Haradinaj në pritje të emrave për shef të AKI-së dhe të MPB-së

Aktuale April 12, 2018 - 08:36
Ja çfarë vendime u morën në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se është duke pritur nga presidenti Hashim Thaçi ta propozojë emrin e shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, si dhe nga Aleanca Kosova e Re emrin e ministrit të Punëve të Brendshme, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Këtë deklaratë kreu i Qeverisë e ka dhënë në një konferencë për medie pas mbledhjes së ekzekutivit ku është miratuar Projektligji për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip në Republikën e Kosovës nga viti shkollor 1990-1991 deri në vitin 1998-1999.

“Jemi në pritje të propozimit nga AKR-ja të emrit për ministrin e Punëve të Brendshme... Njëkohësisht për AKI-në, procedura është që propozimi vjen nga presidenti, por emërimi bëhet dypalësh. Jam në pritje të propozimeve nga presidenti, jemi në diskutime që kjo të ndodhë, po interesohemi që të kemi një vazhdimësi në AKI dhe funksionet e veta që ka AKI-ja”, është shprehur Haradinaj.

LEXO EDHE: Haradinaj të hënën paraqitet në 4 interpelanca

Haradinaj: Asociacioni, vetëm në bazë të Kushtetutës së Kosovës

Në mbledhjen e së mërkurës i pari i Qeverisë po ashtu e ka njoftuar kabinetin e tij rreth fillimit të punës së mekanizmit drejtues për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Haradinaj ka thënë se janë tri ekipe që do të angazhohen, ku bëjnë pjesë komiteti zbatues, ekipi menaxhues dhe ekipi nacional konsultativ.

Po ashtu ka thënë se puna e këtyre ekipeve do të mbështetet edhe nga ekspertët e OSBE-së.

Haradinaj gjithashtu ka thënë se drafti apo statuti që do të hartohet do t’i dërgohet për vendim final Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila do ta bëjë vlerësimin e kushtetutshmërisë së tij.

“Hartimi i statutit të AKS-së duhet të bëhet në përputhje me ligjet dhe me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin final e jep Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Një trup ka qenë i dakorduar nga Qeveria e mëhershme, ka qenë menaxhmenti, ai e fillon punën që tani, raporton çdo muaj në Bruksel. Këtë statut, ne, Qeveria, e dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese për të parë a është në përputhje me Kushtetutën”, u shpreh Haradinaj.

Mësimdhënësve u njihet statusi i viteve të ’90-ta

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës ka miratuar Projektligjin për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip në Republikën e Kosovës nga viti shkollor 1990-1991 deri në vitin 1998-1999.

Me këtë rast kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar nga edukatorët, drejtuesit e shkollave dhe nxënësit që të kthehen në shkolla dhe t’i përkushtohen procesit të mësimit dhe rezultateve konkrete në testin e PISA-s.

Në këtë mbledhje është miratuar vendimi për shpronësimin e pronave për ndërtimin e rrugës nacionale Prishtinë – Pejë, si dhe vendimi për lirim nga dogana për pajisjet e teknologjisë informative dhe për importet e pjesëve rezerve për prodhuesit e vendit, që nga kabineti qeveritar u vlerësua si ndihmesë dhe vazhdim i përkrahjes biznesit vendor dhe hapjes së vendeve të punës.

Qeveria ka shtyrë për javën tjetër shqyrtimin e propozimit për t’ia proceduar Kuvendit të Kosovës mendimin lidhur me Projektligjin për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka thënë se në projektligj ka nevojë që të punohet edhe pak dhe janë tri apo katër nene që duhet të rishikohen.

Ai ka kërkuar që në javën tjetër Qeveria të ketë ide konkrete për këtë projektligj.