Paralajmërohet draftim i shpejtë i statutit të Asociacionit

Aktuale April 03, 2018 - 08:09
Kërkesat e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian për themelimin urgjent të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duket që kanë shtyrë krerët e shtetit t’i bëjnë hapat e parë për draftimin e statutit të këtij Asociacioni. Megjithatë ende nuk ka filluar përgatitja e draftit, shkruan sot Gazeta ''Zëri''

Presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj ditë më parë kanë diskutuar për formimin e një grupi punues, i cili do të merret me draftimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Megjithatë, bëhet e ditur se ende nuk ka filluar përgatitja e draftit të Asociacionit, shkruan më tutje "Zëri".

Qeveria e Kosovës thotë se drafti do të përgatitet duke respektuar plotësisht Kushtetutën e vendit, ndërkohë Lista Serbe ka vënë ultimatum që Asociacioni të formohet deri më 19 prill në të kundërtën, sipas drejtuesve të kësaj partie, serbët njëanshëm më 20 prill do ta formojnë Asociacionin.

LEXO EDHE: Shpresojnë në kthimin e Listës Serbe

Njohësit e Kushtetutës thonë se në përpilimin e statutit të Asociacionit nuk duhet të merren parasysh kërkesat e Listës Serbe.

Qeveria: Së shpejti do të fillojë draftimi

Zyrtarë për informim nga Zyra e Kryeministrit kanë deklaruar për Zërin se së shpejti do të fillojë draftimi i statutit të Asociacionit.

“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në të cilën Asociacioni pati shkelje në 22 nene, ka mbetur rishikimi i këtij procesi dhe pritet që në një të ardhme të afërt të fillojë draftimi i statutit të Asociacionit. Qeveria e kaluar ka krijuar një ekip menaxherial, i cili ka për detyrë ta bëjë një gjë të tillë posa t’i marrë udhëzimet nga Qeveria e Kosovës. Deri në këto momente që po flasim nuk ka një nismë konkrete për këtë gjë”, thuhet në një përgjigje.

Sipas tyre, Kushtetuta e Republikës së Kosovës është referenca e vetme për draftimin e statutit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka as mandat dhe as vullnet të veprojë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit”, thuhet më tej.

Edhe shefi i negociatave me Serbinë, Avni Arifi, ka thënë për “Zërin” se dritën jeshile për draftimin e statutit do ta japë Qeveria.

“Deri sot nuk ka ndonjë zhvillim. Dritën jeshile për draftimin e statutit e jep Qeveria dhe atë e implementon ekipi menaxhues i krijuar në Qeverinë e kaluar. Qeveria nuk jep asnjë dekret për çështje që nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës”, ka thënë ai.

Komisioni për Punë të Jashtme nuk ka informata për draftin

Zëvendëskryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, Time Kadrijaj, ka thënë për “Zërin” se nuk kanë ndonjë material në lidhje me atë se çfarë do të përmbajë ky draft.

“Nuk kemi informacione, nuk kemi material se çfarë do të përmbajë drafti. Në ditët në vazhdim ne edhe si Komision i Punëve të Jashtme, edhe si deputetë do ta kemi atë draft”, ka thënë ajo.

Sipas saj, duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me draftin e ri për Asociacionin.

“Asociacioni duhet të jetë konform vendimit që ka marrë Gjykata Kushtetuese. Jashtë kësaj mendoj që deputetët nuk duhet të votojnë, duhet ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe konform vendimit duhet të hartohet drafti”, ka theksuar ajo.

Kurteshi: Thaçi të mos merret me statutin e Asociacionit

Deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Ismail Kurteshi, ka thënë se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në mënyrë të fshehtë ka shkuar në Bruksel.

“Thaçi më datën 23 pa asnjë lloj informacioni ka shkuar në mënyrë të fshehur pa ditur asgjë se çfarë po bëhet. Ky është edhe një gabim, edhe vendim i dëmshëm për vendin, sepse po vazhdohet me marrjen e vendimeve nga një person i cili ka dëshmuar në të kaluarën se me vendimet që i ka marrë e të cilat edhe kanë qenë shumë të dëmshme për vendin dhe tash po vazhdon këtë praktikë e cila do të duhej të ndërpritej menjëherë”, ka thënë ai duke treguar po ashtu se nuk kanë asnjë informacion për atë se çfarë do të përmbajë drafti i ri për Asociacionin.

Kurteshi ka deklaruar se njëherë duhet të ndërpriten bisedimet me Serbinë dhe të bëhet një platformë e re e bisedimeve.

“Të bëhet një platformë e bisedimeve, të merren vendime për çfarë duhet biseduar dhe ku duhet arritur me ato bisedime, pastaj të bëhet ekipi, por në asnjë mënyrë presidenti i vendit të merret me hartimin e statutit të Asociacionit dhe as t’i udhëheqë bisedimet. Ne nuk duhet ta harrojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se Asociacioni nuk duhet të lihet ndryshe nga asociacione ekzistuese në Kosovë”, ka theksuar ai.

Në anën tjetër, deputetja e Alternativës Mimoza Kusari ka thënë se nuk ka informata rreth draftit të statutit të Asociacionit. Madje ka thënë se nuk e di nëse përmbajtja e draftit do të diskutohet me partitë politike.

“Ne nuk kemi asnjë informatë nëse do të diskutohet kjo gjë me partitë politike”, ka theksuar ajo.

Baraliu: Drafti të mos bëhet sipas kërkesave të Listës Serbe

Analisti i çështjeve politike dhe kushtetuese Mazllum Baraliu ka thënë se drafti nuk duhet të bëhet sipas kërkesave të Listës Serbe.

“Nuk do të duhej të bëhej nga kërkesat e Listës Serbe. Është marrëveshja e prillit të vitit 2013 në lidhje me këtë dhe është marrëveshja tjetër që është kontestuar nga Gjykata Kushtetuese në 23 pika të saj. Lista serbe dhe Beogradi ka kërkesë të mos merret parasysh vendimi i Gjykatës”, ka thënë ai.

Sipas Baraliut, Presidenca nuk duhet të merret me draftin e ri për Asociacionin, por duhet të punohet nga një grup i veçantë.

“Nuk është çështje e Presidencës të merret me atë punë. Qeveria ka qenë atje në biseda dhe e ka pranuar, nënshkruar marrëveshjen. Tani kjo është refleksion i bisedave të Vuçiqit dhe Thaçit. Presidenca nuk e ka rolin normativ aq më tepër të një statuti dhe nuk do të duhej të merrej me këtë, por do të duhej inkorporuar të gjitha pushtetet dhe institucionet në mënyrë që të ketë një punë ekipore. Ai statut është paraparë edhe me ligj, edhe me marrëveshje në Bruksel që të punohet nga një grup i veçantë”, ka thënë ai.