Thaçi vonon emërimin e anëtarëve të KQZ-së

Aktuale April 03, 2018 - 08:18
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është vonuar në emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së dhe kështu ky institucion tashmë është pa mandat. Përbërja e re e KQZ-së duhet ta reflektojë fuqinë e grupeve parlamentare të dala nga zgjedhjet e fundit, megjithatë Thaçi ka kërkuar nga Kuvendi që ta informojë atë lidhur me grupet parlamentare, shkruan sot Gazeta ''Zëri''

60 ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të duhej të bëhej me përbërje të re, por pasi vendi po hynte në zgjedhje lokale presidenti Hashim Thaçi ia ka vazhduar mandatin asaj përbërjeje.

Megjithatë, që nga java e kaluar anëtarët e KQZ-së janë pa mandat. Përgjegjës për këtë është presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili deri më tani nuk u ka kërkuar partive politike që t’i japin emrat e kandidatëve për anëtarë të KQZ-së, shkruan më tutje "Zëri".

Sipas Kushtetutës përbërja e KQZ-së duhet ta reflektojë rezultatin zgjedhjeve, pra në bazë të fuqisë që kanë grupet parlamentare në Kuvend.

Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve lëviza “Vetëvendosje” duhet t’i ketë dy përfaqësues në KQZ.

LEXO EDHE: Paralajmërohet draftim i shpejtë i statutit të Asociacionit

Nga dy përfaqësues duhet t’i kenë edhe LDK-ja dhe koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN), kurse pakicat do t’i kenë 4 përfaqësues.

Megjithatë i pari i shtetit Hashim Thaçi i është drejtuar Kuvendit të Kosovës për ta informuar atë rreth grupeve parlamentare.

Dërgimin e një shkrese të tillë e ka konfirmuar për Zërin sekretari i Kuvendit të Kosovës Ismet Krasniqi, por që nuk ka folur për përmbajtjen e kësaj shkrese.

“Shkresa është adresuar në emër të kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Nuk jam në dijeni për përmbajtjen e saj”, ka thënë shkurt Krasniqi.

Rrustemi: Vonesa e emërimit të anëtarëve të KQZ-së, politike

Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ-së nga radhët e “Vetëvendosjes”, ka thënë për “Zërin” se presidenti Hashim Thaçi mban përgjegjësi për këtë vonesë.

“Në bazë të Kushtetutës anëtarët e KQZ-së do të duhej të emëroheshin 60 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve të 11 qershorit, megjithëkëtë për shkak të zgjedhjeve lokale ishte arsyetuar kjo vonesë dhe ishte zgjatur kjo periudhë, por tanimë jemi jashtë afateve të mundshme dhe presidenti mban përgjegjësinë kushtetuese dhe ligjore duke zvarritur emërimin e anëtarëve të KQZ-së”, ka thënë Rrustemi.

Ai po ashtu ka thënë se zvarritja e këtij procesi po bëhet për shkaqe politike, pasi do të ndryshojë përfaqësimi i partive politike në këtë institucion.

“Presidenti po e zvarrit politikisht këtë proces dhe kjo ndërlidhet me faktin që pas zgjedhjeve të 11 qershorit përbërja e KQZ-së ndryshon drastikisht, sepse në bazë të këtyre zgjedhjeve tanimë ndarja ose përbërja e KQZ-së përbëhet nga rezultati i këtyre zgjedhjeve. Grupet parlamentare të dala nga zgjedhjet do t’i kenë nga dy anëtarë, kjo nënkupton që PDK-ja nuk do t’i ketë 2 anëtarë, siç i kishte deri më tani, në ndërkohë lëvizja ‘Vetëvendosje’ do t’i ketë dy”, ka theksuar Rrustemi.

Ndërsa duke folur për shkresën që presidenti i vendit i ka dërguar Kuvendit të Kosovës, ai ka thënë që kjo po bëhet si përpjekje për ta zvarritur këtë proces.

Dushi: Vonesat po ndodhin për çështje teknike

Kurse ish-anëtari i KQZ-së nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Florian Dushi, thotë se kjo vonesë ndoshta po ndodh për shkak të procedurave teknike.

“Është hera e parë që nga pavarësia e Kosovës që mbetemi vonë në këtë proces, pavarësisht se nuk është një vonesë e madhe, megjithatë jemi me një KQZ të pamandat në këtë fazë. Ndoshta kjo po ndodh për shkak të procedurave teknike, pritet të finalizohet kjo çështje”, ka thënë Dushi për “Zërin”.

Ai më tej ka thënë se askush nuk duhet të bëjë kalkulime në llogari të KQZ-së.

“KQZ-ja nuk është institucion që dikush do të duhej të bëjë matematika në llogari të këtij institucioni. Unë besoj se formula e ndarjes së vendeve është e dhënë në Kushtetutën e Kosovës shumë saktë, prandaj vonesat e tilla mund t’i mirëkuptoj dhe po ndodhin vetëm për aspekte procedurale dhe jo për ndonjë arsye tjetër”, ka thënë ai.

Cakolli: Përbërja e re e KQZ-së, arsyeja e vonesës

Ndërsa hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, vlerëson se arsyeja kryesore për këtë zvarritje është hezitimi i presidentit për t’i emëruar anëtarët e rinj pasi përbërja e re e KQZ-së do ta reflektojë fuqinë politike të subjekteve të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit.

“Tanimë kur anëtarët e këtij komisioni janë edhe zyrtarisht pa mandat, ende nuk janë ndërmarrë hapa konkretë për emërimin e anëtarëve të rinj. Si faktor kryesor për një vonesë të tillë vlerësoj se është hezitimi i presidentit për t’i emëruar anëtarët e rinj, duke qenë se përbërja e re e KQZ-së do ta reflektojë fuqinë politike të subjekteve të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit. Pra, koalicioni PAN, lëvizja “Vetëvendosje” dhe koalicioni LAA do të duhej të jenë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë, gjegjësisht me nga 2 anëtarë secila”, ka thënë ai për “Zërin”.

Ai ka thënë që kjo vonesë mund të ndikojë po ashtu në paralizimin e punës së KQZ-së, me ç’rast u shpreh pesimist se ky proces mund të finalizohet së shpejti.

“Kjo vonesë mund të ndikojë gjithashtu në paralizimin e punës së KQZ-së, duke qenë se tashmë ky komision nuk mund ta marrë asnjë vendim. Ndonëse ditëve të fundit ka pasur deklarime nga Presidenca se u është dërguar shkresë grupeve parlamentare lidhur me këtë çështje, pres që kjo çështje të zvarritet edhe për disa kohë”, ka theksuar Cakolli.