Presidenti Thaçi çon në AKI Shpend Maxhunin

Aktuale April 20, 2018 - 16:43
Lajmi i Fundit

Burime të Gazetës Express thonë se Shpend Maxhuni, aktualisht Drejtor i Policisë së Kosovës, pritet të emërohet shumë shpejt Drejtor i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Të njëjtat burime saktësojnë se për të ka pajtueshmëri mes Presidentit dhe Kryeministrit. Siç dihet, Maxhuni është njeri besnik dhe i dëgjueshëm i Hashim Thaçit.

Shpend Maxhuni erdhi në krye të Policisë së Kosovës pasi që pushtetin në Kosovë e mori Hashim Thaçi dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Tash, po me bekimin e Thaçit, ai do të emërohet Drejtor i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Kjo agjenci, AKI, mbeti pa Drejtor pas aksionit të dyshimtë të kidnapimit të gjashtë shtetasve turq, dhe për të cilin aksion u shkarkua Driton Gashi, një njeri po ashtu i Hashim Thaçit. Por duket se Thaçi sërish do ta ketë njeriun e tij në këtë institucion të rëndësishëm.

Burime të Gazetës Express thanë të premten se Shpend Maxhuni do të emërohet shumë shpejt Drejtor i AKI’së.

Të njëjtat burime saktësuan se Maxhuni është i pranueshëm edhe për Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn.

Siç dihet, emërimi dhe shkarkimi i Shefit të AKI’së bëhet nga Presidenti dhe Kryeministri.

Është e çuditshme se si Maxhuni shpëtoi nga shkarkimi pas aksionit ndaj gylenistëve, ndërkohë që tash kur pikërisht për këtë aksion u shkarkua Driton Gashi, ai delegohet pikërisht në këtë pozitë.