Pronat i trashëgojnë burrat, jo gratë!

Aktuale March 09, 2018 - 08:01

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi gjatë forumit të mbajtur dje në lidhje me të drejtat pronësore dhe të trashëgimisë së grave ka thënë se në Kosovë gratë ende nuk kanë të drejta pronësore të mjaftueshme, ndonëse vetëm se ka filluar një avancim i gruas në shoqëri, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

“Pozita e gruas në Kosovë ka avancuar shumë dhe ne të gjithë krenohemi me rolin që ka gruaja kosovare qoftë si presidente e vendit, qoftë si kryetare e Gjykatës Kushtetuese, ambasadore, kryetare e KQZ-së, si deputete në Kuvendin e Kosovës, si këshilltare në Kuvendin Komunal apo diku tjetër, por edhe si kampione olimpike apo si yll botëror i pop muzikës”, ka thënë Thaçi.

LEXO EDHE: Serbët e Kosovës duan përgjithmonë sistemin e arsimit të Serbisë

Sipas tij, sfidat janë të mëdha dhe mungesa e posedimit të një prone nga një grua ka ndikim edhe në ekonomi, edhe në të ardhura në një familje.

“Gruaja kosovare po vazhdon të ballafaqohet me sfida dhe me pengesa në realizimin e drejtave të saj. Neni 46 i Kushtetutës së Kosovës u garanton të gjithë qytetarëve të drejtat e tyre në pronë. Por fatkeqësisht në masë të madhe gratë në Kosovë ende luftojnë për tejkalimin e barrierave që pengojnë trashëgiminë në pronë nga familja”, ka shtuar tutje ai, shkruan tutje "Zëri". 

Njësoj sikurse presidenti është deklaruar edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, i cili ka thënë se në Kosovë pavarësisht Ligjit për Trashëgiminë gratë ende veprojnë në bazë të traditës, duke mos kërkuar të drejtën e tyre pronësore.

"40% e femrave konsiderojnë që pavarësisht se trashëgimia është e rregulluar me ligj ajo prapë funksion në bazë të traditës. Në shumë familje deklaratat bëhen te noteri dhe trashëgimia më shumë u jepet vëllezërve. Ka një mungesë informacioni për përgjegjësitë dhe për garancitë që u jep ligji femrave për trashëgimi", ka thënë ai.

Po ashtu këtë problem ai e sheh edhe në një rreth më të gjerë dhe jo vetëm në Kosovë.

"Situata ekonomike, sociale e femrave është e vështirë. Në Evropë dhe jo vetëm në Kosovë numri i femrave që punojnë është mjaft e ulët", ka shtuar ai

Jan Braathu, ambasador i OSBE-së për Kosovë, ka thënë se në Kosovë ende ekziston mendësia e patriarkalit, ku në një shtëpi rolin kryesor e ka burri.

"Kjo është një temë që nuk duhet të diskutohet vetëm për 8 Mars, por duhet përgjatë tërë vitit. Sipas ligjit në Kosovë femrat dhe meshkujt janë të barabartë, mirëpo në praktikë kjo gjë është ndryshe. Gratë nuk kanë prona as të tyre, por as të trashëguara. Praktikat patriarkale janë të pranishme në Kosovë", ka thënë Braathu.

Braathu ka përmendur edhe ndikimin që ka pasur Kanuni i Lekë Dukagjinit me rregullat  tij dhe tanimë nuk është koha të jetojmë me rregulla të tilla.

"Ne më nuk jetojmë në Kanunin e Lekë Dukagjinit, por në një shoqëri demokratike ku gratë kanë të drejta. Tani gratë duhet të marrin pjesë të barabartë në çështje ekonomike dhe sociale", ka shtuar ai.

Në anën tjetër ministri i Drejtësisë, Ableard Tahiri, ka thënë se pavarësisht ndikimit nga historia e kultura Kosova është duke shënuar përparim në aspektin e trashëgimisë.

"Përmes ndryshimeve në ligj ne do t’u garantojmë grave më shumë të drejta ku do të bazohen edhe në ato evropiane. Tani jemi duke i eliminuar disa probleme që kanë të bëjnë me të drejtat pronësore", ka thënë Tahiri.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në Kuvendin e Kosovës, Duda Balje, ka thënë se këtë problem e sheh si një  konflikt të vazhdueshëm mes ligjit dhe traditës. "Ne kemi ligje në Kosovë, por që nuk bazohen në praktikë. Gjërat bazohen në kulturë. Ka raste kur kam dëgjuar duke thënë se unë nuk dua të marrë trashëgimi pasi dua ta respektoj vendimin e babait tim", ka thënë ajo.

Sipas Duda Baljes, heqja dorë nga pasuria shpesh ndodh për arsye të frikës që nuk do të gjejnë mbështetje në jetë. “Gratë heqin dorë nga trashëgimia për të qenë një grua e mirë, një vajzë e mirë, një motër e mirë nga frika se nuk do të kenë mbështetje në familje”, ka shtuar ajo.