Ultimatum trejavor për “Zajednicën”

Aktuale March 29, 2018 - 07:56

Nëse Prishtina zyrtare dhe shtetet perëndimore nuk e formojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe deri më 20 prill të këtij viti, atëherë këtë do ta bëjnë vetë përfaqësuesit serbë edhe me çmimin se do të arrestohen, Ky ishte ultimatumi që doli nga mbledhja e kryetarëve dhe këshilltarëve të dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila u mbajt dje në Mitrovicën Veriore, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Mbledhja ka pasur dy çështje në rend dite: e para ishte ajo për situatën politike dhe të sigurisë në veri të Kosovës dhe e dyta lidhur me raportimin e kryetarit të Listës Serbe Goran Rakiq pas takimit me presidenti e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Mbledhjes i janë përgjigjur 120 këshilltarë të komunave, nga 152 sa janë gjithsej.
Serbët deklaruan se Asociacioni i formuar në mënyrë të njëanshme nuk përbën shkelje, por zbatim të marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Por, Qeveria e Kosovës e ka kundërshtuar fuqishëm këtë iniciativë të Listës Serbe, duke thënë se asnjë nismë që nuk është e bazuar në ligjet dhe në procedurat demokratike të Republikës së Kosovës nuk do të implementohet dhe nuk do të respektohet nga ta.
Edhe njohësit e çështjeve politike të vendit e kanë kundërshtuar fuqishëm këtë gjë, duke e quajtur atë tendencë për krijim të një republike të re brenda Republikës së Kosovës.

LEXO EDHE: Opozita s’e do Qeverinë

Qeveria e Kosovës e dënon nismën e Listës Serbe

Qeveria e Kosovës e ka dënuar iniciativën e Listës Serbe për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe në mënyrë të njëanshme.
Në përgjigjen zyrtare nga Qeveria dhënë “Zërit” thuhet se asnjë nismë e cila nuk është e bazuar në ligjet dhe në procedurat demokratike të Republikës së Kosovës nuk do të implementohet dhe nuk do të respektohet. “Asociacioni është obligim që Kosova e ka marrë në procesin e Brukselit dhe i cili do të implementohet në të ardhmen e afërt. Asnjë nismë e cila nuk është e bazuar në ligjet dhe në procedurat demokratike të Republikës së Kosovës nuk do të implementohet dhe nuk do të respektohet”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës.

Serbët u mblodhën simbolikisht në orën 12:44
Ndërsa në Mitrovicë, ashtu siç u paralajmërua, dje u mbajt mbledhja e përbashkët e përfaqësuesve të komunave me shumicë serbe të Kosovës.
Me kërkesën e kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, mbledhja ka filluar simbolikisht në orën 12:44, sipas numrit të Rezolutës së KS-së të OKB-së 1244 dhe kishte vetëm një pikë të rendit të ditës: situatën politike dhe të sigurinë në veri të Kosovës.
Ivan Todosijeviq, ministër i Pushtetit Lokal të Kosovës, gjatë fjalimit të tij ka fajësuar Prishtinën dhe BE-në për mosformimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, duke thënë njëherësh se Asociacioni po përdoret për ta nënçmuar Serbinë.
Ndërsa Igor Simiq, deputet nga Lista Serbe, ka thënë se kanë bërë gabim që para pesë vjetëve nuk kanë formuar Asociacionin, pasi ai është për të mirën e serbëve të Kosovës.
Ai gjithashtu ka thënë se nga presidenti Vuçiq kanë marrë mbështetje se Serbia nuk do të shikojë nëse ndodh diçka, ashtu sikurse ndodhi me rastin e arrestimit të Gjuriqit. “Në emër të deputetëve të Listës Serbe ju përshëndes dhe ju porosis se në Kuvend do të jemi opozitë e fuqishme ndaj të gjitha propozimeve të Qeverisë, pasi ajo aktualisht nuk punon në interes të serbëve të Kosovës”, ka thënë Simiq.

Rakiq: Lista Serbe kalon në opozitë

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në takimin e serbëve që u mbajt në veri të Mitrovicës e ku morën pjesë 120 delegatë dhe përfaqësues të tjerë serbë ka thënë se Lista Serbe do të kalojë në opozitë. “Koalicioni më nuk qëndron. Lista Serbe kalon në opozitë”, ka thënë Rakiq pasi shpalli datën e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ndërsa ministri për Pakica dhe Kthim, Dalibor Jevtiq, ka thënë se si asnjëherë më parë të gjithë serbët u bënë bashkë për këtë luftë demokratike. “Qëllimi ynë është që në Kosovë të ketë sa më shumë serbë”, ka thënë ai.
Po ashtu Jevtiq foli edhe për aksionin e së hënës me arrestimin e Marko Gjuriqit, ku kjo gjë ishte porosi e qartë për serbët që të luftojnë për paqe.

Simiq: Prishtina nuk ka arsye të na arrestojë për Asociacionin


Deputeti i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiq, para se të fillonte takimi në Mitrovicën e Veriut ka thënë se përfaqësuesit e dhjetë komunave me shumicë serbë dhe përfaqësuesit e atyre komunave që nuk e kanë shumicën, por kanë përfaqësues në takimin e sotëm në Mitrovicë, do t’i analizojnë ngjarjet që ndodhën ditëve të kaluara. Ai për mediet serbe ka thënë “për kërcënimet që autoritetet në Prishtinë kanë deklaruar se do të arrestohen nëse formohet Asociacioni i Komunave Serbe” se përfaqësuesit ndërkombëtarë duhet të reagojnë, sepse është e papranueshme të kërcënohen përfaqësuesit legjitimë të serbëve.

Tri kërkesat e Listës Serbe pas takimit


Përfaqësuesit e katër komunave veriore me shumicë serbe në Kosovë pas takimit të tyre dolën me tri kërkesa për Kosovën dhe për Qeverinë e saj.
E para ka të bëjë me atë se nëse Prishtina nuk është e gatshme që për 3 javë ta formojë Asociacionin, atëherë komunat vetë do ta fillojnë krijimin e saj, siç është paraparë me marrëveshje në Bruksel. Sipas tyre, është e qartë se në këtë do të punohet qartë pa pasur parasysh vendimet e Gjykatës. Andaj nëse sillet Prishtina kështu do ta konsiderojmë sikurse jogatishmëri për formimin e Asociacionit. 
Pika e dytë thoshte se “Terrori i së hënës kërkojmë të dënohet e përgjegjësit, ministri i Brendshëm Flamur Sefaj dhe drejtori i Policisë Shpend Maxhuni, të japin dorëheqje”, ndërsa kërkesa e tyre e tretë ishte lidhur me “Thirrje KFOR-it e EULEX-it të punojnë në sigurinë e serbëve, sepse e kanë për obligim me mandat. Për çdo prishje të paqes do të konsiderohen përgjegjës”.


Selimi: Veprimi për formimin e AKS-së, antikushtetues

Deputeti nga “Vetëvendosja” Rexhep Selimi, duke folur lidhur me takimin e përfaqësuesve serbë në veri të Mitrovicës, ka thënë për “Zërin” se formimi i AKS-së në mënyrë të njëanshme është veprim antikushtetues dhe do të duhej të dënohej si i tillë.
“Me ratifikimin paraprak të marrëveshjeve me Serbinë që ka ndodhur në orë të vona të natës e patëm tërhequr vërejtjen që nuk do të duhej që Kosova t’i ratifikojë marrëveshjet me Serbinë dhe ata tani po thirren në këtë ratifikim, por nga Lista Serbe nëse kemi pritur diçka tjetër kemi gabuar”, ka thënë Selimi.
Sipas tij, Lista Serbe është në Qeveri vetëm për shkatërrimin e Kosovës. 
Ndërsa duke folur lidhur me paralajmërimet e zyrtarëve të Kosovës për arrestimin e pjesëtarëve të përfaqësuesve të komunave serbe në veri nëse formohet Asociacioni, Selimi ka thënë se nuk pret nga institucionet e Kosovës që ta bëjnë këtë.
“Çdo lloj veprimi antikushtetues do të duhej të ishte i dënueshëm, por unë nuk pres nga institucionet e Kosovës që të bëjnë veprime të tilla për dy arsye: e para sepse ata kanë bashkëbiseduar për temat e njëjta në Bruksel dhe kanë varësi ndaj tyre me këto bisedime dhe e dyta, nuk e kanë trimërinë e as vullnetin e nevojshëm për ta bërë një veprim të tillë”, ka thënë Selimi.

Baraliu: Serbia tenton ta formojë një republikë brenda Kosovës

Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve politike, ka thënë se përpjekja e formimit të Asociacionit të Komunave Serbe në mënyrë të njëanshme nga përfaqësuesit serbë vë në pah qëllimet e vërteta të Serbisë në Kosovë. 
“Tani po del qëllimi i errët i Listës Serbe që ta bëjnë Asociacionin dhe pastaj mbase ta shpallin edhe një republikë, ta disfunksionalizojnë shtetin e Kosovës dhe ta destabilizojnë vendin në përgjithësi. Është në kundërshtim me Kushtetutën ta formojnë një strukturë e cila do t’i kundërvihej Republikës së Kosovës”, ka thënë Baraliu./ZERI