“Drama” e Demarkacionit

Aktuale March 14, 2018 - 07:48

Pavarësisht premtimeve, seanca për votimin e Demarkacionit me Malin e Zi nuk do të mbahet as sot, përderisa partnerët e koalicionit qeverisës përsërisin se kjo çështje do ta marrë epilogun këtë javë, gati tri vjet pas nënshkrimit në Vjenë të Austrisë, shrkuan sot Gazeta "Zëri". 

E nisur tri vjet më parë drama mbi Demarkacionin pritet të përfundojë këtë javë. Kështu së paku po zotohen partnerët e koalicionit qeverisës, të cilët thonë se Marrëveshja për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi do të marrë epilogun shumë shpejt.

LEXO EDHE: Koalicioni pa numra në Kuvend

Pavarësisht kësaj, zyrtarisht ende nuk është vendosur se kur do të mbahet vazhdimi i seancës për ratifikimin e Demarkacionit, e cila u ndërpre tri herë gjatë muajit të shkuar.

Derisa zëvendëskryeministri i Kosovës Behgjet Pacolli është shprehur i bindur se këtë javë përmbyllet gjithçka, nga AAK-ja kanë thënë se ende nuk ka diçka konkrete sa i përket seancës, shkruan tutje "Zëri". 

Megjithatë, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) janë shprehur të bindur se çështja e Marrëveshjes së Vjenës do të përmbyllet shumë shpejt.

Në anën tjetër nga LDK-ja kanë vlerësuar se Demarkacioni duhet të përfundojë sa më parë dhe menjëherë pas kësaj të rrëzohet Qeveria e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj. Se Qeveria duhet të rrëzohet ka konsideruar edhe partia tjetër opozitare, lëvizja “Vetëvendosje”.

Pacolli: Demarkacioni kalon këtë javë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, është shprehur i bindur se këtë javë do të votohet Marrëveshja e Demarkacionit. “Java e dytë e marsit do të jetë java kur do të kalojë Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi”, ka thënë Pacolli i pyetur rreth kësaj çështjeje.

Këto komente shefi i diplomacisë kosovare i bëri dje gjatë një konference me homologun e tij nga Sllovenia, Karl Erjavec.

Hoxhaj: Të gjithë partnerët do ta votojnë Demarkacionin

Ndërkaq zëvendëskryeministri tjetër i Kosovës Enver Hoxhaj ka thënë se koalicioni është duke punuar që t’i sigurojë votat dhe se Lista Serbe do ta votojë marrëveshjen.

“Të gjithë partnerët që jemi në Qeveri, partitë politike që përfaqësojnë qytetarët në Kosovë dhe partitë politike që përfaqësojnë komunitetet serbe dhe joserbe do të votojnë pro kësaj marrëveshjeje. Jemi afër një konsensusi të plotë politik me partnerët në Qeveri, por në të njëjtën kohë edhe me deputetë të tjerë të cilët do të duhej ta votonin këtë marrëveshje”, ka deklaruar Hoxhaj. Megjithatë, ai ka thënë se nuk dihet saktë se në cilën ditë do të mbahet seanca për Demarkacionin.

“Kur mund të ftohet seanca, dita e saktë, i takon kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit, meqenëse është një seancë ku duhet një mbështetje e deputetëve mbi 80 vota dhe duhet një koordinim se kush mund të jetë prej deputetëve në Prishtinë ose nuk mund të jetë”, ka shtuar ai.

Deliu-Kodra: Çështjes së demarkimit po i vjen fundi

Kurse deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se Marrëveshja për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi është duke shkuar drejt përmbylljes. “Përfundimisht është lajm i mirë se çështjes së demarkimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi po i vjen fundi. Ka afërsisht rrumbullakim të kësaj çështjeje dhe ne presim që Kryesia e Kuvendit të mblidhet dhe ta zyrtarizojë datën kur do të mbahet seanca”, ka deklaruar Deliu-Kodra.

Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, pas mbledhjes së djeshme të Kryesisë nuk ka treguar se kur do të mbahet seanca për Demarkacionin. Përkundrazi, ai ka thënë se në mbledhje është diskutuar vetëm për ndërprerjen e seancës së djeshme.

I pyetur rreth seancës dhe numrave, Isufi ka thënë se deri më tash nuk ka asgjë konkrete.

Opozita kërkon rrëzimin e Qeverisë

Në anën tjetër shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka vlerësuar se Kuvendi duhet që sa më parë ta ratifikojë Marrëveshjen për Shënimin e Kufirit.

“Ne e kemi fuqinë politike për të bërë opozitë me numra. Kuvendi duhet të mblidhet sa më parë që të votohet Demarkacioni për ta përmbyllur atë çështje të rëndësishme për qytetarët. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, rrugë tjetër nuk ka”, është shprehur Hoti.

Edhe lëvizja “Vetëvendosje” gjatë ditës së djeshme ka kërkuar rënien e qeverisë “Haradinaj”.

“Qeveria ka rënë, edhe moralisht, edhe me numra. Tash duhet të bjerë edhe formalisht. Kuvendi i Republikës së Kosovës, institucioni më i lartë dhe më i rëndësishmi i Republikës sonë parlamentare tash e sa kohë është bllokuar nga deputetët e koalicionit qeverisës që nuk e lejojnë vendimmarrjen dhe zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit”, thuhet në komunikatën e LVV-së.

Ndërkohë lideri i këtij subjekti Albin Kurti ka ritheksuar edhe një herë se Marrëveshja e Demarkacionit nuk ka ndryshuar, përkundrazi deklarata e përbashkët, e arritur mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Malit të Zi Filip Vujanoviq, është vetëm një mashtrim i ri. “Deklarata e presidentëve Thaçi - Vujanoviq e 16 shkurtit 2018 është mashtrim i ri dhe jo marrëveshje e re”, është shprehur Kurti.