Të liberalizuarit po na izolojnë

Aktuale March 05, 2018 - 08:08

Shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës që tashmë nuk po e votojnë Demarkacionin me Malin e Zi, kryesisht ata të lëvizjes “Vetëvendosje”, të cilët do t’i hapnin rrugën liberalizimit të vizave, kanë edhe pasaporta të shteteve tjera me të cilat mund të udhëtojnë lirshëm në Bashkimin Evropian, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Pasaportë me të cilën mund të lëvizin lirshëm në Zonën Shengen kanë edhe deputetë nga radhët e pozitës e edhe të opozitës, por janë të gatshëm ta votojnë Marrëveshjen për Shënjimin e Kufirit.

Ndërsa deputetët e Listës Serbe, të cilët nuk e kanë votuar Demarkacionin thuhet se kanë pasaporta edhe të Serbisë.

Deputeti Milaim Zeka thotë për Zërin se ka pasaportë suedeze, por është i gatshëm ta votojë Demarkacionin.

Ai kritikon deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje” se nuk po e votojnë këtë marrëveshje ndonëse kanë pasaporta të tjera me të cilat mund të lëvizin lirshëm në BE.

LEXO EDHE: Demarkacioni mund të mos procedohet këtë javë

“Nuk kam pasaportë të Kosovës, unë kam pasaportë të Suedisë. Shumica e ‘Vetëvendosjes’ kanë më shumë se një pasaportë. Unë mendoj që po tallen me qytetarët e Kosovës dhe po shesin patriotizëm. Kjo është tallje dhe ikje nga problemet reale të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Zeka.

Zëdhënësja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Tinka Kurti, e pyetur nga gazeta Zërise a kanë deputetët e “Vetëvendosjes” pasaporta të Shqipërisë dhe të shteteve tjera ka thënë se ata janë të pajisur me pasaportë të Shqipërisë, derisa nuk ka treguar nëse kanë ndonjë pasaportë tjetër të huaj.

“Albin Kurti, Glauk Konjufca, Visar Ymeri, Liburn Aliu, Dardan Molliqaj, Aida Derguti janë pajisur me pasaporta të Republikës së Shqipërisë nga ish - presidenti Bujar Nishani. Deputeti Rexhep Selimi nuk ka pasaportë të Republikës së Shqipërisë, ndërkaq z. Kurti nuk ka pasaportë të Norvegjisë”, ka thënë ajo.

Ndërsa deputeti Fisnik Ismaili ka treguar për “Zërin” se ai ka pasaportë të Britanisë së Madhe, mirëpo kjo nuk është arsyeja pse ai është kundër Demarkacionit, votimi i të cilit do t’i hapte rrugë liberalizimit të vizave. “Po unë kam pasaportë të Britanisë së Madhe. Unë kam qenë refugjat në Angli. Unë mund të kisha qëndruar në Angli dhe nuk do të isha kthyer në Kosovë dhe vetë fakti që jam kthyer në Kosovë edhe po punoj e po veproj në Kosovë po tregon se çfarë sakrifice kam bërë, e kam lënë Britaninë. Unë thjesht nuk besoj se ka për të pasur liberalizim të vizave edhe nëse votohet Demarkacioni”, ka thënë ai.

Deputeti i “Vetëvendosjes” Ismail Kurteshi ka thënë se ai ka vetëm pasaportë të Kosovës. Sipas tij, deputetët e “Vetëvendosjes” janë pro liberalizimit të vizave, por që nuk do të votojnë Demarkacionin me këtë variant. “Unë e kam vetë një pasaportë dhe ajo është pasaporta e Republikës së Kosovës. Nuk e di çfarë pasaportash kanë deputetët tjerë. Mirëpo ajo çfarë është me rëndësi është se deputetët e ‘Vetëvendosjes’ janë për liberalizim të vizave. Janë edhe për votim të Demarkacionit me Malin e Zi, por nuk janë që ta votojnë këtë variant i cili e dëmton Kosovën për 8.200 hektarë. Qëndrimi ynë është parimor, nuk falim tokë për asgjë, nuk e kemi atë të drejtë, askush nuk ka të drejtë ta falë”, ka thënë Kurteshi për “Zërin”.

Pasaportë të huaj kishte deklaruar që ka edhe deputeti Labinot Tahiri.

Në anën tjetër deputeti nga radhët e PDK-së Memli Krasniqi dhe ai i “Vetëvendosjes” Ali Lajçi kanë thënë për “Zërin” se nuk kanë pasaporta tjera pos asaj të Kosovës.

Zëri” ka provuar të marrë informata edhe nga Kuvendi, edhe nga ministritë përkatëse në lidhje me numrin e deputetëve që kanë pasaporta të huaja, por zyrtarë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe ata të Kuvendit kanë thënë se nuk mbajnë këto të dhëna.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë thënë për “Zërin” se kjo Ministri ka informacione vetëm për qytetarët që janë të pajisur me pasaporta të Kosovës. “Departamenti për Prodhimin e Dokumenteve në kuadër të Agjencisë për Regjistrimin Civil ka informacion vetëm për qytetarët që janë pajisur me pasaporta të Republikës së Kosovës, por jo edhe për pasaporta të shteteve tjera. Sipas legjislacionit në fuqi shtetasit e Kosovës mund të kenë vetëm një pasaportë të rregullt, ndërsa nëse kanë pozitë të lartë politike ose janë diplomatë ata mund të pajisen edhe me pasaportë diplomatike ose zyrtare. Ministria e Punëve të Jashtme është kompetente për lëshimin e pasaportave diplomatike dhe zyrtare”, thuhet në përgjigjen e tyre. /ZERI/