Raporti i dështimit!

Aktuale April 18, 2018 - 07:38
Lexo detajet

Komisioni Evropian ka publikuar raportin për Kosovën, në të cilin theksohet nevoja për luftim më të madh të krimit të organizuar dhe të korrupsionit, duke mos dhënë kështu shpresa për liberalizim të shpejtë të vizave për kosovarët. Në raport po ashtu thuhet se administrata dhe gjyqësori janë të ndikuar nga politika, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Vërejtje të shumta për institucionet e vendit janë përsëritur edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën. Politizimi i administratës publike, politizimi i bordeve të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura, pafuqia e sistemit gjyqësor për largimin e ndikimeve politike, mungesa e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, mungesa e zhvillimit ekonomik e mungesa e përparimit të cilësisë së arsimit janë disa nga vërejtjet kryesore që jepen ndaj Kosovës.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian nuk japin data se kur do të mundë të ndodhë liberalizimi i vizave për Kosovën. Në anën tjetër, presidenti Hashim Thaçi ka thënë se kosovarët janë lodhur me raporte dhe se liberalizimi duhet të ndodhë sa më parë, shkruan tutje "Zëri". 

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, zyrtarët e lartë të BE-së thanë se Serbia dhe Mali i Zi kanë bërë disa përparime dhe po vazhdojnë negociatat në procesin e përafrimit me BE-në, ndërkohë që është lansuar hapja e negociatave edhe me Shqipërinë dhe Maqedoninë, kurse Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë në rrugën e përmbushjes së kritereve evropiane para se të mundë të llogarisin në negociatat e anëtarësimit.

Mogherini: Duhen ende shumë punë

Përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, gjatë prezantimit të raportit për vendet që duan të bëhen pjesë e BE-së ka thënë se Kosova ka shënuar progres në shumë fusha, por që mbetet ende punë për të bërë.

Sipas saj, Kosova duhet ta zbatojë Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, duke shtuar se BE-ja pret edhe respektimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë.

Ajo e vlerësoi si lajm të mirë fillimin e punëve në Prishtinë sa i përket draftimit të statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

“Ka marrëveshje që duhet të zbatohen si nga Prishtina, ashtu edhe nga Beogradi”, është shprehur Mogherini, duke insistuar që marrëveshjet e arritura në dialog duhet të zbatohen.

Apostolova: Nuk e di nëse liberalizimi do të ndodhë këtë vit

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka prezantuar raportin e progresit, i cili thekson se Kosova duhet të bëjë më shumë punë për përafrim me BE-në.

Edhe pse ka pritur një raport më pozitiv, Apostolova ka thënë se raporti i progresit për vitin 2018 tregon problemet e pazgjidhura dhe rekomandimet të cilat duhet të plotësohen nga Kosova.

“Raporti i këtij viti ofron krahasim më të madh ndërmjet vendeve për anëtarësim në BE. Raporti ka dy lloj analizash: Për përparimin e Kosovës deri më tani dhe lidhur me përafrimin e Kosovës me praktikat e BE-së përmes MSA-së. Raporti tregon se ku mbeten problemet dhe ku duhet vepruar”, ka thënë Apostolova në konferencën për medie.

Ajo më tej ka thënë se ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi ishte hap i rëndësishëm në procesin e liberalizimit të vizave, megjithatë kë thënë se ka ende punë për t’u bërë.

“Ka pasur sukses ratifikimi i Demarkacionit. Ishte hap i rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave. Duke e krahasuar me raportin e vitit 2016, nuk janë realizuar disa rekomandime dhe përsëriten edhe në këtë raport. Vlerësimi nuk është edhe aq sa kemi pritur, por është i qartë për përparimin e arritur. Ne fuqishëm këshillojmë që të fillohet me plotësimin e rekomandimeve”, ka deklaruar Apostolova, duke thënë se krimi i organizuar dhe korrupsioni mbeten ende në nivel shqetësues.

Shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë ka thënë se raporti vlerëson se Kosova ka shënuar pak progres në disa fusha, ndërsa thekson se në Kosovë nuk është bërë asnjë progres në arsim, mjedis dhe në ndryshime klimatike.

Ajo ka thënë se Komisioni Evropian është i shqetësuar për vazhdimin e politizimit të administratës publike, mungesës së progresit në çështjet e ruajtjes së mjedisit, gjendjen e papërmirësueshme të sistemit të arsimit, rritjen e papunësisë dhe korrupsionin e përhapur.

Përfaqësuesja e BE-së në Kosovë më tej ka thënë se në javën e ardhshme do të vijë në Kosovë një komision për të vlerësuar se sa është punuar në “Track rekord”.

“Nëse Komisioni bindet se është punuar mjaftueshëm, atëherë do t’u rekomandohet vendeve anëtare të BE-së heqja e vizave për Kosovën... A do të ndodhë liberalizimi i vizave këtë vit? Nuk e di. Kjo varet nga Kosova”, deklaroi Apostolova.

Shefja e Zyrës së BE-së ka thënë se në këtë raport është përfshirë edhe deportimi i gjashtë shtetasve turq.

Thaçi: Kosovarët janë lodhur nga raportet, të hiqen vizat sa më parë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pas publikimit të raportit për Kosovën nga Komisioni Evropian, ka thënë se pa humbur kohë të gjitha institucionet duhet të reflektojnë për përmbajtjen dhe të gjeturat e raportit në mënyrë që të adresohen problemet dhe sfidat e evidentuara.

Thaçi ka thënë se kosovarët janë lodhur me raporte dhe se duhet të ndodhë liberalizimi i vizave sa më parë.

“E përshëndes faktin që ky raport ka reflektuar pozitivisht rreth procesit të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave. Prandaj, e konsideroj çështje urgjente që ky proces të mbyllet sa më shpejt nga ana e BE-së, sepse qytetarët e Kosovës janë lodhur nga raportet e shumta. Tani është momenti për diçka konkrete. Liberalizimi i vizave duhet të ndodhë pa humbur kohë”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në “Facebook”.

Kreu i shtetit më tej ka thënë se Kosova ka vullnet të mjaftueshëm politik për të intensifikuar hapat e saj drejt integrimit në BE. Madje sipas Thaçit, hapi i radhës për Kosovën duhet të jetë marrja e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.

“Kosova ka nevojë të ketë qartësi në rrugën e saj evropiane dhe të trajtohet në mënyrë të barabartë me shtetet e tjera të rajonit. Pavarësisht sa e komplikuar mund të jetë një gjë e tillë për BE-në, në mungesë të një perspektive të qartë gjithçka tjetër mund të sjellë komplikime dhe pasoja jo vetëm për Kosovën, por edhe gjithë rajonin”, ka shtuar Thaçi.

Hoti: Mos e kritikoni raportin, tregon gjendjen reale

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se raporti i BE-së për Kosovën përshkruan saktësisht gjendjen në të cilën është Kosova, prandaj sipas tij, kundërvënia e zyrtarëve të lartë shtetërorë ndaj këtij raporti, me gjuhë të ashpër ndaj BE-së, nuk na ndihmon aspak.

Prandaj, Hoti vlerëson se duhet urgjent të arrihet konsensus nacional për reformat që duhet të ndërmerren.

“Këto vërejtje të BE-së duhet të përbejnë platformën nacionale të veprimit të të gjitha forcave politike në vend, duke lënë anash rivalitetin politik ditor. Ndryshe, qytetarët nuk do të na falin”, ka shtuar më tej Hoti. Sipas tij, LDK-ja është e gatshme t’i prijë ndërtimit të platformës nacionale të veprimit për integrim në BE.

Hoti ka thënë se kjo tryezë e partive politike, që thotë ta ketë propozuar LDK-ja, mund të shërbejë për tri gjëra.

“1. Ndërtimin e konsensusit nacional për temat e rëndësishme për të cilat nuk duhet të ketë rivalitet politik në zgjedhjet e parakohshme; 2. Dakordimin e parimeve qeverisëse që do të respektohen nga kushdo që nesër do të qeverisë me vendin; dhe 3. përgatitjet e nevojshme teknike për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për të nxjerrë një qeveri stabile dhe të përgjegjshme”, ka shkruar Hoti.

Dështimi për reforma

Në raport thuhet se Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme në qershor të vitit 2017 dhe se Kuvendi e Qeveria e re morën detyrën në shtator. Por deri më tani, sipas raportit të Komisionit Evropian, koalicioni qeverisës ka pasur sukses të kufizuar në sjelljen e reformave të lidhura me BE-në dhe ndërtimin e konsensusit mbi çështjet kyçe strategjike për Kosovën.

“Fragmentimi dhe polarizimi i vazhdueshëm politik kanë ndikuar negativisht në rolin e Kuvendit dhe kanë ndikuar në efektivitetin e Qeverisë”, thuhet në këtë raport.

KE-ja më kritikon për përdorimin e gazit lotsjellës në Kuvend nga deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje”. Kurse, ratifikimi i Marrëveshjes së Kufirit me Malin e Zi në mars 2018 vlerësohet si një përparim i rëndësishëm.

Në raport përmendet edhe frikësimi në shumë komunitete të serbëve të Kosovës, ku është synuar që të përkrahen vetëm kandidatët e Listës Serbe.

Gjithashtu në Raportin për Kosovën kritikohet përpjekja për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. “Përpjekjet e anëtarëve të Kuvendit të Kosovës në dhjetor 2017 për të shfuqizuar Ligjin mbi Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë Speciale kanë ngritur shqetësime serioze”, thuhet në raport.

Administrata e gjyqësori, të ndikuar nga politika

Komisioni Evropian ka vlerësuar se ka një nivel të përgatitjes në fushën e reformës së administratës publike. Sipas raportit, disa përparime janë bërë sidomos me shqyrtimin e agjencive dhe të organeve (gjysmë) të pavarura. Megjithatë, shqetësues mbetet politizimi i administratës publike.

“Politizimi i vazhdueshëm i administratës publike mbetet një shqetësim dhe ndikon negativisht në efikasitetin dhe në pavarësinë profesionale të administratës publike”, thuhet në raport.

Ndërkohë, vlerësohet se sistemi gjyqësor është ende në fazë të hershme. Por që theksohet fakti që gjyqësori është ende i prekshëm nga ndikimet e panevojshme politike dhe institucionet e sundimit të ligjit kërkojnë përpjekje të vazhdueshme për t’i ndërtuar kapacitetet e tyre.

Kërkohen dënime përfundimtare për korrupsion e krim të organizuar

Në raportin që u prezantua dje thuhet se Kosova është në një fazë të hershme të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit. Megjithëse thuhet se ka pasur përparime në ndjekjet penale, kërkohen dënime përfundimtare.

“Kosova ka bërë disa përparime në lidhje me rezultatet e performancës dhe ndjekjes penale për korrupsion të nivelit të lartë dhe rastet e krimit të organizuar, duke përfshirë edhe dënimet përfundimtare. Progres është bërë edhe në konfiskimin paraprak të aseteve, edhe pse konfiskimet finale mbeten të ulëta. Korrupsioni është i përhapur dhe mbetet një çështje shqetësuese”, thuhet në Raportin për Kosovën.

Po ashtu thuhet se Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar dhe se janë bërë disa përparime në lidhje me korrupsionin e nivelit të lartë dhe rastet e krimit të organizuar.

Në këtë raport thuhet se Kosova ka një nivel të përgatitjes në fushën e lirisë së shprehjes, por theksohet fakti se nuk ka pasur progres gjatë periudhës raportuese dhe se kërcënimet e sulmet ndaj gazetarëve kanë vazhduar.

Shqetësimet për pensionet e veteranëve

Sa i përket aspektit ekonomik, Komisioni Evropian ka vlerësuar se Kosova ka bërë përparim të mirë dhe është në një fazë të hershme të zhvillimit të një ekonomie tregu funksionale. Sipas KE-së, përfitimet e veteranëve të luftës vazhdojnë të përbëjnë një sfidë për financat publike.

“Ambienti i biznesit është përmirësuar dhe Qeveria ka respektuar rregullin fiskal për deficitin buxhetor; megjithatë, përfitimet e veteranëve të luftës vazhdojnë të përbëjnë një sfidë për financat publike.

Gjithashtu thuhet se ekonomia informale mbetet e përhapur.

Asnjë përparim në cilësinë e arsimit

Njëra ndër çështjet ku Kosova nuk ka shënuar aspak progres mbetet fusha e arsimit. Asnjë përparim nuk është bërë në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe adresimin e boshllëqeve të aftësive në tregun e punës”, thuhet në raport.

Po ashtu potencohet fakti se Kosova ka bërë disa përparime në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, por sipas KE-së, boshllëqet e mëdha të infrastrukturës në sektorët e hekurudhave dhe të energjisë mbeten. Është vlerësuar se përparime nuk ka pasur as në fushën e mjedisit dhe të ndryshimeve klimatike.