Në maj pritet rifillimi i punimeve për zgjerimin e rrugës në 'Veternik'

Ekonomia April 23, 2018 - 09:02
Lexoni më shumë detaje

As shumat milionëshe të investuara për zgjerimin e rrugës nacionale “N2” në lagjen “Veternik” në hyrje të Prishtinës nuk po arrijnë ta mbajnë të sigurt atë pjesë për kalimtarët dhe vozitësit e automjeteve. Punimet në këtë rrugë u shoqëruan me rrëshqitje të dheut gjatë kohës sa kompania “Benicom” po i vazhdonte punimet, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Skender Canolli, menaxher i projektit, në një përgjigje me shkrim për Zërin ka bërë të ditur se tenderi për zgjerimin e rrugës nacionale “N2” në “Veternik” ka qenë i ndarë në dy lote.

Për t’i kryer punimet në  “Lot 1” është përzgjedhur kompania NNT “Sallahu”, Kaçanik. Ndërsa vlera e tenderit ka qenë 1 milion e 600 mijë e 166.65 euro.

Por, rrëshqitja e murit mbrojtës sipas menaxherit të projektit ka ndodhur në pjesën e dytë të kontratës, vlera e së cilës ka qenë 1 milion e 374 mijë e 516.70 euro.

LEXO EDHE: 12 njësi akademike rrezikohen të mbyllen në UP

“‘Lot 1’: Punëkryes NNT ‘Sallahu’, Kaçanik, vlera e kontratës: 1600166.65 euro.

‘Lot 2’: Punëkryes ‘Benicom’ SHPK, Prishtinë, vlera e kontratës: 1374516.70 euro.

Rrëshqitja e murit mbrojtës ka ndodhur në ‘Lot 2’. Aty nuk kanë përfunduar punimet”, thuhet në përgjigjen e menaxherit të projektit.

Canolli ka bërë të ditur se punimet do të vazhdojnë sapo të përmirësohet moti dhe do të merret një vendim për mënyrën sesi do të vazhdojë puna më tutje, ndonëse kishte pasur zotime se punimet në njërën prej këtyre akseve do të përfundonin pesë muaj më parë.

Lekaj paralajmëron mbikëqyrje të rreptë të vazhdimit të punimeve

Por ministri Pal Lekaj, i cili drejton Ministrinë e Infrastrukturës, nuk ka dashur ta komentojë pjesën e përgjegjësisë për punimet në zgjerimin e kësaj rruge nëse faji ka qenë te kompania që është përzgjedhur t’i kryejë punët.

Lekaj në një prononcim për “Zërin” ka thënë se muaji maj mund ta sjellë rifillimin e punimeve në këtë rrugë pa kosto shtesë.

“Ka kohë që jemi duke u përballur me këtë problem dhe vërtet është një shëmti që ka ndodhur. Se kush është përgjegjës le ta thonë të tjerët, ajo çka ne kemi bërë është se kemi ardhur deri te caktimi i rifillimit të punëve dhe unë besoj shumë se që nga fillimi i majit do ta shohim rifillimin e punimeve në të pa kosto shtesë dhe rruga do të përfundojë ashtu siç duhet”, ka theksuar Lekaj.

Ai ka paralajmëruar vazhdim të punimeve nën një mbikëqyrje të rreptë në mënyrë që të përfundohet projekti siç duhet.

“Përgjegjësia ndoshta është te të gjithë nga pak, por ajo çka duhet të bëhet më tutje është që të mos ndalemi duke u marrë me gjëra të cilat e prolongojnë përfundimin e punimeve, me atë temë, e thashë edhe më lart, mund të merren organet e tjera. Ne krejt çka duhet të bëjmë dhe po e bëjmë e në afatin më të shkurtër do të shihet, është vazhdimi i punimeve me një mbikëqyrje të rreptë për të përfunduar këtë projekt ashtu siç duhet”, ka shtuar më tutje ministri Lekaj.

Gazeta ka provuar të kontaktojë me zyrtarët nga kompania “Benicom”, por kontakti nuk ka qenë i mundur.

Zeka: Kyçjet e shpeshta në akset rrugore, rrezik në komunikacion

Drejtori i Odës Amerikane në Kosovës (OEAK), Arian Zeka, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se përveç shumave të shpenzuara nga Qeveria e Kosovës, për përmirësimin e infrastrukturës rrugore duhet të bëhen edhe investime në aspektin e sigurisë.

“Institucionet qeveritare kanë shpenzuar një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të vendit në përmirësimin e infrastrukturës rrugore e megjithatë, krahas ngritjes së cilësisë së rrugëve, është dashur të bëhen edhe investimet e duhura në aspektin e sigurisë”, ka deklaruar Zeka.

Sipas tij, kyçjet e shpeshta në akset rrugore përbëjnë rrezik të shtuar në aspektin e sigurisë në komunikacion.

“Kyçjet e shpeshta nëpër akset rrugore natyrisht që përbëjnë një rrezik të shtuar në aspekt të sigurisë në komunikacion, ndërsa në anën tjetër është edhe kultura e komunikacionit ajo në të cilën duhet punuar më tepër”, thuhet më tutje në përgjigje.

Për këto probleme të rrugëve profesorë të asociuar në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, po thonë se problemi kryesor po qëndron në atë se projektimin e rrugëve po e bëjnë inxhinierët e ndërtimtarisë.

Naser Lajqi, profesor i asociuar në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në UP, që ligjëron lëndën e Komunikacionit rrugor, ka thënë për “Zërin” se projektimin e rrugëve duhet ta bëjnë inxhinierët e komunikacionit.

“Projektimin e rrugëve në shumicën e herëve po e bëjnë inxhinierët e ndërtimtarisë. Po e bëjnë edhe procesin e sinjalizimit, qoftë vertikal dhe horizontal. Që mendoj se duhet ta bëjnë inxhinierët e komunikacionit. Dhe normal sa e kam vërejtur edhe auditimin nga aspekti i sigurisë, shumicën e këtyre projekteve nuk e di a e bëjnë apo s’e bëjnë. Nuk e di a ka njerëz që janë të certifikuar nga aspekti i auditimit të sigurisë së rrugëve”, është shprehur Lajqi.

Njohësit e ekonomisë kërkojnë kritere rigoroze për rrugët

Ndërkohë, disa njohës të çështjeve të ekonomisë në vend po pretendojnë se kompanitë që ndërtojnë rrugët në Kosovë nuk janë profesionale.

Lulzim Beqiri, njohës i rrethanave ekonomike, po thotë se ndërtimi i rrugëve të Kosovës nuk po realizohet sipas standardeve të kërkuara. Për këtë arsye, sipas tij, po kemi riparime me të cilat po i shkaktohet dëm buxhetit të shtetit.

“Edhe pse pjesa më e madhe e buxhetit të Republikës së Kosovës orientohet në rrugë apo në asfalt, jemi dëshmitarë se cilësia e rrugëve lë shumë për të dëshiruar, pra ndërtimi i rrugëve të Kosovës nuk është realizuar sipas cilësisë së kërkuar apo sipas standardeve të kërkuara dhe për pasojë kemi edhe kaq shumë riparime, duke ia shkaktuar një dëm të madh buxhetit të shtetit edhe ashtu pjesa më e madhe shkon në infrastrukturë”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, Ministria e Infrastrukturës duhet të jetë më rigoroze në aspektin e cilësisë së rrugëve, duke mos vepruar kështu me nepotizëm në këtë aspekt.

“Ministria e Infrastrukturës duhet të ketë kritere rigoroze lidhur me cilësinë e rrugëve, mirëpo dhënia e tenderëve shokëve e familjarëve na ka sjellë në këtë situatë, andaj mendoj se duhet bëhet një analizë e mirë lidhur me cilësinë e rrugëve dhe një mbikëqyrje më e mirë”, ka shtuar më tutje Beqiri.

Prezantimi i raportit me të gjeturat e shkaktarëve të rrëshqitjeve të dheut

Për të njëjtën çështje Ministria e Infrastrukturës dy muaj më parë kishte prezantuar një raport të Komisionit të emëruar nga vetë ministri Pal Lekaj, pas raportimeve për rrëshqitje të dheut gjatë zhvillimeve të punimeve për zgjerimin e kësaj rruge nacionale.

Në prezantimin e këtij raporti zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, kishte thënë se në bazë të raportit të marrë nga Komisioni, problemet kryesore kanë qenë në  aspektin e projektimit, mbikëqyrjes, punëkryerësit dhe të reshurat atmosferike në fund të muajve nëntor e dhjetor.

Ky raport ishte cilësuar si preliminar, ndërsa ishte thënë se i njëjti do t’i dërgohet kompanisë që ka zhvilluar punimet në këtë pjesë për t’i kuptuar shkaktarët e rrëshqitjes së dheut.

MI-ja kishte këmbëngulur se të gjitha rrugët që do të ndërtohen në Kosovë do të jenë konform standardeve evropiane.