Dita ''D''

Aktuale February 22, 2018 - 07:48
Sot vendosin deputetët nëse do ta miratojnë Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi apo do t’i thonë “Jo” asaj

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot do të vendosin nëse do ta miratojnë Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi apo do t’i thonë “Jo” asaj. Lëvizja “Vetëvendosje” është kundër saj, ndërsa shpresat për kalimin e Demarkacionit janë te votat e Listës Serbe, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kuvendi i Kosovës sot pritet të vendosë nëse do ta votojë Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi apo jo, marrëveshje kjo që nuk arriti të votohet nga 2/3 të deputetëve të legjislativit për gati tre vjet.

Drejtues të koalicionit qeverisës përpos deklaratave se kjo marrëveshje duhet të votohet, në mënyrë që vendi ta fitojë liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian, ende nuk janë të sigurt nëse i kanë votat e nevojshme të deputetëve.

Për t’u miratuar kjo marrëveshje nevojiten edhe votat e deputetëve të Listës Serbe, të cilët siç thuhej jozyrtarisht kanë kërkuar që votën e tyre pro ta japin me kusht që institucionet e vendit ta themelojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, shkruan tutje "Zëri".

Në anën tjetër një marrëveshje të tillë vazhdon ta kundërshtojë partia më e madhe opozitare, lëvizja “Vetëvendosje”, e cila ishte kundër saj që nga nënshkrimi në vitin 2015.

Ndërkohë pro kësaj marrëveshje janë deklaruar deputetët e LDK-së.

Veseli: Demarkacioni të kalojë, s’mund të shtyhet më tutje

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka konfirmuar që seanca e Kuvendit të Kosovës do të mbahet sot me fillim prej orës 11:00.

"Kryesia ka vendosur që të enjten të mbahet seancë e jashtëzakonshme në një pikë të vetme të rendit të ditës. Nesër politika ka rastin të bashkohet pa asnjë dallim. Është e rëndësishme për qytetarët tanë sepse ndërlidhet me lëvizjen e lirë. Unë besoj se do ta kenë parasysh deputetët këtë çështje që të veprojnë mbi inatin e së shkuarës. Shënjimi i kufirit duhet të kalojë. Ajo çka kisha kërkuar është që të kemi besim sepse kjo çështje s’mund të shtyhet më tutje", ka thënë Veseli.

I pyetur për Listën Serbe, Veseli ka thënë se është i bindur që do të përfundojë sot kjo marrëveshje që të mos mbahen më tutje qytetarët peng.

“Të enjten gjërat janë të qarta në seancë. Votohet shënjimi i kufirit me Malin e Zi dhe ratifikohet Marrëveshja e Kufirit. Jam i përgatitur që do të ndodhë kjo dhe liberalizimi i vizave”, ka thënë Veseli.

Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka treguar se PDK-ja është unike për ta votuar Demarkacionin, por është shprehur i shqetësuar se nuk do të arrihet të bëhen të gjitha votat.

Isufi: Ende jemi në bisedime për vota

Ahmet Isufi, nga AAK-ja, ka konfirmuar që koalicioni qeverisës ende nuk ka arritur t’i sigurojë të gjitha votat pasi janë ende në bisedime me të gjitha grupet parlamentare.

“Jemi në një situatë ku do të ndryshohet gjendja. Votat do të shihen nesër pasi jemi në komunikim me të gjitha grupet parlamentare", ka thënë ai.

Ai ka thënë se materialet që i janë dërguar deputetëve kanë të gjetura të reja dhe tha se AAK-ja e voton këtë marrëveshje pasi mundësohet korrigjimi i kësaj marrëveshjeje.

Ndërkaq i pyetur se çfarë garanton që Mali i Zi do ta zbatojë këtë marrëveshje Isufi tha se “marrëveshja e presidentëve e angazhon Parlamentin që ta votojë, ndërkaq Qeveria përmes komisioneve të përbashkëta t’i korrigjojë gabimet”.

Ndërkohë deputetët e Listës Serbe ende nuk janë deklaruar nëse do të votojnë pro apo kundër kësaj marrëveshjeje. Sipas informacioneve të fundit atyre po u bëhet presion ndërkombëtar që të mos e bllokojnë Demarkacionin në Kuvend.

Në anën tjetër Lista Serbe ka kërkuar garanci në këmbim të themelimit sa më të shpejtë të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Të kontaktuar nga “Zëri” nuk kanë pranuar të flasin se si do të veprojnë sot në Kuvend.

Konjufca: Secili deputet që sheh raportin e Bulliqit duhet ta kundërshtojë Demarkacionin

Kurse lëvizja “Vetëvendosje” po vazhdon të qëndrojë e vendosur që ta kundërshtojë këtë marrëveshje sot në Kuvendin e Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, ka thënë se deputetët duhet ta kenë parasysh raportin e prezantuar të Bulliqit.  

“Fatkeqësisht kjo marrëveshje do të kalojë me kërkesë të kryeministrit. Ne konsiderojmë që të gjeturat e komisionit janë të sakta. Nëse deputetët e kanë parasysh punën e këtij raporti duhet t’i thonë jo kësaj marrëveshjeje", ka thënë ai.

Konjufca tha se ende nuk kanë vendosur se si do ta kundërshtojnë këtë marrëveshje nesër pavarësisht se u pyet nëse do ta përdorin përsëri gazin lotsjellës.

“Nuk besoj se do të vijë puna deri aty....”, ka thënë Konjufca.

Hoti: Kuvendi ta miratojë marrëveshjen e vitit 2015!

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se janë unikë për ta votuar Demarkacionin dhe se beson që kjo marrëveshje do të kalojë sot në Kuvend.

“Kjo marrëveshje është në të mirë të qytetarëve. Neve na vjen keq që koalicioni ende nuk i ka votat për ta çuar përpara këtë çështje. Më vjen mirë që disa parti kanë reflektuar që kjo marrëveshje është e mirë duke lënë hapësirë të korrektohet. Ne jemi unikë, 27 deputetë", ka thënë ai.

Ai tha se në seancë do të kërkojnë sqarime mbi atë se çka po votojnë, por tha se Kuvendi duhet ta ratifikojë gjithsesi.

“Ne do të kërkojmë sqarime se çka do të votojmë, por një gjë e kemi të qartë se Kuvendi duhet ta votojë marrëveshjen e arritur në vitin 2015", tha ai.

Ndërkaq i pyetur nëse do ta votojnë raportin e Bulliqit tha se kjo është bërë për ta ruajtur fytyrën e kryeministrit.

"Edhe raporti i Bulliqit, edhe deklarata e dy presidentëve janë bërë dokumente për ta ruajtur fytyrën e kryeministrit", tha ai.

Halitaj: Nuk ka siguri se marrëveshja do të kalojë

Agron Halitaj, njohës i çështjeve politike, ka thënë për “Zërin” se votat për Demarkacion nuk varen vetëm nga Lista Serbe, por edhe nga disa deputetë të PDK-së që më herët kanë kundërshtuar këtë marrëveshje.

Prandaj, duke u nisur nga ky fakt Halitaj tha që nuk ka siguri se Marrëveshja për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi do të kalojë të enjten.

“Qeveria ‘Haradinaj’ e ka shtyrë një herë mbajtjen e seancës, si dhe duke marrë për bazë qëndrimet kundër të individëve të caktuar brenda koalicionit qeverisës, pa përfshirë në këtë mes edhe kushtin e LDK-së për marrëveshje për zgjedhje të parakohshme, nuk mund të thuhet me siguri të plotë se Projektligji për Shënjimin e Kufirit mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi mund të kalojë të enjten në Kuvendin e Kosovës”, ka përfunduar ai.