VV-ja thotë se koalicioni s’ka vota për Demarkacion

Aktuale March 19, 2018 - 17:10
Nuk tregojnë se a do të gjuajnë gaz lotsjellës

Gjatë ditës pati raportime se Lëvizja Vetëvendosje do të tentojë të hedhë gaz lotsjellës në Kuvend, nëse koalicioni qeverisës veç i ka siguruar votat për ratifikimin e Demarkacionit. Por, duket se partia e Albin Kurtit ende nuk e ka marrë një vendim të prerë për format e kundërshtimit.
Koalicioni qeverisës sot gjatë ditës u shprehën të bindur se i kanë siguruar votat e mjaftueshme për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi.

Por njejtë nuk po mendojnë edhe nga Vetëvendosja, partia që po e kundërshton ashpër këtë marrëevshje.

Sekretari i VV-së, Ismajl Kurteshi ka thënë për Lajmi.net se koalicioni nuk i ka votat për ta ratifikuar Demarkacionin.

“Koliaiocni pro demarkacionit nuk i ka votat”, u përgjigj shkurt Kurteshi.

I pyetur se a do të përdorë partia e tij gaz lotsjellës për ta parandaluar ratifikimin e marrëveshjes, Kurteshi nuk është përgjigjur.

Për këtë çështje nuk ka qenë në njohuri as deputeti tjetër i VV-së, Rexhep Selimi”.

“Nuk e di”, ishte përgjigja e Selimit kur u pyet nga Lajmi.net për mundësinë e hedhjes së gazit lotsjellës.

Deputetët e tjerë të kësaj partie nëpër deklarata të ndryshme kanë bërë të ditur se nesër para seancës do të kenë mbledhje të grupit parlamentar, ku do të vendosin se si do të veprojnë.

Vetëvendosja para 2 vitesh së bashku me AAK-në dhe Nismën që tash janë në pushtet, bllokuan punën e Kuvendit për disa muaj.

Kjo duke kundërshtuar marrëveshjen e Demarkacionit dhe Asociacionit.

Seanca për ratifikimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi do të mbahet nesër nga ora 16:00. /Lajmi.net/