Blerta Deliu sqaron gjithçka rreth liberalizimit të vizave

Aktuale April 12, 2018 - 14:49
Lexo detajet

Kryetarja e Komisionit për Integrime, Blerta Deliu e ka demantuar deputeten e Vetëvendosjes Fitore Pacollin për deklarimet e saj se Kosovës as këtë vit nuk do t’i liberalizohen vizat.

Pacolli tha sot se në bazë të takimit që është zhvilluar në mes të Komisionit dhe zyrës së BE-së në Prishtinë, ata kanë marrë sinjale se sivjet nuk do të ketë liberalizim vizash.

LEXO EDHE: Pacolli tregon se a do të ketë liberalizim të vizave këtë vit

Por Deliu i hedh poshtë të gjitha këto. Madje ajo thotë se janë dhënë sinjale pozitive për vizat.

“Takimi ka qenë i mbyllur për media, kështu jemi dakorduar ndërmjet zyrës se BE -së dhe Komisionit për Integrime. Përndryshe është totalisht e pavërtetë ajo qe ka deklaruar znj Pacolli. Takimi është zhvilluar në frymë jashtëzakonisht pozitive dhe po ashtu është thënë se sa i përket Brukselit sinjalet janë pozitive”, ka shtuar Deliu.

Tutje, kryetarja e këtij Komisioni tregoi qartë se çfarë është diskutuar, derisa shtoi se kalimi i demarkacionit është vlerësuar hap shumë i rëndësishëm.

“Kemi diskutuar lidhur me progresin në 'track record' e cila është në duar te gjyqësorit. Si dhe kemi diskutuar si mundet Kuvendi e Qeveria me ndihma në proces e qe është kalimi i ligjeve që burojnë nga MSA, nga raporti i progresit. Është vlerësuar si hap shume i rëndësishme ratifikimi i demarkacionit në Kuvendin e Kosovës”, tha ajo.

Deliu ka kërkuar që për këtë çështje të pyeten edhe Armend Zemaj, Milaim Zeka, Ilir Deda dhe Ahmet Isufi.

Ndryshe, në takimin e zhvilluar pa prezencën e mediave, Fitore Pacolli tha se  Kosova ka dështuar të bëjë hapa konkretë sa i përket luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, kushtit të fundit për liberalizimin e vizave.

“Sapo u ktheva nga një takim që e kishim më përfaqësues të Zyrës së BE-së për të diskutuar rreth përmbushjes së kriterit të luftimit të korrupsionit, për liberalizim të vizave. Nga ajo që pamë është tashëm e sigurt që nuk do të ketë liberalizim të vizave sivjet dhe është shumë e qartë që Kosova nuk ka bërë ndonjë hap konkret sa i përket luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë Pacolli.

Deputetja e VV-së ka thënë se përfaqësuesit e Zyrës së BE-së shpresonin se do të merrnin propozim pozitiv nga Komisioni Evropian mirëpo sipas saj, Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm për përmbushjen e kushtit të fundit për vizat./Express/