AAK e quan të padrejtë kërkesën e LDK-së për demarkacionin

Aktuale February 22, 2018 - 22:22

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur sot të zhvillojë seancën e paraparë për votimin e Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, kjo për faktin e mungesës së numrit të votave.

Kuvendi e ka shtyrë për nesër (e premte) seancën e jashtëzakonshme, ku në rend dite është votimi i kësaj marrëveshje.

Qeveria e Kosovës këtij Projektligji ia ka bashkangjitur raportin e Komisionit shtetëror të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, raport ky i cili nuk e mbështetë Marrëveshjen e arritur me Malin e Zi më 2015, si dhe Deklaratën e nënshkruar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, përmes së cilës shprehet gatishmëria dypalëshe për korrigjimin e gabimeve eventuale gjatë procesit të Demarkacionit të kufirit.

Rreth kësaj çështje Lidhja Demokratike e Kosovës po kërkon që raporti i Komisionit shtetëror apo siç njihet në opinion si “raporti i Bulliqit” të mos jetë pjesë e Projektligjit.

E pikërisht kjo po del të jetë edhe arsyeja që sot shefat e grupeve parlamentare të të gjitha subjekteve nuk kanë mundur të arrijnë një konsensus për këtë.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi në një prononcim për Telegrafin, theksoi se kërkesa e LDK-së për mospërfshirjen e raportit të Komisionit shtetëror në Projektligjin për demarkacion, është pa e drejtë.

“LDK ka kundërshtuar përfshirjen e raportit të Bulliqit dhe normalisht nuk kanë të drejtë sepse pikërisht raporti i komisionit shtetëror ka gjetur gabimet të cilat i ka shkaktuar komisioni paraprak i shkarkuar”, ka thënë Isufi.

Ai ka thënë se zgjidhja e duhur për këtë do të ishte votimi i Projektligjit në formën siç është.

“Zgjidhja është që të votohet Projektligji i ofruar i cili mundëson korrigjimin e gabimeve të cilat i ka bërë komisioni i qeverisë së mëhershme”, u shpreh Isufi.

Në anën tjetër LDK përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se në takimet me partitë e koalicionit qeverisës, ka ofruar zgjidhjen më të arsyeshme, e cila i hap rrugë ratifikimit të Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

“LDK-ja u bën thirrje partive të koalicionit qeverisës që të dakordohen me zgjidhjen e propozuar nga LDK-ja dhe t’i sigurojnë votat e shumicës qeverisëse. LDK-ja i siguron qytetarët se vullneti i saj është në përputhje të plotë me vullnetin e tyre për lëvizje të lirë dhe se grupi jonë parlamentar është unik në këtë qëndrim”, është thënë në njoftimin e LDK-së.

Ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, mbetet kushti i fundit, që i ka vënë Komisioni Evropian Kosovës, në procesin e liberalizimit të vizave.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Si e tillë, kjo marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës.

Pa ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, Komisioni Evropian e ka bërë të qartë se Kosova nuk mund të përfshihet në agjendën për liberalizimin e vizave.