Opozita s’e do Qeverinë

Aktuale March 29, 2018 - 07:45

Asnjë nga partitë opozitare nuk janë të interesuara ta rrëzojnë qeverinë “Haradinaj” edhe pas largimit të Listës Serbe nga koalicioni. Është rast i rrallë kur Qeveria nuk e ka shumicën në Parlament dhe opozita s’ka interes ta rrëzojë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Partitë opozitare kanë vendosur që të mos e kërkojnë rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” pa marrë parasysh faktin që kjo nuk e ka më shumicën në Kuvend, pasi që me largimin e Listës Serbe koalicioni qeverisës i ka vetëm 53 deputetë.

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka deklaruar se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje dhe dorëheqjen e tij nuk e kanë ndërmend ta kërkojnë as partitë opozitare.

Deputetë të partisë më të madhe opozitare të Lidhjes Demokratike për Kosovën (LDK) kanë deklaruar për gazetën “Zëri” se nuk do ta rrëzojnë Qeverinë, ndonëse kjo duhet vetë të largohet. Edhe deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje” janë të vendosur për mosrrëzim të ekzekutivit të vendit. Po ashtu edhe Grupi i Deputetëve të Pavarur ka thënë se nuk do të kërkojë rrëzimin e saj dhe se nuk do ta pengojë atë në punë. Për më shumë, analistë të çështjeve politike vlerësojnë se derisa opozita nuk është e interesuar ta rrëzojë Qeverinë në këtë moment ideal pas largimit të Listës Serbe ekzekutivi i vendit do ta vazhdojë punën si zakonisht.

LEXO EDHE: Ultimatum trejavor për “Zajednicën”

Qeveria: Do të vazhdojmë edhe pa Listën Serbe

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka deklaruar të martën se nuk e ka plan të japë dorëheqje, ndonëse partneri i koalicionit Lista Serbe kishte njoftuar largimin nga ekzekutivi pas arrestimit të Marko Gjuriqit nga Policia e Kosovës të hënën. Sipas tij, Qeveria do të vazhdojë të punojë seriozisht. “Dorëheqje nuk e kam në plan të jap. Punën e kam në plan ta vazhdoj seriozisht. Ata që e përkrahin punën e Qeverisë i përkrahi, ata që shkojnë, hyjnë dhe dalin nuk kam ndonjë mendim tjetër për ta”, ka thënë ai.

Zëri” ka kontaktuar edhe me zyrtarë për informim në Zyrën e Kryeministrit në lidhje me mënyrën se si do të funksionojë Qeveria pas largimit të Listës Serbe, ndërsa ata kanë thënë se është herët për të dhënë konkluzione për situatën. “Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se është ende herët për të dhënë konkluzione për situatën. Besojmë që në ditët dhe në javët e ardhshme do të ketë qartësime dhe opinioni do të njoftohet me kohë”, thuhet në një përgjigje për “Zërin”.

LDK: Ne nuk e rrëzojmë Qeverinë, të rrëzohet vetë

Haxhi Avdyli, deputet nga radhët e LDK-së, ka thënë për “Zërin” se pas daljes së Listës Serbe nga koalicioni kryeministri është dashur të bisedojë për zgjedhje të reja të parakohshme dhe të japë dorëheqje, ndonëse LDK-ja nuk është duke e rrëzuar atë.

“LDK-ja vepron në drejtim të interesave të qytetarëve. Çdo qeveri e cila nuk i ka 61 numra do të duhej që vetë të rrëzohej. Nuk është që ne po e rrëzojmë, por ajo vetë duhet të rrëzohet. Është dashur kryeministri ta shfrytëzojë mundësinë të bisedojë për zgjedhje të lira dhe jo të thotë unë nuk jap dorëheqje, unë punoj sepse nuk mund të punosh me 50 deputetë”, ka theksuar ai.

Sipas Avdylit, Qeveria duhet ta shqyrtojë mundësinë e zgjedhjeve. “Dihet sa është shumica, por normalisht ne konform situatës do të veprojmë dhe kjo Qeveri e ka humbur dinjitetin e saj, prandaj duhet ta shqyrtojë mundësinë e gjetjes së një konsensusi mbarëpartiak për një datë të saktë të zgjedhjeve, e cila pritet të bëhet në bazë të marrëveshjes, por gjithmonë në kontakt me të gjitha partitë për të qetësuar situatën dhe për gjetjen e një kohe të përshtatshme të zgjedhjeve”, ka thënë ai.

“Vetëvendosja” e vendosur: Nuk do ta kërkojmë rrëzimin e Qeverisë

Deputeti i “Vetëvendosjes” Ismajl Kurteshi ka thënë për “Zërin” se Lëvizja nuk do ta shfrytëzojë momentin e largimit të Listës Serbe për ta rrëzuar Qeverinë. Sipas tij, edhe nëse partitë tjera në opozitë do të kërkonin rrëzimin e Qeverisë “Vetëvendosja” nuk do t’u bashkohej atyre.

“Jo, ‘Vetëvendosja’ nuk do ta shfrytëzojë këtë situatë që Lista Serbe ka dalë nga Qeveria. Ky është qëndrimi i ‘Vetëvendosjes’ që është qëndrim i pavarur nga të tjerët. Ne vendosim për qëndrimet tona pavarësisht se çfarë thonë partitë tjera. Ne për këtë arsye nuk kërkojmë rrëzimin e Qeverisë”, ka thënë ai

Kurteshi ka deklaruar se Qeveria mund të funksionojë edhe pa Listën Serbe. “Qeveritë funksionojnë edhe me pakicë për kohë të caktuara dhe varet nga veprimet që i bëjnë. Lista Serbe nuk e motivon ‘Vetëvendosjen’ që ta kërkojë rrëzimin e Qeverisë”, ka theksuar ai.

Salihu: Për GDP-në Qeveria mund ta vazhdojë punën

Grupi i Pavarur i Deputetëve po ashtu ka mohuar mundësinë e rrëzimit të Qeverisë.

Deputeti Salih Salihu ka deklaruar për “Zërin” se as ky grup parlamentar nuk do ta kërkojë rrëzimin e Qeverisë. “Jo nuk kemi ndërmend ta rrëzojmë këtë Qeveri. Do të bëjmë bisedime përsëri për ngjarjet që krijohen sepse të gjitha vendimet i marrim të gjithë bashkë”, ka thënë ai.

Salihu ka deklaruar se do ta mbajnë këtë Qeveri pasi Lista Serbe është duke e penguar.

“Nuk duhet ta lëmë këtë Qeveri keq pasi Lista Serbe po shihet që është duke e penguar. Këtë Qeveri duhet ta mbajmë edhe pse ka bërë dëme shumë, sidomos në votimin e Demarkacionit”, ka theksuar ai.

Vuçiq: Qeveria e Kosovës nuk do të rrëzohet

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në një intervistë për televizionin serb pas takimit me përfaqësuesen e lartë Federica Mogherini ka deklaruar se ndonëse Lista Serbe ka mbetur në opozitë Qeveria e Kosovës nuk do të rrëzohet. Sipas tij, Lista Serbe duke qëndruar në opozitë do të luftojë për serbët në Kosovë, ndërsa për këtë serbët do të marrin ndihmë edhe nga shteti i Serbisë. “Nuk mendojmë që Qeveria në Prishtinë do të bjerë. Nuk do të bjerë pasi kur bëhet fjalë për daljen kundër serbëve të gjithë shqiptarët do të bëhen bashkë, për dallim nga serbët të cilët asnjëherë nuk do të bashkohen pasi nuk u vjen keq për Gjuriqin, as për Vuçiqin në Srebrenicë e as nuk u vjen rëndë për diçka të tillë”, ka thënë ai.

Tahiri: Qeveria është e qëndrueshme

Analisti politik Ramush Tahiri ka thënë për “Zërin” se derisa “Vetëvendosja” dhe GDP-ja nuk do ta rrëzojnë Qeverinë, kjo do të punojë normalisht. “Përderisa partitë e tjera, në këtë rast ‘Vetëvendosja’, të dyja grupet edhe deputetët e pavarur, edhe ‘Vetëvendosja’, nuk do të jenë pjesë e skenarit të Listës Serbe dhe nuk do ta rrëzojnë Qeverinë në këtë kohë, atëherë kjo Qeveri punon normalisht sepse ligjet miratohen edhe me më pak vota me Kushtetutë e me Rregullore dhe me rëndësi është të jenë të pranishëm 61 deputetë. Ajo mund të funksionojë në partneritet konstruktiv”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe pse Qeveria nuk do të rrëzohet ajo është e qëndrueshme. “Nuk i ka 61 votat e nevojshme në Kuvend për të qenë qeveri stabile, minimalisht stabile. 61 vota janë më shumë se gjysma e gjithë nga 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës. Kjo Qeveri funksionon pasi kryeministri Ramush Haradinaj u deklarua se nuk do të japë dorëheqje, sikur qeveri normale deri në mandatin e plotë dhe çdo punë e kërkon atë që thotë kryeministri në partneritet me partitë tjera në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai. /ZERI