Shëndetësia “e sëmurë” nuk po shërohet as me 200 milionë euro

Aktuale March 26, 2018 - 07:56

As 200 milionë euro të buxhetit të shtetit nuk po i mjaftojnë Ministrisë së Shëndetësisë “për ta shëruar” sistemin shëndetësor. Spitalet kanë mbetur pa materiale shpenzuese, specializantët nuk po paguhen, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Pacientët edhe këtë vit vazhdojnë t’i blejnë gjërat elementare, duke përfshirë shiringat, penjtë kirurgjikë, gjilpërat e mantelet sterile të mjekëve, të cilat ligjërisht do të duhej t’ua siguronte Ministria e Shëndetësisë. Sistemi shëndetësor në Kosovë po ballafaqohet me mungesë të barnave, të materialeve shpenzuese e të aparaturave të ndryshme, pavarësisht buxhetit 200-milionësh të ndarë për shëndetësi.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka premtuar që do t’i sigurojë barnat dhe materialet shpenzuese për pacientët, gjersa zyrtarë nga kjo Ministri nuk kanë pranuar të flasin rreth asaj se pse ende ka mungesa të gjërave elementare.

Ndërsa ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka thënë për “Zërin” se janë krijuar probleme me operatorë ekonomikë, të cilat do t’i kushtojnë Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas tij, gjendja është para kolapsit total të furnizimit me barna.

Për më shumë, anëtarë të Bordit të Klinikës Universitare të Kosovës thonë se ky buxhet nuk po i mjafton QKUK-së dhe se kjo ka hyrë edhe në borxhe. Në anën tjetër, anëtarë të Komisionit për Shëndetësi kanë pohuar se Shëndetësia është në krizë.

Time Kadrijaj, anëtare e këtij Komisioni, ka thënë se do të kërkohet transparencë për të gjitha paratë që shpenzohen nga Ministria. Ndërsa anëtari tjetër i këtij Komisioni, Haxhi Avdyli, ka theksuar se nuk ka planifikim të duhur të nevojave në shëndetësi.

Premtimet e Ministrisë

Ndonëse Qeveria e Kosovës këtë vit ka ndarë 200 milionë euro për Ministrinë e Shëndetësisë, kjo ende nuk ka arritur t’i sigurojë barnat e materialet shpenzuese për pacientët.

Rreth 28 euro i kishin kushtuar mjetet esenciale njërit pacient të shtrirë javën e kaluar në Repartin e Kirurgjisë Abdominale. Ndërsa edhe pacientë të klinikave tjera kanë treguar se për të hyrë në operacion është dashur të blejnë jod, gjilpëra, penj, mantele e kapela për mjekët. Ndërsa përveç mungesave në materiale shpenzuese shëndetësia ka mungesa edhe të aparaturave dhe të mjekëve, gjë që edhe këtë vit ka shtyrë shumë qytetarë të ikin për shërim jashtë vendit. 

. Edhe pse ende nuk është bërë asgjë, ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, në seancën e së premtes së Kuvendit ka premtuar t’i ulë shpenzimet e qytetarëve, me këtë rast edhe t’ua sigurojë barnat e materialet shpenzuese. “Nuk dua të bëj reforma me dokumente që nuk i përdorim e qytetarët tanë t’i kenë shpenzimet më të larta në rajon. Krejt dokumente e kam Ministrinë, kurse ju, punëtorët shëndetësorë, nuk i keni materialet bazike. Për çfarë reforme po flasim këtu?”, ka thënë ai.

Në anën tjetër zyrtarë për informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë pohuar për “Zërin” se ata kanë marrë veprime të cilat tashmë po kanë efekt e një ndër veprimet është edhe blerja e aparaturave të reja. Sipas tyre, fokus për Ministrinë është edhe ofrimi i kushteve për shërim të pacientëve në Kosovë. “Fokusimi i Qeverisë dhe i Ministrisë së Shëndetësisë nuk është që t’i dërgojë qytetarët tanë për shërim jashtë vendit, por t’i krijojë kushtet që ata të shërohen në Kosovë, në spitalet tona dhe te doktorët tanë. Shembull i kësaj politike është fillimi i shërbimeve 24-orëshe në 7 ditë të javës në Kardiologji Invazive dhe në Onkologji, ku trajtohen në çdo moment infarkti dhe kanceri. Vetëm brenda një muaji prej fillimit të këtyre shërbimeve Ministria ka kursyer 1 milion euro të planifikuara për trajtim jashtë vendit”, thuhet në një përgjigje.

Zëri” ka provuar të marrë një përgjigje rreth asaj se pse pasi buxheti i Ministrisë është rritur ka mungesa në shëndetësi, por ata nuk kanë pranuar të prononcohen.

Ish-ministri Rrahmani: Gjendja para kolapsit, s’po paguhen specializantët

Ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka thënë për “Zërin” se janë krijuar probleme me operatorë ekonomikë, të cilët do t’i kushtojnë Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas tij, gjendja për furnizim me barna është para një kolapsi. “Gjendja është shqetësuese. Pra, gjendja është para kolapsit total të furnizimit me barna. Janë krijuar probleme me operatorë ekonomikë që kanë për t’i kushtuar shumë buxhetit të MSH-së. Nuk po përcillen me rregull pagesat e specializantëve, po ashtu po mbahen padrejtësisht me muaj licencat e institucioneve shëndetësore dhe të individëve nëpër zyra”, ka thënë ai.

Rrahmani ka deklaruar se kthimi në këtë gjendje sa i përket mungesës së barnave paraqet dështim. “Kthimi i një gjendjeje ku mungojnë shumë barna dhe materiale shpenzuese pas një periudhe prej dy vjetësh të një furnizimi solid paraqet dështim. Ka pasur një vlerësim se dhjetë milionë shtesë për barna dhe për materiale shpenzuese mbi buxhetin që ne kemi menaxhuar është i mjaftueshëm për mbulimin e nevojave të institucioneve spitalore në tërësi. Ka raporte nga SHSKUK-ja që flasin se ne kemi pasur furnizim mjaft të mirë në raport me buxhetin, derisa në kujdesin primar kemi arritur shifra deri në 80% nga lista esenciale”, ka thënë ai.

Sipas tij, MSH-ja ka promovuar procese që ai i kishte lënë në fazën finale. “Deri më tash kemi parë se janë promovuar shumë me bujë shumë rezultate të proceseve që ne ose i kemi mbyllur kah fundi i mandatit, ose i kemi lënë në fazën finale sikurse janë Spitali i Ferizajt, Mjekimi Intenziv Qendror, autoambulancat dhe autoambulancat për transportin e të porsalindurve. Po harrohet se ne e kemi funksionalizuar Kardiokirurgjinë dhe e kemi mbështetur krijimin e një baze të shëndoshë për Kardiologji Invazive falë edhe personelit të shkëlqyeshëm të këtyre klinikave”, ka thënë ai

Veseli: QKUK-ja me mungesë të gjërave elementare

Anëtari i Bordit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Shemsi Veseli, ka thënë për “Zërin” se në QKUK ka mungesë të mjeteve esenciale. “Kanë munguar gjërat më banale. Kanë munguar gazrat, mantelet, kapelat, d.m.th. gjëra të vogla. Sa i përket gjërave të mëdha mund të them se ka qenë një prioritet që thjesht janë paguar ato emergjente, si p.sh. citostatikët. Nëse ia vëmë lapsin dhe shikojmë se çfarë shërbimi po kryhet dhe sa është çmimi kur operohet e gjëra tjera, kur të mblidhet në fund se sa është kostoja e pacientit që shkon në privat, ndoshta shkojnë 50 - 60 euro barna, mjete, pra nuk është dallim shumë i madh”, ka thënë ai.

Veseli ka treguar se buxheti nuk mjafton dhe QKUK-ja ka hyrë edhe në borxh. “Ende nuk i plotëson nevojat as optimale, por vetëm kërkesat që janë të nevojshme. Është bërë një studimi i fizibilitetit nga ana e spitaleve të përgjithshme gjegjësisht edhe të Klinikës Universitare, diku janë mbi 30 milionë nevoja, ndërsa ne i kemi pasur diku mbi 15 milionë euro dhe ato 15 milionë janë me borxhe që nuk kanë mundur t’u paguhen operatorëve në vitin 2017. Pastaj në vitin 2018 Shërbimi Spitalor ka hyrë në borxh, sepse kanë qenë gati 23 milionë që nuk janë paguar”, ka thënë ai, duke shtuar se Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka nevojë për përkrahje. Sipas tij, mbi dy milionë euro në vit shkojnë për barna dhe për mallra. “Shërbimi në Klinikën Universitar është rritur, por duhet të rritet pasi janë para të pakta që nuk mund t’u përballojnë kërkesave dhe nevojave të spitaleve, pasi prej pesë milionë e diçka që janë mallra dhe shërbime gati brenda vitit dy milionë e gjysmë shkojnë në shërbime për higjienë dhe për sigurim, d.m.th. mbeten dy milionë e diçka për barna, për mallra dhe për shërbime ku hyjnë edhe barnat jashtë listës esenciale”, ka deklaruar ai.

Avdyli: Nuk ka planifikim të duhur të nevojave në shëndetësi

Haxhi Avdyli, anëtar në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale nga radhët e LDK-së, ka thënë se nuk ka planifikim të duhur të nevojave në shëndetësi.

Sipas tij, menaxhmenti nuk po mund t’i planifikojë nevojat për barna. “Ka një rritje të vogël të buxhetit për shëndetësi, kjo nuk është e mjaftueshme, por në të njëjtën kohë shëndetësisë çfarë po i mungon sot është mosplanifikimi i duhur i nevojave të saj. Krejt kjo pasojë e faktorit menaxherial, veçanërisht kur bëhet fjalë për sektorin farmaceutik. Sot kemi procedura të prokurimit të stërzgjatura, kemi një menaxhment si ministri që nuk po mund t’i planifikojë qartë nevojat e klinikave për barna. Kemi në Ministri një listë esenciale, e cila nuk është adekuate për t’u përmbushur në tërësi”, ka thënë ai. Avdyli ka konsideruar se tani është gjendja më e keqe në shëndetësi, sidomos furnizimi me barna është më keq sesa më herët. “Kemi një buxhet të vogël për të mbuluar gjithë këtë listë esenciale që ekziston. Sot në sektorin e shëndetësisë e kemi gjendjen më të keqe. Furnizimi me barna është më i keq sesa shumë vite më parë. Sot ne po hasim në pacientë që edhe gjërat elementare, siç janë jodi, gjilpërat, shiringat, mantelet e kirurgut, dorëzat, gjërat elementare, të cilat as që duhet të diskutoheshin, po flasim për gjërat elementare, ku për çdo operacion duhet të dalin t’i blejnë, mbi 100 euro materiale bazë për operacion”, ka thënë ai. Sipas tij, duhet të kërkohet përgjegjësi për gjetjen e një furnizimi më të mirë për gjërat bazike. “Klinika Universitare është shndërruar si një klinikë private. Ku është qëllimi i këtij buxheti kur disa shërbime bazike nuk po sigurohen? Andaj, unë mendoj që përgjegjësia nuk është vetëm e ministrit, por edhe e bartësve të tjerë, duke përfshirë drejtorët e klinikave, drejtorin e QKSUK-së, drejtorët farmaceutikë, është  zinxhirë i tërë i hierarkisë ku duhet kërkuar përgjegjësia për gjetjen e një zgjidhjeje të furnizimit më të mirë për gjërat bazike, pastaj mund të flasim për ndonjë mungesë për ndonjë citostatik, vaksinë anti-kanceroze”, ka thënë ai.

Për Avdylin shqetësuese ka qenë edhe fakti që specializantët nuk po paguhen, si dhe mosrritja e rrogave për mjekët. “Një numër i madh i specializantëve nuk po paguhet, kur e dimë që ata janë bartësit e shumë punëve aty dhe ata nuk po paguhen. Aty bie edhe cilësia e shërbimit. Edhe mjekët me arsye kanë kërkuar që t’u rritet paga. Që të krijohet një kirurg i nivelit të lartë kërkon shkollim të gjatë dhe përgatitje specialistike edhe jashtë shtetit dhe në fund ai të paguhet 600-700 euro dhe kjo pagë të jetë më e ulët se e një shoferi të zëvendësministri, kjo është e papranueshme”, ka treguar ai, duke shtuar se komisioni ka kërkuar që të bëhet nivelizimi i pagave.

 MSH: Zgjidhja për pagesat e specializantëve, shumë shpejt

Ndërsa në lidhje me këtë zyrtarë për informim nga zyra e kryeministrit kanë thënë për “Zëri” sen Qeveria është duke u marrë me problemin e specializantëve. “Duke marrë parasysh se shëndetësia është prioritet i Qeverisë dhe problemi financiar është çështje e rëndësisë jetike për një numër të konsiderueshëm të specializantëve, Qeveria po bën përpjekje që të bëjë një zgjidhje ligjore për ta. Aktualisht po shqyrtohen opsionet, ndërsa zgjidhja do të bëhet publike shumë shpejt”, thuhet në një përgjigje nga ata.

Kadrijaj: Do të kërkojmë transparencë për paratë që shpenzohen

Time Kadrijaj, anëtare në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale nga radhët e AAK-së, ka thënë se do të kërkohet transparencë për të gjitha paratë që shpenzohen. “Do të vazhdojmë të kritikojmë, të kërkojmë transparencë për të gjitha paratë se ku po shpenzohen, njëkohësisht do të kërkojmë që për qytetarët të ketë barna nga lista esenciale, të ketë shërbime cilësore, në mënyrë që qytetarët të ndahen të kënaqur me shërbimet që u ofrohen nga institucionet shëndetësore”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Sipas saj, shëndetësia po vazhdon të jetë në krizë.“Paratë janë me vija buxhetore, ku ndahet buxheti për sektorë dhe varësisht prej kësaj edhe shpërndahet. Shëndetësia prapë po vazhdon të ketë kriza dhe unë mendoj që inspektorët e kryejnë punën pasi e keni parë shpesh ministrin e ballafaqojmë me pyetje parlamentare, me deklarime jashtë rendit të ditës, me ato që na interesojnë, por njëkohësisht e ftojmë edhe në komision ku e kemi ballafaquar me problemet që po na shqetësojnë edhe ne si qytetarë”, ka thënë ajo.