur parasysh se edhe situata në disa vende anëtare të BE-së nuk dallon shumë nga ajo në vendet Ballkanike kur flitet për demokraci, për lirinë e medieve, për të drejtat e njeriut dhe, besa, për zhvillimin demokratik. Nuk ka vend për vazhdimin e kushtëzimit të vendeve të rajonit nëse, njëherësh, atyre nuk u sigurohet perspektiva evropiane, e cila do të jetë ndryshe nga ajo e deritanishme. Duhet siguruar që vendet e rajonit të negociojnë në mënyrë të barabartë në disa segmente me BE-në, sikur sektori i sigurisë, programet financiare që duhet hapur për rajonin përpara se ai të integrohet, barazimi i zhvillimit ekonomik të rajonit me shkallën e vendeve më të pazhvilluara të BE-së. Pra, duhen gjetur mekanizmat që këtë rajon do ta sjellin në situatë për të arritur shkallën e cila do t’i mundësonte atij të bëhet pjesë e klubit evropian. Ndërsa, kjo shkallë mund të arrihet tani vetëm nëse e vendosim marrëdhënien e partneritetit dhe jo vetëm të kushtëzimit, i cili nuk motivon dhe i cili, thjesht, nuk e gëzon kredibilitetin.

Elitat politike në vendet e Ballkanit Perëndimor, me të cilat BE-ja negocionon, janë në të shumtën e rasteve të korruptuara. Ato në Bruksel e luajnë rolin e demokratëve që i japin rëndësi primare reformave të kërkuara nga BE-ja, ndërsa në shtëpi e ushtrojnë pushtetin që nuk është larg autoritarizmit. A duhet BE-ja të fokusohet vetëm mbi këto elita si palë negociuese?

Morvai: Procesi i ri i partneritetit mes BE-së dhe vendeve rajonale duhet të bëhet gjithëpërfshirës. Ky nuk është apel vetëm për Komisionin Evropian apo për vendet anëtare të BE-së për të marrë në konsideratë të gjitha segmentet e shoqërive rajonale, por ky është apel edhe për strukturat politike në vendet e Ballkanit Perëndimor që t’i shfrytëzojnë kapacitetet ekzistuese në sektorë të ndryshëm, sikur atë të shoqërisë civile, ato individuale, projekte të suksesshme që mund t’i avancojnë proceset integruese. Pra, nuk na duhet vetëm partneritet në vija të trasha mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, por edhe ai brenda shoqërive në rajon. Kjo nuk do ta shëronte menjëherë çdo shoqëri nga korrupsioni dhe nga krimi i organizuar, por në kushtet e partneritetit të brendshëm do të përforconte kërkesën e BE-së për vendosjen e pushtetit të ligjit si një nga prioritetet madhore. Ndryshe, mendoj se nuk ka magji me të cilën këto probleme do të adresohen dhe do të zgjidhen brenda natës. Zgjidhja e tyre kërkon dhe merr kohë. Por, është e mundshme. Shikojeni Maqedoninë ku ndryshimet kanë filluar dhe e kemi një atmosferë e një vullnet politik krejt ndryshe. 

A mund të thuhet se Ballkani Perëndimor gjendet në udhëkryq nga i cili ka vetëm dy drejtime: stabilitet dhe destabilizim?

Morvai: Mendoj se një ndërgjegje e tillë ende nuk është dominuese në rajon. Nuk besoj se elitat politike e shohin situatën nga ky prizëm. Në vendet e rajonit ende ekziston bindja se është e mundur që të vazhdohet loja e dyfishtë me të cilën, në njërën anë përçohet gatishmëria për reforma dhe reformim, ndërsa në anën tjetër nuk ka ndryshime dhe avancime në terren, ndërsa reformat e nevojshme janë në ngecje. Lypset tani që Bashkimi Evropian të tregojë se e ka seriozisht në përpjekjet e tij për ta ndryshuar situatën në rajon dhe për ta integruar atë në përbërje të vet. Rajoni gjendet në një situatë të çuditshme. Sa më afër Evropës është ai, ai ngec në disa segmente kyçe. Procesi i hapjes dhe i mbylljes së kaptinave negociuese shpesh nuk ka lidhje me realitet. Ky proces është ndarë nga realiteti, pothuajse askush nuk brengoset për atë çfarë ndodh në terren. Qasja e BE-së ndaj rajonit duhet të jetë shumë më efikase. Ata duhet të investojnë shumë më tepër përpjekje për ndryshimin thelbësor të shoqërive në rajon dhe jo mbizotërimin e metodave teknike për vlerësimin e suksesit në reforma. (Autori është korrespodent i disa medieve prestigjioze ndërkombëtare nga Prishtina. Gazeta “Zëri” ka ofruar hapësirën mediale dhe nuk mban përgjegjësi për gabimet eventuale gjatë realizimit të intervistës)