Haradinaj të hënën paraqitet në 4 interpelanca

Aktuale April 12, 2018 - 08:20
Ja edhe cili ministër është thirrur në interpelancë

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka mbajtur mbledhje gjatë ditës së djeshme, me ç’rast seancën e radhës e ka thirrur për të hënën, më 16 prill, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në këtë seancë, e cila do t’i ketë rreth 26 pika në rend dite, do të mbahen edhe 5 interpelanca (katër të kryeministrit Ramush Haradinaj dhe një e ministrit të Shëndetësisë Uran Ismaili).

Kështu ka bërë të ditur Dardan Sejdiu, shef i Grupit Parlamentar të GDP-së, i cili ka qenë i vetmi që është deklaruar pas mbledhjes së djeshme të Kryesisë.

Sejdiu me këtë rast është shprehur i lumtur që në seancën e javës së ardhshme do të mbahet interpelanca për marrëveshjen e nënshkruar mes Qeverisë dhe “Contour Global”-it, interpelancë kjo e thirrur pas kërkesës së deputetëve të GDP-së.

LEXO EDHE: Rrëzimi i Qeverisë, mision i vështirë

“Seanca e radhës është vendosur të mbahet më datën 16 prill, do të trajtohen diku 26 pika të rendit të ditës, ku janë 5 interpelanca. Jam tepër i lumtur që më në fund marrëveshjen komerciale që ka nënshkruar Qeveria me ‘Contour Global’-in do ta trajtojmë në Kuvend, aty ku e ka vendin. Mendoj që kjo marrëveshje nuk është shpërfaqur në mënyrën si duhet”, ka deklaruar Sejdiu.

Ai gjatë konferencës ka folur edhe rreth punës së Qeverisë aktuale, me ç’rast ka vlerësuar se ajo nuk është duke u marrë me çështje të rëndësishme.

“Ne si grup mendojmë që Qeveria, të cilën kemi tani, nuk është duke trajtuar tema të rëndësishme. Është duke u marrë me tema periferike që nuk e rregullojnë mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Nëse e shihni sot Republikën e Kosovës përsëri jemi vendi me deficitin më të lartë tregtar, me papunësinë më të lartë dhe këto janë temat që duhet të trajtohen nga cilado qeveri që udhëheq me këtë Republikë”, është shprehur ai.

Ndërkohë ani pse lëvizja “Vetëvendosje” para disa ditësh ka njoftuar se do ta procedojë në Kuvend Projektligjin për Referendumin, deputetë nga GDP-ja kanë bërë të ditur dje se ky grup parlamentar ka proceduar këtë projektligj në Kuvend.

I pyetur rreth kësaj, Sejdiu ka thënë se nuk është e rëndësishme se kush e procedon atë, porse vetë projektligji në fjalë ka rëndësi të veçantë.

“Projektligji për Referendumin është një ecje përpara, një nismë e mirë ligjore dhe kushdo që e procedon, qoftë ne, qoftë lëvizja ‘Vetëvendosje’, mendoj që është një e mirë për vendin. Nuk mendoj se duhet bërë ky diskutim se kush po e procedon, mendoj se është i domosdoshëm si ligj”, ka përfunduar kryetari i Grupit Parlamentar të GDP-së.

Në anën tjetër deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje” Albulena Haxhiu ka akuzuar GDP-në për vjedhje të këtij projektligji.