Asociacioni, brenda katër muajsh

Aktuale April 06, 2018 - 07:51
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Ultimatumi nga serbët dhe presioni nga Bashkimi Evropian për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe kanë bërë që institucionet e Kosovës t’i bëjnë hapat e parë për formimin e këtij Asociacioni. BE-ja e ka përshëndetur këtë veprim dhe ka thënë se statuti i AKS-së do të bëhet brenda katër muajsh, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se hartimi i statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do të përfundohet brenda katër muajsh.

Po ashtu zyrtarët e BE-së e kanë përshëndetur vendimin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe të kryeministrit Ramush Haradinaj për t’i krijuar “strukturat e reja gjithëpërfshirëse për Asociacionin”.

LEXO EDHE: Katër ministri pa 'zot shtëpie'

Këto struktura përbëhen nga tre mekanizma punues: Ekipi menaxhues, komiteti zbatues si dhe grupi nacional konsultativ.

Sipas Qeverisë, këta mekanizma do të garantojnë përfshirje të të gjithë spektrit politik, shoqërisë civile dhe të mekanizmave të tjerë relevantë të shoqërisë.

“Në këtë proces do të jenë të përfshirë edhe mekanizma ndërkombëtarë, të cilët e kanë ndihmuar Kosovën në të gjitha fazat dhe ky do të jetë një hap i rëndësishëm i Kosovës në rrugën e saj të integrimeve euroatlantike”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Ndërkohë, Bashkimi Evropiane ka përshëndetur këtë vendim të institucioneve të Kosovës.

“Procesi i hartimit të statutit ka filluar dhe do të bëhet brenda një afati kohor prej katër muajsh. Ky hap i shumëpritur lejon zbatimin e Marrëveshjes së Dialogut mbi shoqatën, komunitetin e Komunave me Shumicë Serbe, që është një detyrim të cilin Kosova e ndërmori në dialogun e lehtësuar të BE-së, në marrëveshjet e Brukselit të prillit 2013 dhe të gushtit 2015”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Më tej BE-ja thekson se do t’i ftojë kryenegociatorët nga Beogradi dhe Prishtina, ekipet e tyre, ekipin drejtues dhe ekspertët teknikë për diskutime në Bruksel për t'u angazhuar në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim në procesin e hartimit

Lista Serbe nuk e pranon nismën e Qeverisë për Asociacionin

Për themelimin e Asociacionit apo të Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe janë të vlefshme vetëm marrëveshjet e arritura në Bruksel, ka deklaruar Lista Serbe.

Në një komunikatë për medie të këtij subjekti politik, që përfaqëson serbët në institucionet e Kosovës, është thënë se për Listën Serbe janë të papranueshme “disa akte që shërbejnë për përdorim të brendshëm”.

Sipas Listës Serbe, për draftimin e statutit të Asociacionit “i vetmi që ka kompetencë është ekipi menaxhues i përbërë nga katër përfaqësues të serbëve, në përputhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel”.

Gjithashtu në këtë komunikatë thuhet se Lista Serbe dhe Qeveria e Serbisë janë skeptike dhe pesimiste, sepse “në Prishtinë nuk ka vullnet të vërtetë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes dhe për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe”.

“Aktivitetet që po paralajmërohen kanë efektin e kinse përpjekjes së përfaqësuesve të shqiptarëve në mënyrë që të zvogëlojnë presionin ndërkombëtar pa ndonjë dëshirë që Marrëveshja e Brukselit të realizohet konkretisht”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.

Ibrahimi: Duhet të formohet një grup punues për Asociacionin

Sazan Ibrahimi, drejtor i Asociacionit të Komunave të Kosovës, për “Zërin” ka thënë që AKS-ja duhet të formohet pasi është obligim ndërkombëtar.

“Asociacioni i Komunave Serbe është i paraparë me marrëveshjen ndërkombëtare të vitit 2013 dhe institucionet e Kosovës duhet t’i përmbahen asaj marrëveshjeje. Duhet po ashtu të formohet një grup punues që duhet të merret me hartimin e statusit, sepse është obligim ndërkombëtar që shteti i Kosovës e ka marrë”, ka deklaruar Ibrahimi, duke thënë më tej se duhet pasur kujdes që të gjatë hartimit të statutit të mos tejkalohen kompetencat.

Duke folur për ultimatumin e shtetit serb, që do të formojnë këtë asociacion më 20 prill, ai thotë që kjo qasje e tyre nuk është serioze.

“Serbët mund të marrin vendime kokë më vete, ata kanë marrë edhe më parë vendime të tilla, mirëpo pastaj janë kthyer përsëri kah vendimet e institucioneve të Kosovës, kështu që nuk e shoh ndonjë gjë të madhe që ata kanë dhënë afat deri më 20 prill për formimin e Asociacionit. Nuk e shoh si shumë serioze këtë qasje, pasi që këtyre kërcënimeve u ka kaluar koha, tash është koha e dialogut”, ka theksuar ai.

Haxhiu: Haradinaj duhet të zmbrapset nga krijimi i “Zajednicës”

Deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, për “Zërin” ka thënë që kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj duhet të zmbrapset nga cilido vendim që ka për qëllim krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Ne konsiderojmë që duhet të zmbrapset Haradinaj nga secila tendencë për krijimin e ‘Zajednicës’, e cila e dëmton Kosovën dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje sa më parë për faktin se Haradinaj po gabon rëndë me këto vendime të dëmshme sikur bëri me Demarkacionin. Qytetarët kanë nevojë për një qeveri që mbron pikë së pari interesat e tyre”, ka thënë Haxhiu.

Ndërsa lidhur me sinjalet të shtetit serb që do të formojnë njëanshëm Asociacionin e Komunave Serbe, Haxhiu ka thënë që Qeveria e Kosovës është treguar e butë me këto qëndrime.

“Ka pasur zëra që ‘Zajednica’ do të krijohet njëanshëm, por në anën tjetër ka pasur një qëndrim jashtëzakonisht të butë të qeverisë ‘Haradinaj’, siç duket kryeministri nuk e ka hallin fare tek interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, por vetëm tek karrigia e kryeministrit”, ka theksuar ajo.

Mushkolaj: 20 prilli është vetëm presion ndaj Kosovës

Duke folur për ultimatumin e serbëve që nëse nuk  krijohet Asociacionin deri më 20 prill atë do ta bëjnë vetë serbët, Mushkolaj ka thënë se serbët po mundohen që të ushtrojnë presion mbi institucionet e Kosovës që ta përmbushin qëllimin e tyre.

“Serbia 20 prillin po e përdor si presion, sepse ai veprim do të jetë i pavlefshëm juridikisht, kështu që serbët më shumë janë të interesuar që nëpërmjet edhe ekipit që u fuqizua dje nga presidenti dhe kryeministri të provojnë ta arrijnë qëllimin e tyre, respektivisht ta realizojnë Marrëveshjen e arritur në Bruksel për Asociacionin e Komunave Serbe”, ka thënë Mushkolaj.

Sipas Mushkolajt, serbëve nuk u konvenon që të formojnë Asociacionin në mënyrë ilegale, pasi që institucionet e Kosovës nuk e pranojnë një gjë të tillë.

“Ata mund ta mbajnë një mbledhje, por nuk besoj se do ta krijojnë ose edhe nëse e krijojnë nuk do të ketë efekt juridik dhe nuk do të mundë të funksionojë ndryshe”, ka theksuar Mushkolaj.

Sipas tij, serbët nuk janë të interesuar që të themelojnë organizata ose institucione ilegale, por janë të interesuar të marrin sa më shumë që të munden nga institucionet e Kosovës.