Tahiri: Liberalizim të vizave nuk do të ketë as brenda këtij viti!

Aktuale February 23, 2018 - 18:52

Njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri në prononcim dhënë për “Gazeta Blic”, ka komentuar zhvillimet e fundit në vend në lidhje me demarkacionin me Malin e Zi.

Tahiri tha se nuk beson që partitë politike të vendit mund t’i japin epilog pozitiv çështjes së demarkacionit.

Sipas tij as brenda këtij viti qytetarët nuk do mund të lëvizin lirshëm.

“Nuk besoj që partitë politike të Kosovës mund ti japin epilog pozitiv dhe të zgjidhin çështjen e demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi dhe të mundësojnë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës brenda këtij viti”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se përderisa VV dhe Lista Serbe nuk japin votën e tyre pro demarkacionit edhe po të votojë LDK, prapë do ju mungojnë votat për ta ratifikuar marrëveshjen.

“Është para se gjithash mungesa e numrave përderisa Vetëvendosje dhe Lista Serbe janë shprehur kundër votimit të demarkacionit që së bashku do të thotë 42 deputetë dhe nëse të gjithë të tjerët janë prezentë dhe votojnë për janë gjithsej 78 deputetë, pra ju mungojnë edhe dy vota për të ratifikuar marrëveshjen”, është shprehur ai.

Tutje, Tahiri ka folur edhe për deklaratën e sotme të kryeministrit Haradinaj dhe grupit parlamentar të LDK-së në lidhje me kundërshtitë që këto dy palë kanë mes vete për demarkacionin.

“Dallimet ndërmjet LDK dhe Kryeministrit Haradinaj janë të thella dhe të papajtueshme edhe konceptualisht. Në këtë ka edhe lënie fajit njëri tjetrit për pasojat e mos votimit të demarkacionit. Kryeministri i ka dërguar në kuvend për ratifikim dokumentet që nuk i posedon dhe nuk i ka miratu dhe nuk i ka ratifiku në Kuvend Mali i Zi.

LDK tash shpjegon se kjo është shmangie nga Rregullorja e punës dhe nga norma ndërkombëtare. Qeveria duket qëllimisht i ka dërguar të gjitha këto në Kuvend edhe pse është koalicion i disa partive e që domosdoshmërish nuk e shpreh vetëm qëndrimin e AAK lider i së cilës është Kryeministri, i cili ka mundur në Kuvend ta dërgojë vetëm materialin e Komisionit Bulliqi me të cilin Kosovës si thotë ai i kthehet toka e humbur. Po ta bënte këtë atëherë ky propozim do ti merrte votat e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës përveç të Listës Serbe”, ka thënë Tahiri, raporton Gazeta Blic.

“VV gjithë kohës ka pasur qëndrimin e njëjtë ndërsa LDK tash janë deklaruar se do të votojnë çdo projektligj që e kthen përkatësisht e vendosë kufirin e Kosovës në Çakorr dhe në Kullë”, ka përfunduar ai.

Duhet theksuar se edhe një ditë më parë ka dështuar të mbahet seanca në mungesë të votave të mjaftueshme për ta miratuar marrëveshjen e Demarkacionit në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka vendosur që seanca e jashtëzakonshme për demarkacionin të mbahet të mërkurën.

Ky vendim u mor me shumicë votash nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Kujtojmë se po të njëjtën ditë kur mbahet Seanca pritet që delegacioni evropian të arrijë në Kosovë.