“Xhokerët” e Demarkacionit

Aktuale March 16, 2018 - 07:43
Lexo detajet

Koalicioni qeverisës i ka siguruar 79 vota të deputetëve për ta miratuar Demarkacionin me Malin e Zi. Kalkulimet po bëhen se të martën e ardhshme marrëveshjen do ta votojnë deputeti i Listës Serbe, Adem Hoxha, Dukagjin Gorani apo Shqipe Pantina nga Grupi i Deputetëve të Pavarur, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Për të katërtën herë më radhë brenda katër javësh koalicioni qeverisës do të provojë ta ratifikojë Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Vazhdimi i seancës për ratifikimin kësaj marrëveshjeje pritet të mbahet javën që vjen, gjegjësisht të martën.

Duke filluar në orën 16:00 koalicioni do ta dëshmojë përfundimisht nëse i ka apo jo numrat për ta përmbyllur Marrëveshjen e Kufirit.

Pas caktimit të seancës kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është shprehur i bindur se Marrëveshja e Vjenës do të marrë epilog ditën e martë.

Megjithëkëtë, asnjëri prej partnerëve të koalicionit nuk ka njoftuar se kush do ta mundësojë kalimin e marrëveshjes, deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje”, të Grupit të Deputetëve të Pavarur apo ata të Listës Serbe.

Ndërkohë, deri më tash është bërë e ditur se koalicioni ka siguruar 79 vota gjithsej, pas rikthimit të deputetes Donika Kadaj-Bujupi në AAK.

Kalkulimet e zyrtarëve shtetërorë po bëhen se të martën e ardhshme marrëveshjen do ta votojnë deputeti i Listës Serbe, Adem Hoxha, apo Shqipe Pantina, Dukagjin Gorani nga Grupi i Deputetëve të Pavarur.

Për më tepër ky i fundit nuk pati votuar kundër, por pati abstenuar në Komisionin për Punë të Jashtme kur është vendosur për ta proceduar marrëveshjen në Kuvend.

Gazeta “Zëri” ka tentuar t’i kontaktojë deputetët e apostrofuar, por nuk ka mundur të marrë përgjigje nga këta të fundit.   

Zyrtarisht Lista Serbe para pak ditësh ka thënë se nuk do ta mbështesë këtë marrëveshje. Edhe nga Grupi i Deputetëve të Pavarur kanë deklaruar se janë kundër marrëveshjes, porse kanë thënë se secili deputet i këtij grupi parlamentar e gëzon lirinë e shprehjes.

Veseli: Më 20 mars përfundon drama e Demarkacionit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbledhjes së djeshme të Kryesisë, ku u caktua vazhdimi i seancës, është shprehur i vendosur se Demarkacioni do të përmbyllet të martën që vjen.

“Besoj fuqishëm që me datën 20 mars 2018 do ta përfundojmë ratifikimin e Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi. Ky ishte edhe qëllimi i mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. Jam i bindur se bashkërisht mund t’ia arrijmë, është në interes nacional”, ka deklaruar Veseli të enjten.

I pyetur nëse koalicioni i ka siguruar numrat për ta kaluar Marrëveshjen e Demarkacionit, i pari i Kuvendit, duke mos saktësuar, ka thënë se brenda koalicionit qeverisës ka konsensus të plotë.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës është legjitimitet i qytetarëve të Republikës sonë, forcim i sovranitetit. Jam shumë i sigurt, si koalicion qeveritar kemi një konsensus të plotë për ta votuar. Sot kemi pasur një takim me shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, i cili ka bërë deklarimin publik se LDK-ja do ta votojë. Në të njëjtën kohë jemi në kontakte intensive me të gjithë deputetët që ia duan të mirën Kosovës, të cilët e duan Kosovën të integruar në Bashkimin Evropian dhe jam shumë i sigurt se në ditën e 20-të do ta përfundojmë një çështje dramë”, ka theksuar Veseli.  

LDK-ja mirëpret caktimin e seancës

Caktimin e vazhdimit të seancës për ratifikimin e Demarkacionit e ka mirëpritur menjëherë Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka siguruar që do ta mbështesë këtë marrëveshje.

“Në emër të LDK-së shpreh kënaqësinë që kësaj çështjeje po i vjen fundi dhe qytetarët do të lëvizin lirshëm. Pas tre vjetësh po duket që një kauzë nuk mund të vazhdojë pa fund”, u shpreh shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti pas mbledhjes së Kryesisë.

Gjatë ditës së djeshme Hoti ka thënë se deputetët duhet të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre, duke i analizuar të gjitha raportet e komisioneve rreth Demarkacionit.

Haradinaj: Deputetët do ta përkrahin Marrëveshjen e Demarkacionit

Nga ana tjetër kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, para se të caktohej seanca është shprehur i vendosur se Marrëveshja për Shënimin e Kufirit do të kalojë, porse nuk ka siguruar nëse koalicioni i ka apo jo numrat.

“Të gjithë deputetët e Kosovës janë të Kosovës dhe jam i bindur që me votën e tyre të lirë do të përkrahin zgjidhjen e Marrëveshjes së Shënjimit të Kufirit, tërësinë territoriale në këtë rast dhe zhbllokimin ose heqjen e izolimit për qytetarët e vendit. T’ju them të drejtën për mua nuk ka qenë një proces i lehtë, nuk është një proces i lehtë, por nuk mund ta shoh popullin tim të bllokuar dhe të izoluar siç po ndodh deri më tani. Duke pasur parasysh se megjithatë e kemi ruajtur tërësinë territoriale dhe mundësinë e korrigjimit për Çakorrin dhe për Kullën”, ka theksuar i pari i ekzekutivit.

Pajaziti: Takimet që po zhvillohen do të rezultojnë me votimin e shumicës

Edhe deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, është shprehur i bindur se marrëveshja do të përmbyllet javën që vjen. “Po presim të ratifikohet, nuk kemi asnjë pritje tjetër. Me vetë faktin që është shtyrë kaq shumë, është menaxhuar që deputetët të jenë të gatshëm ta votojnë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Ndërkohë, i pyetur se deputetët e të cilave subjekte do ta mbështesin marrëveshjen, Pajaziti duke mos saktësuar ka thënë shkurt se janë votat e nevojshme.

“Nuk mund të parashikoj, por takimet që janë duke u zhvilluar këtyre ditëve do të rezultojnë me votimin e shumicës. Tash nuk e di cilët do të reflektojnë, por jam i sigurt që do të ketë vota të mjaftueshme”, ka potencuar ai më tej.

Salihu: Jemi kundër Demarkacionit, lirinë e shprehjes e ka secili

Kurse deputeti i Grupit të Pavarur të Deputetëve (GDP), Salih Salihu, ka thënë se ky grup është kundër Marrëveshjes së Demarkacionit.

“Qëndrimi im është për të mos e votuar dhe mendoj që të gjithë janë për të mos e votuar. Nuk kam dëgjuar dikë prej grupit të ri tash që e voton”, është shprehur ai në një prononcim për “Zërin”.

I pyetur nëse janë unikë në qëndrimin karshi Demarkacionit, Salihu ka thënë se të gjithë deputetët e kanë lirinë e shprehjes.

“Te ne është më ndryshe, të drejtën e shprehjes e ka secili, mendoj që dakordohen shumica që janë kundër marrëveshjes. Në parim jemi për Demarkacion, por ashtu siç është bërë jemi kundër marrëveshjes që është bërë”, ka theksuar ai.

Baraliu: Gjasat që Demarkacioni të kalojë, dilematike

Pavarësisht se seanca është caktuar të mbahet të martën Mazllum Baraliu, njohës i rrethanave politike, është shprehur skeptik nëse Demarkacioni do të përmbyllet përfundimisht.

“Gjasat janë dilematike, pavarësisht faktit që tash është rikthyer në AAK ish-deputetja e lëvizjes ‘Vetëvendosje’. Për vetë faktin që është dashur që nesër të vihet në rend dite çështja e ratifikimit të marrëveshjes një gjë e tillë nuk po bëhet. Kjo tregon se është ende dilematike nëse do të votohet apo jo të martën”, ka deklaruar ai.

Gjatë bisedës Baraliu nuk e ka përjashtuar mundësinë që deputetët nga Grupi i Deputetëve të Pavarur (të dorëhequrit nga LVV-ja) ta mbështesin këtë marrëveshje.

“Në qoftë se ata deputetë të këtij grupi tashmë edhe zyrtarisht të ndarë nga trungu i LVV-së, duke menduar që të premten do të jetë në rend dite marrëveshja, flet që diçka aty mund edhe të ndryshojë, mund të ketë ndonjë prej atyre deputetëve që do ta japin votën”, ka theksuar Baraliu.