Shpresojnë në kthimin e Listës Serbe

Aktuale April 03, 2018 - 08:00
Shpresat në kthimin e Listës Serbe

Ndonëse deputetët e Listës Serbe javën e kaluar janë ulur në ulëset e opozitës në Kuvend, zyrtarët e Qeverisë ende shpresojnë se ministrat e partisë më të madhe serbe do ta vazhdojnë punën në ekzekutiv.

Halil Matoshi, këshilltar politik i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka deklaruar për gazetën Zëri se pret që Lista Serbe ta rishqyrtojë edhe një herë vendimin për t’u larguar nga Qeveria.

“Shpresoj që Lista Serbe do ta ketë një pozicion më racional dhe do ta rishqyrtojë vendimin e vet”, ka thënë Matoshi.

Matoshi madje nuk është përgjigjur nëse po planifikojnë t’i zëvendësojnë ministrat e Listës Serbe me arsyetimin se po presin që ky subjekt politik ta rishqyrtojë edhe një herë vendimin për dalje nga koalicioni qeverisës.

LEXO EDHE: Koalicioni, jofunksional

Gazeta Zëri ka bërë përpjekje të vazhdueshme që për këtë çështje t’i kontaktojë edhe drejtuesit e Listës Serbe, por këta të fundit nuk janë përgjigjur nëpërmjet telefonit. 

Në anën tjetër, përfaqësuesit e opozitës vlerësojnë se drejtuesit e Qeverisë do t’ia plotësojnë të gjitha kërkesat Listës Serbe në këmbim të kthimit të tyre në koalicion.

Haxhi Avdyli, deputet i LDK-së, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se Lista Serbe po tenton të përfitojë politikisht nga kjo situatë, duke e dëmtuar Kosovën.

“Më keq se dorëheqja, unë e shoh kushtëzimin e tyre ndaj Qeverisë. Në këtë Qeveri të brishtë me 61 numra Lista Serbe është faktori krucial për mbajtjen në këmbë të saj. Kjo Qeveri ekzistencën e saj e bazon në Listën Serbe dhe këta të fundit duke e kuptuar këtë rol po bëjnë kushtëzime për të përfituar politikisht”, ka thënë Avdyli.  

Sipas tij, qeveria “Haradinaj” domosdoshmërisht do të detyrohet të lëshojë pe para Listës Serbe.

“Kjo qeveri doemos do të detyrohet të lëshojë pe para Listës Serbe për t’i rikthyer ata, por ky rikthim i tyre do të ketë një çmim të lartë për Kosovën. Në këtë drejtim ne si opozitë do ta vështrojmë me kujdes se çfarë çmimi po paguan kjo qeveri për Listën Serbe”, ka thënë ai.

Ndërsa njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, ka thënë se largimi i Listës Serbe është politik dhe se ky subjekt po pret presionin ndërkombëtar që kjo e fundit të qëndrojë në Qeveri duke qenë se, siç ka thënë ai, bashkësia ndërkombëtare nuk është e interesuar për ngërçe politike e as zgjedhje të jashtëzakonshme.

Edhe Rasim Alija, nga Demokracia për Zhvillim (D4D), ka thënë për “Zërin” se deklarimet e Listës Serbe për t’u larguar përfundimisht nga koalicioni qeverisës janë qasje e tyre strategjike, e dirigjuar nga Beogradi.

“Nga Lista Serbe nuk pritet ndonjë qasje konstruktive. Deklarimet e tilla dhe mosdhënia e dorëheqjeve janë vetëm strategjia e radhës. Gjatë secilit mandat qeverisës Lista Serbe ka qenë aty për ta shtyrë përpara agjendën e Beogradit e jo të serbëve të Kosovës, gjë për të cilën i kanë marrë votat”, ka thënë ai.

Alija ka theksuar se Qeveria mund të funksionojë edhe pa Listën Serbe, mirëpo, sipas tij, largimi i tyre nga Qeveria do t’i bëjë të pashmangshme zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Qeveria mund të funksionojë edhe pa Listën Serbe, por shumë më e brishtë dhe pa stabilitet institucional. Në rrethana të tilla zgjedhjet e reja ose një qeveri teknike me mandat gjashtëmujor duken të jenë të pakapërcyeshme”, ka përfunduar Alija.