Ndarja e “Vetëvendosjes”, “lufta” për komisione

Aktuale March 16, 2018 - 07:49
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Ndarja e dymbëdhjetë deputetëve nga lëvizja “Vetëvendosje”, duke e formuar Grupin e Deputetëve të Pavarur (GDP), do t’ia ndajë edhe hisen e partisë së Albin Kurtit në komisionet parlamentare, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje” kanë udhëhequr deri më tani me katër komisione parlamentare, duke përfshirë këtu Komisionin për Legjislacion, të cilin e udhëheq Albulena Haxhiu, Komisionin për Arsim, të cilin e udhëheq Ismajl Kurteshi, Komisionin për Shëndetësi, të cilin e udhëheq Besa Baftiu, si dhe Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së, të udhëhequr nga Donika Kadaj-Bujupi.

Deputetet Besa Baftiu dhe Donika Kadaj-Bujupi nuk janë më pjesë e Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes”. Baftiu i është bashkëngjitur GDP-së, ndërsa Kadaj-Bujupi është rikthyer në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës të kryeministrit Ramush Haradinaj.

LEXO EDHE: “Xhokerët” e Demarkacionit

Në anën tjetër Aida Dërguti, e cila është pjesë e GDP-së, është nënkryetare e Kuvendit, përderisa deputetë të “Vetëvendosjes” i kanë kërkuar ish-koleges së tyre që ta lëshojë postin ose do ta shkarkojnë.

Baftiu: Nuk e di nëse do të largohem nga pozita

Deputetja Besa Baftiu, njëherësh edhe kryetare në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi, ka thënë për “Zërin” se  ende nuk di asgjë nëse do të largohet nga pozita e saj në Komision.

“Këto janë çështje të cilat janë duke u diskutuar. Nuk di ende asgjë. Nuk më kanë thënë asgjë. Kjo është çështje e rregulloreve të Kuvendit, në bazë të madhësisë së subjekteve politike përcaktohen edhe kryetarët e komisioneve, edhe anëtarët kështu që kjo çështje i bie Rregullores së Kuvendit që ta përcaktojë”, ka theksuar ajo.

Por deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje” Ismail Kurteshi, ka thënë për “Zërin” se ky subjekt politik do t’i ketë përfaqësuesit e saj në komisione.

“Ka edhe vende që edhe atyre u takojnë në komisione, por natyrisht që nuk do ta përfaqësojmë njëra-tjetrën. ‘Vetëvendosja’ do t’i ketë përfaqësuesit e saj dhe ata si anëtarë do t’i kenë vendet e tyre. Kjo është në pajtim me Rregulloren e Kuvendit, sepse vetëm tri subjektet e para në Kuvend kanë anëtarë të kryesisë”, ka thënë ai.

I pyetur se a do të kërkohet shkarkimi i Aida Dërgutit, Kurteshi ka thënë se zëvendësimi i saj do të bëhet shumë shpejt.

“Kjo shkon duke u bazuar me Rregulloren e Kuvendit dhe zëvendësimi do të bëhet shumë shpejt. Në momentin që e ka lëshuar Grupin Parlamentar ka kaluar në një grup, i cili është subjekti i katër, do të thotë kjo me automatizëm ka përfunduar. Nuk është çështje e dorëheqjes, është çështje e grupeve si radhiten”, ka thënë ai.

Elezi: LVV-ja do t’i zëvendësojë anëtarët me deputetë tjerë

Drejtori ekzekutiv i “Demokracia Plus”, Valmir Ismaili, ka thënë për “Zërin” se secili grup parlamentar duhet të ketë anëtarë në komisione, por LVV-ja do t’i zëvendësojë deputetët e dorëhequr me deputetë tjerë.

“Me Rregullore të Kuvendit, secilit grup parlamentar i takon që të ketë anëtarë në komisione, rrjedhimisht edhe grupit të ri i takon që të ketë anëtarë në komisione, përderisa Grupi Parlamentar i LVV-së i zëvendëson ata me deputetë tjerë. Ana e vetme negative në këto raste është që një deputeti mund t’i bjerë që të ketë më shumë komisione për t’i mbuluar. Kontestuese në këtë rast do të jetë nëse LVV-ja do t’ia japë ndonjë kryetar të komisionit për grupin e ri parlamentar pasi ndarja është bërë më herët me një marrëveshje në Kryesi”, ka thënë ai.

Ai e ka cilësuar të natyrshme dorëheqjen e Dërgutit dhe nominimin e ndonjë anëtari tjetër nga “Vetëvendosja”. “Sipas Kushtetutës së Kosovës, tre nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës i takojnë tri grupeve më të mëdha parlamentare, që në këtë rast i bie LDK-së, PDK-së dhe lëvizjes ‘Vetëvendosje’.

Megjithatë, zgjedhja dhe shkarkimi i nënkryetarëve bëhet me 2/3 e numrit të përgjithshëm të deputetëve. Në këtë rast do të ishte e natyrshme që Aida Dërguti të jepte dorëheqje nga Kryesia dhe që LVV-ja të emëronte dikë tjetër dhe Kuvendi ta votonte atë. Përndryshe, LVV-ja mund të kërkojë shkarkimin e saj dhe gjasat janë shumë të mëdha që ajo të shkarkohet”, ka thënë ai.

Murati: Tri komisione do t’i udhëheqë LVV-ja, një GDP-ja

Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se do të ketë ndryshim të numrit të deputetëve në komisione.

“Shpërndarja e deputetëve në komisione do të ndryshojë, do të ketë ndryshime të emrave të deputetëve dhe të numrit të deputetëve nga grupet parlamentare në përbërje të komisioneve parlamentare. Ashtu siç është rregulluar dhe siç ka funksionuar Kuvendi deri më tani, pra secili grup parlamentar është i përfaqësuar në komisione parlamentare dhe ekziston formula e caktuar se si ndahen pozicionet. Andaj edhe këtë herë do të ketë lëvizje të deputetëve sa i përket përkatësisë të tyre ndaj komisioneve parlamentare”, ka thënë ai për “Zërin”.

Sipas Muratit, “Vetëvendosja” do të mbetet me një kryetar më pak në komisionet parlamentare.

“Është një situatë interesante nëse shohim edhe kryetarët e komisioneve parlamentare. Lëvizja ‘Vetëvendosje’ ka pasur katër komisione parlamentare, katër kryetarë të komisioneve dhe si duket proporcioni do të jetë tre me një, do të thotë do të jenë tri komisione parlamentare që do të udhëhiqen nga ‘Vetëvendosja’, kurse një nga Grupi i Deputetëve të Pavarur, i përbërë nga ish-deputetët e LVV-së”, ka theksuar ai