Demarkacioni mund të mos procedohet këtë javë

Aktuale March 05, 2018 - 07:55

Pasi dështoi tri herë që të marrë epilog, Marrëveshja e Demarkacionit mund të mos dalë për votim as këtë javë.

Kështu kanë bërë të ditur për gazetën Zëripërfaqësues nga Kryesia e Kuvendit, të cilët kanë thënë se kjo marrëveshje mund të mos futet fare në rend dite gjatë kësaj jave.

Duke folur rreth kësaj çështjeje nga Kryesia kanë thënë se kështu do të vazhdohet derisa të sigurohen numrat për ta miratuar Marrëveshjen për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi.

LEXO EDHE: Kostoja e izolimit, mbi 25 milionë euro për viza

Nga ana tjetër, ani pse ende nuk dihet nëse Lista Serbe është bindur apo jo që ta votojë këtë marrëveshje, AAK-ja e LDK-ja po vazhdojnë të mos pajtohen sa i përket marrëveshjes së arritur mes tyre dhe dy partive të tjera të koalicionit (PDK-ja e Nisma).

Përderisa nga AAK-ja po këmbëngulin se marrëveshja është ndryshuar dhe si e tillë nuk do të pranohet, nga LDK-ja, duke u shprehur të vendosur se nuk ka lëvizur asnjë pikë, as presje, paralajmërojnë negociata të reja nëse AAK-ja vazhdon me këtë qasje, shkruan tutje "Zëri".

Derisa demarkacioni po vazhdon të mos përmbyllet ende, ekspertët e proceseve integruese alarmojnë se Kosovës mund t’i mbyllen tërësisht dyert sa i përket liberalizimit të vizave.

Për shkak të zgjedhjeve në institucionet e BE-së që pritet të mbahen vitin që vjen, ata e cilësojnë të domosdoshëm miratimin e demarkacionit sa më parë.

Haliti: Kur të sigurohen numrat Demarkacioni shkon në seancë

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë për “Zërin” se Demarkacioni mund të mos futet në rend dite as këtë javë, porse ai ka pohuar se një gjë e tillë do të ndodhë në momentin kur të sigurohen numrat. “Nuk kam asnjë informacion tjetër përveç atyre që i kemi pasur më herët. Po besoj dhe po shpresoj që do të kalojë. Edhe këtë javë nuk e di a mund të futet në rend të ditës për arsye të ndryshme, sepse është një javë edhe festive, edhe kanë mbetur disa çështje pa u trajtuar në Parlamentin e Kosovës. Sidoqoftë, në momentin kur do të ketë një marrëveshje eventuale që numri i votave të jetë i mjaftueshëm besoj se edhe ne do ta dërgojmë”, ka thënë ai për “Zërin”.

I pyetur se sa mund të zvarritet çështja e demarkacionit nëse nuk procedohet as këtë javë për votim, ai ka thënë se kjo do të ndodhë derisa marrëveshja të ratifikohet.

Ndërkohë duke folur rreth çështjes së numrave, Haliti ka deklaruar se ende nuk e di nëse Lista Serbe do ta mbështesë apo jo këtë marrëveshje. “Nuk kam asnjë informacion sa i përket Listës Serbe. E di që është biseduar, por nuk kam informacion se a është bindur për të votuar apo jo”, ka shtuar ai.  

Lidhur me mbajtjen e seancës dhe me çështjen e numrave nuk ka dhënë detaje as shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi. “Nuk kam përgjigje. Shohim gjatë javës kur të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit”, ka thënë shkurt ai.  

AAK: S’ka ndryshim, mbetet propozimi që ka bërë Haradinaj

Ndërkaq deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do ta ketë mbledhjen Kryesia, ku më tej do të bëhet e ditur se çfarë do të ndodhë. “Të hënën është mbledhja e Kryesisë, ata vendosin se kur do të mbahet seanca. Pastaj të shohim”, ka deklaruar ai.

Mirëpo nënkryetari i Kryesisë, Xhavit Haliti, është shprehur i painformuar sa i përket mbledhjes së Kryesisë. I pyetur rreth kësaj çështjeje, Haliti ka thënë për "Zëri"  se ende nuk ka marrë ndonjë ftesë.

Ndërkohë duke folur rreth përplasjes së fundit mes AAK-së e LDK-së sa i përket marrëveshjes së arritur për ta kaluar Demarkacionin, Selmanaj ka bërë të ditur se AAK-ja nuk pranon ndryshime sa i përket kësaj çështjeje. “Propozimin që e ka bërë kryeministri, ai mbetet, ndryshim nuk ka. S’ka arsye që LDK-ja të kundërshtojë sepse është pajtim i krejt partive, janë marrë vesh, nuk mund të ndërrohet tash ajo”, ka theksuar ai.

LDK: Nëse AAK-ja insiston procesi duhet të kthehet në pikën zero

Lidhur me këtë çështje deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se nëse AAK-ka vazhdon të ngulë këmbë se marrëveshja është ndryshuar, atëherë duhet të rihapen sërish negociata, kjo meqë marrëveshja në fjalë nuk është ndryshuar për asnjë pikë dhe asnjë presje, ashtu siç po pretendon partia e kryeministrit Haradinaj.  “I bie që do të hapet proces i ri i negociatave, të diskutohet edhe një herë. Për LDK-në gjithsesi është i mbyllur sepse ne e kemi diskutuar, jemi marrë vesh. Nëse dikujt i ka rënë në mend diçka tjetër, atëherë i bie që të kthehet në pikën zero dhe të diskutohet edhe një herë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas deputetit të LDK-së, nuk ka pasur kurrfarë mospajtimesh kur është nënshkruar marrëveshja, porse akuzat kanë dalë më vonë. “E njëjta ka shkuar edhe në Komisionin Parlamentar, kur e ka marrë edhe aprovimin, ku edhe përfaqësuesja e AAK-së ka qenë pjesë e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme. Nuk ka pasur dallime në tekstin e marrëveshjes, por më pas ata kanë kërkuar diçka tjetër, jo atë çka jemi marrë vesh. Ne si LDK vazhdojmë ta mbështesim marrëveshjen që e kemi arritur edhe me AAK-në, edhe me PDK-në, edhe me Nismën”, ka theksuar ai.

Megjithëkëtë, Selmanaj është shprehur optimist se koalicioni qeverisës do të reflektojë dhe se këtë javë, kur do të mbahet vazhdimi i seancës, do të përmbyllet çështja e demarkacionit. “Është folur shumë brenda Kuvendit që java e ardhshme do të jetë përcaktuese: e mërkura, e enjtja, nuk e di. Presim që të bindet Lista Serbe për ta votuar. Problemi është te koalicioni qeverisës që nuk po arrin t’i bindë ata të cilët janë pjesë e koalicionit sepse ne jemi parti opozitare. Uroj që ata të binden dhe të gjejnë mirëkuptimin reciprok, pa bërë lëshime në dëm të interesit të Kosovës. Ne e kemi votën për. I bëjmë thirrje AAK-së që ta respektojë marrëveshjen e arritur, topi është në anën e koalicionit”, ka nënvizuar ai. 

Nisma mbështet kalimin e Demarkacionit

Pavarësisht zhvillimeve të fundit deputetja e Nismës Socialdemokrate, Albulena Balaj-Halimaj, ka bërë të ditur se ky subjekt do ta mbështesë kalimin e Demarkacionit. Sa i përket vazhdimit të seancës, Halimaj ka thënë se ajo do të duhej të mbahej këtë javë.

“Besoj që gjatë javës do të duhej të mbahej. Qëndrimin e Nismës për Demarkacionin tashmë e dini, shumë herë e kemi përmendur”, ka deklaruar ajo për "Zërin".

Megjithatë, Balaj-Halimaj nuk ka dhënë garanci se kjo marrëveshje do të kalojë në seancën që pritet të mbahet. “Nuk e di. Sa i përket Nismës, ne jemi shprehur të gatshëm të votojmë për shkak që aneks-marrëveshja na jep një hapësirë që brenda 2-3 vjetëve të mundë ta rregullojmë. Përndryshe, a mbahet apo s’mbahet, a kalon apo s’kalon, varet prej secilit deputet”, ka shtuar ajo.

Ndërkohë lëvizja “Vetëvendosje” tashmë ka pohuar se deputetët e saj nuk do ta mbështesin këtë marrëveshje. 

Prenkaj: Ky vit, afati i fundit për ta zënë hapin e liberalizimit

Në anën tjetër Adrian Prenkaj, njohës i proceseve integruese (ish-diplomat i Kosovës në Washington), ka bërë të ditur se ky vit është afati i fundit për ta kaluar Demarkacionin dhe për ta zënë hapin për heqjen e vizave. “Sivjet është afati i fundit sepse prapë në vitin e ardhshëm BE-ja hyn në vitin zgjedhor dhe çështja e liberalizimit të vizave gjithmonë është një çështje jo shumë e volitshme për politikanët e BE-së, për shtetet anëtare. Kështu Kosova sivjet e ka afatin e fundit që ta kalojë Demarkacionin”, ka deklaruar ai.

Sipas Prenkajt, zgjedhjet në institucionet e Bashkimit Evropian, që do të mbahen vitin që vjen, mund ta penalizojnë Kosovën nëse nuk e ratifikon Demarkacionin. “Kosova tash ka një përkrahje më të gjerë në Parlamentin Evropian, më problem është pozicioni i shteteve anëtare sepse liberalizimi është në kompetencën e përbashkët të institucioneve të BE-së dhe të shteteve anëtare. Por, më shumë do të jetë vendimtar pozicioni i disa shteteve, siç është Gjermania apo Franca. Gjermania luan një rol të rëndësishëm, por vitin zgjedhor kjo mund të jetë një temë që mund të lihet dhe të shtyhet akoma më shumë”, ka shtuar ai.

Gjatë bisedës ai ka bërë të ditur se po qe se Marrëveshja e Demarkacionit nuk kalon Kosova pos që do të ngelet pa viza do të shpërfaqë edhe mosgatishmërinë e saj për t’i shtyrë përpara vendimet e mëdha dhe reformat. “Kalimi i Demarkacionit është një dëshmi për Kosovën se ajo është një partner shumë kredibil dhe që mund t’i shtyjë përpara reformat. Nëse kjo marrëveshje nuk kalon, atëherë Kosova do të tregohet se nuk mund t’i shtyjë përpara reformat”, ka potencuar ai.

Ismajli: Nëse Demarkacioni s’kalon këtë javë, Qeveria të bjerë

Ndërkohë profesori i shkencave politike, Dashnim Ismajli, ka vlerësuar se Demarkacioni nuk do të kalojë pa favore ndaj Listës Serbe, meqë koalicionit qeverisës i nevojiten patjetër votat e kësaj partie për ta miratuar marrëveshjen në fjalë. “Lista Serbe po e shfrytëzon mjaft mirë situatën e krijuar në favor të saj. Andaj, ky mosreagim më shumë mund të konsiderohet politikisht presion ndaj Qeverisë për ta marrë me prioritet të lartë Asociacionin e Komunave Serbe dhe propozimet e tjera të pakicës serbe në raport me shumicën shqiptare”, është shprehur ai. Megjithatë sipas Ismajlit, kjo marrëveshje duhet të marrë epilog sa më parë pas zvarritjes së madhe që i është bërë nga institucionet.

“Kjo marrëveshje është dashur të miratohet edhe më herët, pasi me këtë zvarritje të kohës marrëveshja nuk ka pësuar ndryshime, është e njëjta gjë që do të miratohet. Mendoj se politika duhet ta marrë përgjegjësinë për zvarritjen e gjithë këtij procesi dhe për lënien e shtetit në izolim për vite me radhë duke bllokuar proceset dhe perspektivën integruese të vendit”, ka potencuar Ismajli. Në të kundërtën, po qe se kjo marrëveshje dështon të kalojë edhe për të katërtën herë me radhë Ismajli ka konsideruar se qeveria “Haradinaj” duhet të rrëzohet. /ZERI/