LDK-ja e LVV-ja, të gatshme për rrëzimin e Qeverisë

Aktuale April 11, 2018 - 07:41
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Dy paritë opozitare në Kuvendin e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja “Vetëvendosje”, tashmë janë shprehur të gatshme për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Që të dyja kanë paralajmëruar se gjatë javës do të fillojë mbledhja e nënshkrimeve për ta iniciuar mocionin për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinajt, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Lidhja Demokratike e Kosovës këtë javë mund të nisë zyrtarisht mbledhjen e nënshkrimeve për ta iniciuar mocionin për rrëzimin e Qeverisë.

Kështu kanë deklaruar përfaqësuesit e LDK-së për “Zërin”, të cilët kanë thënë se brenda kësaj jave do të kristalizohen shumë gjëra sa i përket nismës për rrëzimin e Qeverisë.

Tashmë pro mocionit dhe rrëzimit të Qeverisë gjatë ditës së djeshme është deklaruar edhe lideri i lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti.

“LVV-ja është për zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më parë dhe për mocion për rrëzimin e Qeverisë”, ka deklaruar Kurti.

Përfaqësues të LDK-së kanë bërë të ditur se ende janë duke i pritur partitë politike që të deklarohen nëse janë për ta caktuar një datë të përbashkët për zgjedhje të parakohshme.

Në rast se nuk ndodh një gjë e tillë, sipas zyrtarëve të LDK-së, ky subjekt do të veprojë njëanshëm.

Megjithatë analistët politikë mbeten skeptikë nëse kjo nismë do të jetë efektive, pasi për të ardhur deri te realizimi nevojiten edhe votat e GDP-së dhe të Listës Serbe.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e koalicionit qeverisës shprehen të vendosur se do të vazhdojnë të funksionojnë, pavarësisht paralajmërimeve për ngritjen e mocionit.

Rrahmani: Partitë nuk do t’i presim deri në pakufi

Deputeti i LDK-së Imet Rrahmani ka bërë të ditur se deri në fund të kësaj jave do të mundë t’i nisin procedurat e mbledhjes së nënshkrimeve për ngritjen e mocionit për rrëzimin e qeverisë aktuale.

“Tash e kemi një përparësi shtesë, kryetari i partisë është në Prishtinë dhe ne shumë shpejt do të marrim qëndrim. Po besoj që deri kah fundi i javës do të kristalizohen shumë punë, mund të ndodhë që fillon edhe mbledhja e nënshkrimeve”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Rrahmani më tej ka thënë se LDK-ja nuk do t’i presë gjatë partitë politike që të deklarohen rreth datës së zgjedhjeve, ashtu siç u ka bërë thirrje Lidhja Demokratike.

“Ne e kemi thënë që pritja e LDK-së nuk do të jetë deri në pakufi për t’u ulur në tryezë dhe për të vendosur për të ecur tutje në procesin politik. Ne kemi bërë një ofertë për partitë politike që të ulemi dhe të bisedojmë për një datë se kur do t’i caktojmë zgjedhjet e parakohshme dhe në momentin që shohim se nuk ka lëvizje nga partitë e tjera atëherë LDK-ja do të veprojë njëanshëm”, ka theksuar ai.

Haziri: Tavolina mund t’u japë zgjidhje një sërë çështjesh

Nga ana tjetër, nënkryetari i këtij subjekti Lutfi Haziri ka konsideruar se tryeza e përbashkët mes partive politike do të mundë t’i zgjidhte një sërë çështjesh me të cilat po ballafaqohet vendi.

“Qëndrimi i LDK-së ka të bëjë me fazën e parë: tryezën e partive politike, e cila duhet ta trajtojë seriozisht gjendjen në vend, që lidhet me krizën politike dhe institucionale në Republikën e Kosovës. Tavolina mund t’ju japë zgjidhje disa prej çështjeve që përfshihen në një kalendar të aktiviteteve të punës në interes të vendit, që lidhen me reformat evropiane, legjislacionin, eventualisht vendimet e tjera. Natyrisht edhe legjitimitetin e caktimit të një date të përbashkët me konsensus për zgjedhje të parakohshme”, është shprehur ai.

Megjithatë, Haziri ka thënë se LDK-ja ende nuk u ka bërë ftesë zyrtare partive politike sa i përket kësaj çështjeje, porse ka njoftuar se një gjë e tillë do të ndodhë shumë shpejt.  

Kurti: LVV-ja është për mocion dhe për zgjedhje

Pro mocionit dhe rrëzimit të Qeverisë gjatë ditës së djeshme është deklaruar edhe lideri i lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti. “LVV-ja është për zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më parë dhe për mocion për rrëzimin e Qeverisë”, ka deklaruar Kurti.

Me këtë rast i pari i LVV-së ka numëruar disa arsye se pse qeveria “Haradinaj” duhet të largohet përfundimisht. “Nenad Rikallo e Milan Radojçiq, shtimi enorm i posteve qeveritare dhe rritja e pagës vetvetes, diskreditimi i arsimit tonë nga BE-ja dhe rritja e papunësisë, ‘Contour Global’ dhe demarkacioni e deri te dëbimi tinëz në shkelje të ligjit e të të drejtave të njeriut i 6 shtetasve turq, përgjegjësinë për të cilin nuk po e merr asnjë institucion i Kosovës, janë vetëm disa prej arsyeve pse kjo Qeveri e shtrenjtë duhet të largohet”, ka theksuar ai.

Ndërkaq përfaqësuesit e GDP-së kanë deklaruar tashmë për “Zërin” se së pari do ta shohin se çfarë përmban mocioni e pastaj do të marrin vendim nëse do ta mbështesin apo jo.

Berisha: Nuk ka rrezik për rrëzimin e Qeverisë

Pavarësisht tyre, deputeti nga radhët e koalicionit qeverisës (AAK) Bekë Berisha ka konsideruar se Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj do të vazhdojë të punojë dhe të funksionojë pa kurrfarë problemi.

Berisha me këtë rast ka thënë se Qeveria nuk rrezikohet fare që të bjerë, pavarësisht paralajmërimeve të opozitës për ngritje të mocionit. “Këto janë shaka të opozitës, kryesisht të LDK-së.

Nuk ka rrezik që Qeveria të rrëzohet. Nuk do të ketë asnjë ndryshim. Do të vazhdojmë punën dhe ta çkapim shtetin prej korrupsionit e prej hajnisë”, ka theksuar Berisha.

Gashi, skeptik nëse mocioni do të realizohet

Ndërkaq duke folur rreth paralajmërimeve të LDK-së për ngritjen e mocionit Astrit Gashi, njohës i çështjeve politike, është shprehur skeptik nëse një gjë e tillë do të mundë të realizohet në qoftë se LDK-ja nuk merr ndonjë mbështetje nga partitë e koalicionit. 

“Kjo situatë ende më tingëllon më shumë si një dëshirë e LDK-së për t’u pozicionuar si opozita e vërtetë e pushtetit sesa një mocion, i cili mund të realizohet në këtë moment, në qoftë se nuk ka ndonjë aprovim të heshtur prapa skenave të ndonjërës nga partitë që janë në pushtet. Nëse ka ndonjë konspiracion prapa, atëherë edhe mund të jetë më afër realizimit”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Pavarësisht deklarimit të liderit të LVV-së Albin Kurti se “Vetëvendosja” është pro mocionit, Gashi ka thënë se LDK-ja nuk mund ta finalizojë qëllimin e saj vetëm në bashkëpunim me partinë e Kurtit.

“Duhet ta kenë edhe përkrahjen e Grupit të Deputetëve të Pavarur, ndoshta edhe të Listës Serbe”, ka theksuar ai.

E teksa ka komentuar kërkesën e LDK-së drejtuar partive politike për një dialog të brendshëm për ta caktuar një datë për zgjedhje të parakohshme, Gashi ka vlerësuar se një hap i tillë vetëm sa e vështirëson procesin.

“Kjo vetëm e komplikon krejt punën. LDK-ja ende nuk e ka të qartë se kur duhet të shkojë në zgjedhje. Në momentin që kërkon dialog, kërkon afat kohor dhe pajtueshmëri të të gjitha palëve për shkuarje në zgjedhje, i jep kohë vetes më shumë dhe e vonon mocionin. Nuk jam i sigurt se LDK-ja është shumë serioze në kuptimin e rrëzimit të Qeverisë në këtë moment, edhe pse është e vetmja prej partive që në zgjedhje do të mundë të korrte rezultat të fuqishëm”, ka përfunduar Gashi.