Serbët e Kosovës duan përgjithmonë sistemin e arsimit të Serbisë

Aktuale March 09, 2018 - 07:57

Debati i brendshëm serb për raportet në mes të Serbisë dhe Kosovës tani është shtrirë edhe në Kosovë. Në veri të Mitrovicës, në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetit serb të Mitrovicës, të enjten është debatuar për arsimin, ndërkohë që në disa qytete të Serbisë është zhvilluar dialogu për gjyqësorin, për policinë, për shëndetësinë dhe për ekonominë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin serb të Prishtinës, selia e të cilit është në veri të Mitrovicës, është mbajtur tryeza e parë në Kosovë e dialogut të brendshëm të Serbisë, që ka për synim çështjen e normalizimit të raporteve në mes të Serbisë dhe të Kosovës.

LEXO EDHE: Qeverisja “pa krahë” e Shpendit

Debati në Mitrovicë është i pari që organizohet në Kosovë, ndërsa më përpara në disa qytete të Serbisë është zhvilluar dialogu i brendshëm serb për gjyqësorin, për policinë, për shëndetësinë dhe për ekonominë.

Në këtë debatin e së enjtes kanë marrë pjesë Nikolla Selakoviq, sekretar i presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, zëvendësdrejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë Dushan Kozarev, ministri kosovar për Kthim dhe Komunitete Dalibor Jevtiq, rektori i Universitetit të Prishtinës me seli në Mitrovicën e Veriut Rade Grbiq, kryetari i Mitrovicës së Veriut Goran Rakiq, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit të Serbisë dhe studentë e profesorë, shkruan tutje "Zëri".

Sekretari gjeneral i presidenti të Serbisë Nikolla Selakoviq, pas përfundimit të debatit ka thënë se Universiteti serb i Mitrovicës është inkubator i edukimit të numrit më të madh të të rinjve në këtë pjesë, siç thoshte vazhdimisht Selakoviq, “të Serbisë”.

Ai shtoi se ky universitet është potenciali më i madh zhvillimor, siç tha ai “në krahinën jugore”.

“Kushtet me të cilat punohet në Universitetin e Prishtinës në Mitrovicë, gjithnjë janë më të mira. Nuk janë ende ashtu siç i dëshirojmë, por besoni se tani kushtet janë më të mira se para 5 vjetëve. Njerëzit janë të vendosur që të marrin pjesë në krijimin e të ardhmes së tyre, që t’i zgjidhin problemet të cilat janë trashëguar nga e kaluara dhe të cilët janë të gatshëm ta ndihmojnë shtetin e tyre që të mbijetojë aty ku ende ekziston, në Kosovë dhe që ta mbrojë”, ka thënë Selakoviq.  Selakoviq siguroi se në Kosovë Serbia mbrohet me dije, duke mësuar dhe duke investuar në vetveten.

Ndërkaq zëvendësdrejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Dushan Kozarev, tha se është e rëndësishme që në kuadër të dialogut të brendshëm të marrë pjesë edhe populli serb i Kosovës dhe se biseda me studentët është e rëndësishme.

“Nuk mund ta realizojmë atë që dëshirojmë kur bëhet fjale për popullin tonë në Kosovë, pa sistemin e arsimit të Serbisë në Kosovë”.

Dalibor Jevtiq, zëvendëskryeministër i Kosovës dhe njëherësh ministër për Kthim e Komunitete, tha se kthimi i të zhvendosurve në Kosovë është çështje e komplikuar dhe në këtë kuptim po ka probleme ekonomike dhe të sigurisë, një tjetër problem i madhe është uzurpimi i pronave.

“Në të njëjtën kohë, as sa është i rëndësishëm kthimi, është i rëndësishëm qëndrimi e pikërisht Universiteti në Mitrovicë. Njerëzit e rinj janë të vendosur që të jetojnë këtu dhe se janë krijuar kushte për një jetë në Kosovë. Që të jemi sa më shumë në Kosovë duhet të marrim parasysh të gjithë atë që do të kontribuojë në realizimin e këtij qëllimi. Në këtë drejtim është shumë i rëndësishëm arsimimi”, ka thënë Jevtiq.

Për rektorin e Universitetit serb të Mitrovicës, Rade Grbiq, institucionet shkollore janë shumë të rëndësishme për mbetjen e serbëve në Kosovë. Ai shfaqi shpresën se Serbia do të jetë gjithmonë e pranishme në Kosovë dhe se ajo asnjëherë nuk do të heqë dorë nga Kosova.

E ndërkaq Goran Rakiq, kryetar i Mitrovicës së Veriut, tha se qeverisja lokale është servis i qytetarëve, në shërbim të qytetarëve.

“Mendoj se përfaqësuesit e Qeverisë dhe të Zyrës për Kosovën janë servisi ynë. Mendoj se me një raport të tillë njerëzor mund t’i tejkalojnë të gjitha vështirësitë dhe t’i përmirësojmë kushte për studentët. Studentët janë e ardhmja, jo vetëm e qytetit, por edhe e shtetit të Serbisë”, është shprehur Rakiq. 

Ndryshe, në Universitetin serb të Mitrovicës, të cilin serbët kanë dëshirë ta quajnë Universiteti i Prishtinës, studiojnë mbi 10 mijë studentë në 10 fakultete. Disa fakultete të këtij Universiteti funksionojnë në Leposaviq, në komunën më veriore të Kosovës.