Katër ministri pa 'zot shtëpie'

Aktuale April 06, 2018 - 07:45
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Katër ministri në Qeverinë e Kosovës kanë mbetur pa ministra. Tri që janë drejtuar nga Lista Serbe, si dhe Ministria e Brendshme pas dorëheqjes së Flamur Sefajt. Për postin e ministrit të Brendshëm po lakohen dy emra: Florian Qehaja dhe Fatmir Matoshi, shkruan sot Gazeta "Zëir". 

Pas daljes së Listës Serbe nga Qeveria dhe pas dorëheqjes së ministrit të Brendshëm, Flamur Sefaj, kanë mbetur pa udhëheqës katër dikastere qeveritare.

LEXO EDHE: Delawie: Këtë vit epilogu i dialogut

Ministria për Komunitete dhe Kthim (Dalibor Jevtiq), Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (Ivan Todosijeviq) dhe ajo e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (Nenad Rikallo) kanë mbetur pa ministra pasi drejtuesit e tyre tashmë janë larguar nga Qeveria (deklarativisht).

Pa drejtues aktualisht është edhe Ministria e Punëve të Brendshme, e cila deri më tash drejtohej nga ministri i AKR-së, Flamur Sefaj. 

Sa i përket emërimit të ministrit të ardhshëm në MPB, nga AKR-ja kanë thënë se ende nuk dihet se kush dhe kur do të vijë në këtë pozitë.

Ndërkohë, sa i takon Listës Serbe, përfaqësuesit e koalicionit kanë vlerësuar se LS-ja vazhdon të jetë në qeverisje pasi zyrtarisht ende nuk është dorëhequr.

Madje ata janë shprehur të bindur se koalicioni do të vazhdojë të funksionojë si duhet edhe më tej.

Ndërkohë, pavarësisht faktit që LS-ja ka deklaruar të kundërtën dhe koalicioni tashmë ka vetëm 53 numra në Kuvend, zyrtarë të Qeverisë kanë njoftuar për “Zërin” se nuk do të ketë riformatim.

Qeveria: S’ka riformatim, LS-ja do ta rishqyrtojë pozicionin e saj

Të pyetur se si do të funksionojë tash e tutje koalicioni qeverisës pas largimit të Listës Serbe, nga Qeveria janë shprehur optimistë se LS-ja do ta rishqyrtojë vendimin e marrë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës beson që Lista Serbe do ta rishqyrtojë me kujdes pozicionin e saj”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim dhënë “Zërit”.

Ndërkohë, ani pse koalicioni qeverisës tashmë nuk e ka as shumicën minimale në Kuvend, nga Qeveria kanë njoftuar se nuk pritet të ketë kurrfarë riformatimi.

“Nuk pritet riformatimi i Qeverisë dhe nuk ka ende asgjë konkrete”, thuhet më tej.

Ndërkohë sa i përket ministrit të ri të Punëve të Brendshme, zyrtarë të ekzekutivit kanë thënë se një gjë e tillë është çështje të cilën do ta diskutojnë partnerët e koalicionit.

Ministri i Brendshëm, lakohet emri i Qehajës dhe i Matoshit

Për postin e ministrit të Brendshëm brenda AKR-së po lakohen dy emra: Florian Qehaja, ekspert i çështjeve të sigurisë, si dhe Fatmir Matoshi, kryetar i Kuvendit të AKR-së dhe njëherësh zëvendësministër i Mjedisit.

Megjithëkëtë, Matoshi ka thënë se ende nuk ka diçka zyrtare sa i përket emërimit të ministrit të MPB-së. Por, ai është shprehur i vendosur se pasardhësi i Sefajt do të jetë nga AKR-ja e assesi nga ndonjë parti tjetër.

“Jo, nuk kemi diskutuar ende, mund të kenë mbërritur propozimet te presidenti Pacolli, por ende nuk e kemi diskutuar, vendos presidenti”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Ndërkohë i pyetur nëse Florian Qehaja, i cili aktualisht është drejtor i QKSS-së, është njëri ndër emrat potencialë për të ardhur në këtë pozitë, Matoshi ka mohuar të jetë në dijeni për një të tillë çështjeje.

“Nuk kam asnjë informacion për këtë”, ka thënë ai, ndonëse në medie gjatë ditës së djeshme është lakuar emri i Qehajës.  

Por pavarësisht Matoshit, Rrahim Pacolli, sekretar i AKR-së, ka thënë se ka gjasa që emri i Qehajës të diskutohet në mbledhjet e partisë lidhur me kryesimin e MPB-së.

“Edhe unë do të isha pro për këtë, personalisht. Edhe pse nuk e njoh, mendoj që është në rregull. Kam simpati për babanë e tij, ka qenë në AKR dhe ka qenë shumë aktivist i mirë, ka qenë edhe në Kryesi. Megjithatë, ende s’kemi diçka zyrtare. Nuk është përmendur akoma, por sot është mbledhja dhe ndoshta përmendet”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Ndërkohë, “Zëri” ka tentuar të kontaktojë edhe me Florian Qehajën, por ai nuk është përgjigjur në telefon e as ka kthyer përgjigje me shkrim.

Haliti: Nuk ka interesim për ta rrëzuar Qeverinë

Duke folur rreth funksionimit të koalicionit dhe mundësisë së zgjedhjeve të parakohshme, deputeti i PDK-së Xhavit Haliti ka thënë se deklaratat për zgjedhje nuk janë serioze.

“Nëse dikush do ta rrëzojë Qeverinë janë praktikat demokratike, siç ka ndodhur në vendet e tjera. Por duhet të fillojnë procedurat nëse mendojnë se do t’ia arrijnë. Nëse jo, atëherë është diçka tjetër. Por aq sa po shoh nuk ka ndonjë interesim për ta rrëzuar Qeverinë. Ka shumë deklarata, por aktualisht nuk ka asnjë nismë”, ka deklaruar Haliti.

Ndërkohë sa i përket daljes së Listës Serbe nga Qeveria, Haliti ka thënë se ende nuk ka asgjë zyrtare në këtë drejtim.

Se Lista Serbe nuk do ta braktisë Qeverinë ka konsideruar edhe njohësi i çështjeve politike Imer Mushkolaj. Kjo pasi, sipas tij, në rrethanat e tanishme LS-ja shpreson se do të diskutohet për çështjen e Asociacionit.

Pos LS-së, Mushkolaj ka thënë se dalja nga Qeveria nuk i shkon në favor as AKR-së, pavarësisht shkarkimit të ministrit të MPB-së.

“AKR-ja do të qëndrojë në Qeveri, AKR-ja e di që është në interesin e saj të qëndrojë në këtë qeveri, e di që me aq pak vota sa ka fituar e ka një pjesë të madhe të Qeverisë”, është shprehur ai.

Kadriaj: Votat do të jenë në Kuvend

Ndërkaq deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, është shprehur optimiste se koalicioni do të vazhdojë punën pa asnjë problem, ani pse nuk i ka numrat e mjaftueshëm. 

“Me rëndësi është që votat do të jenë në Kuvend, sepse shumë deputetë individualisht për shkak të situatës që është kanë premtuar përkrahje me votë në projektligje të ndryshme e për marrëveshje të ndryshme. Tash për tash kjo është situata”, është shprehur ajo.

E sa u përket zgjedhjeve të parakohshme, deputetja e AAK-së ka thënë se në rast se kryeministri Haradinaj është i gatshëm në këtë drejtim, atëherë i tërë subjekti s’ka pse heziton për një çështje të tillë.

“Nëse ka thënë kryeministri që situata është që duhet shkuar në zgjedhje, atëherë edhe ne s’kemi pse të hezitojmë të shkojmë në zgjedhje, sepse ju e dini që në zgjedhjet e fundit lokale kemi dalë partia që kemi marrë 7 komuna, kemi një elektoral stabil, nuk e kemi asnjë mëdyshje e as frikë prej zgjedhjeve, por sigurisht që duhet të ketë një konsensus”, ka theksuar ajo.