Pacolli: Demarkacioni përmbyllet këtë javë

Aktuale March 06, 2018 - 08:30

Numri dy i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se këtë javë pritet të përmbyllet Demarkacioni me Malin e Zi. Sipas tij, Lista Serbe s’ka kurrfarë kushti për ta votuar Marrëveshjen

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, beson që Demarkacioni me Malin e Zi do të ratifikohet nga Kuvendi gjatë kësaj jave.

Këto komente numri dy i Qeverisë së Kosovës i ka bërë gjatë një interviste për gazetën Zëri, duke shtuar se ratifikimi tashmë është çështje ditësh dhe se pret që edhe Lista Serbe ta votojë Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Vjenës.

Pacolli po ashtu ka thënë se Lista Serbe nuk ka vënë ndonjë kusht në këmbim të votës për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.

Kreu i diplomacisë kosovare ka potencuar se pas përmbylljes së këtij procesi ai do ta fillojë një turne vizitash në kryeqendrat e vendimmarrjes në kuadër të lobimit për liberalizimin e vizave, si dhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

LEXO EDHE: Ende s’ka draft të ri për Asociacionin

Zëri: Seanca për Demarkacionin është ndërprerë tri herë. A do të vazhdojë kjo seancë gjatë kësaj jave apo kur konkretisht?

Pacolli: Fillimisht jam shumë i lumtur për dakordimin e spektrit politik shqiptar (pa “Vetëvendosjen”), sepse është shumë e nevojshme që një herë e mirë ta kuptojmë që proceset e mëdha kërkojnë konsensus në veprim. Si demokraci e re parlamentare Kosovës i duhet një shumicë stabile, veçmas kur është fjala për të ashtuquajturat “temat e mëdha”. Besoj që Demarkacioni do të përmbyllet këtë javë.

Zëri: A i keni siguruar votat për ta miratuar këtë Marrëveshje?

Pacolli: Jemi të përkushtuar fuqishëm t’i kemi numrat e nevojshëm, edhe pse do të ishte ideale të mos flasim për 80-shin e kërkuar, por që këtë Marrëveshje ta votojmë me unanimitet të plotë. Në rrethana të tilla do ta siguronim një momentum të ri, i cili i dërgon mesazh komunitetit ndërkombëtar që përkrah synimet tona, që ne jemi të vendosur ta ndjekim një perspektivë evropiane përtej liberalizmit të vizave. Sigurimi i konsensusit të plotë brendashqiptar do të ishte faktor i rëndësishëm që edhe Lista Serbe t’i bashkohet këtij procesi të rëndësishëm dhe për qytetarët që ky subjekt përfaqëson. Jam i bindur që kalimi i Demarkacionit është çështje ditësh dhe me padurim pres që të angazhohem fuqishëm në rrethana të një momentumi të ri që të krijohet. Personalisht pas përmbylljes së këtij procesi do ta lansoj një “Tour vizitash” në kryeqendrat e vendimmarrjes për liberalizimin, që do të ishte vetëm njëri nga proceset me të cilat Kosovës i ofrohet ajo çfarë e meriton e me këtë do të mundë të fokusoheshim ne temat e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe në projekte strategjike e zhvillimore. Është koha për hapjen e një kapitulli të ri dhe për zënien e trendëve të rinj.

Zëri: A keni zhvilluar takime me Listën Serbe, a është bindur kjo parti për ta votuar Demarkacionin?

Pacolli: Si partnerë të koalicionit ne zhvillojmë takime të rregullta. Besoj që edhe Lista Serbe do ta japë kontributin e vet në këtë drejtim dhe do të votojë pro.

Zëri: A ka vendosur ndonjë kusht Lista Serbe, pasi ka pasur shkrime se në këmbim të votës për Demarkacionin kjo parti ka kërkuar formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si dhe formimin e dy komunave të reja serbe?

Pacolli: Nuk mund të them se a do ta votojnë apo jo, mund të them se Demarkacioni do të kalojë, diçka që e bën temën e kushteve dhe të kushtëzime, çfarëdo qofshin apo ngado që vijnë, të panevojshme për t’u adresuar. Por, për hir të korrektësisë mund të them se nuk ka asnjë lloj kushti as nga Lista Serbe.