Koalicioni pa numra në Kuvend

Aktuale March 14, 2018 - 07:45

Në mungesë kuorumi është ndërprerë vazhdimi i seancës së Kuvendit. Opozita lëshoi sallën në shenjë proteste ndaj koalicionit qeverisës pasi deputetët e shumicës parlamentare nuk morën pjesë në votimin e rekomandimeve kundër vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Si rezultat i kësaj, koalicioni qeverisës nuk pati mjaftueshëm deputetë në sallë për ta bërë kuorumin dhe për ta vazhduar seancën, e cila është shtyrë për të mërkurën.

LEXO EDHE: Zvarritja Speciale

Në rend dite të kësaj seance është debati parlamentar sipas kërkesës së nënkryetarit të Kuvendit, Kujtim Shala dhe të gjashtë deputetëve nënshkrues lidhur me raportin e 100 ditëve të punës të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka kritikuar këtë vendim të partive opozitare për shkak se, siç ka thënë ai, ky është një bllokim i panevojshëm i Kuvendit.

“Kam parë opozitën duke pritur për të mos na e bërë kuorumin për tema të zakonshme në vend. Nëse opozita ka tema që dëshiron t’i ndihmojë qytetarët duhet të llogarisë në përkrahjen e secilit”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai madje ka thënë se temat e propozuara për diskutim nga opozita janë joadekuate dhe të parëndësishme. “Temat që po i zgjedh opozita nuk janë adekuate dhe nuk janë të rëndësishme, po ia humbin kohën Qeverisë, deputetëve e qytetarëve. Për të bërë opozitarizëm ekziston njëfarë standardi që duhet të praktikohet”, ka deklaruar Haradinaj pas largimit të opozitarëve nga salla.

Shefi Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, ka reaguar ndaj Kadri Veselit për mënyrën e interpretimit të Rregullores së Punës së Kuvendit.

“Dua të flas për moskorrektësinë tuaj profesionale se si e interpretoni Rregulloren e Kuvendit. Duhet t’ua jepni fjalën me radhë dhe kjo shkon sipas madhësisë. Kjo nuk është hera e parë dhe nuk është mirë”, është shprehur Konjufca.

Ai ka thënë gjithashtu se metodologjia e shumicës ndaj pakicës është se kur i duhen Qeverisë ata duhet të votojnë, kurse nuk votojnë kur opozita propozon diçka.

“Sa i përket metodologjisë së pushtetit dhe të mazhorancës këtu po udhëhiqet përmes një principi, ju duhet të jeni të dëgjueshëm si opozitë për gjithçka që ne kërkojmë të na e votoni, por ne nuk votojmë asgjë që ju propozoni. Por jo që nuk votojmë kundër, por nuk votojmë fare, duke e pamundësuar vazhdimin e seancës”, ka shtuar ai.

Konjufca ka thënë se opozita nuk ka rrugëzgjidhje tjetër përpos që t’ua kthejë me “monedhën” e njëjtë e me metodën e njëjtë.

“Ama veç mos e harroni një gjë, se nëse hyn Kuvendi në këtë cikël që ne t’ua kthejmë në të njëjtën mënyrë mos harroni se asnjë ligj nuk mund ta kaloni dhe pamundësohet funksionimi i Kuvendit”, ka thënë më tutje deputeti Konjufca.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se problemi qëndron te koalicioni qeverisës e jo tek opozita.

Hoti ka thënë se koalicioni qeverisës nuk e ka shumicën për ta mbivotuar procesin e vendimmarrjes në Kuvend. “Si rezultat i kësaj ata e bojkotuan votimin, për ta pamundësuar kuorumin prej 61 votash. Bllokues i jetës parlamentare është pozita e paqëndrueshme e jo opozita, që është duke e ruajtur shtetin nga ky koalicion grabitës”, ka thënë Hoti.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së ka thënë se Kuvendi është bërë jofunksional dhe si rrjedhojë ky Kuvend “duhet të shpërbëhet sapo të votohet Demarkacioni”.