Slogani 'Bac, u kry' pushtoi zemrat e shqiptarëve

Aktuale February 20, 2018 - 09:12

Muhamet Jashanica është njëri nga tre ideatorët e sloganit më të fuqishëm të Ditës së Pavarësisë së Kosovës “Bac, u kry”. Dy ditë para shpalljes së Pavarësisë doli ky slogan, i cili fuqishëm hyri në zemrat e secilit kosovar atë ditë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Fuqishëm po ashtu preku ndjenjat e secilit e furishëm u përhap gjithandej. Pllakatet, fanellat, stendat, fletushkat ishin vetëm disa nga mjetet ku u vendos ky slogan.

“Bac, u kry”, i cili simbolizonte figurën e patjetërsueshme të Adem Jasharit, personifikonte sakrificën e popullit dhe unitetin e tyre për kremten e një feste të shumëpritur, atë të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

LEXO EDHE: Bum-i i ''Barutit''

Kjo vepër artistike tanimë ka bërë histori dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e historisë së Pavarësisë së Kosovës çdoherë që flasim për të.

E edhe tani që jemi në prag të 10-vjetorit të Pavarësisë ky slogan vazhdon të jetë po aq aktual, ashtu sikurse ishte edhe në ditët e para të shfaqjes së tij më 15 shkurt të vitit 2008.

Figura e Adem Jasharit, e patjetërsueshme

Jashanica në një rrëfim për gazetën Zëri tregon se së bashku me dy shokët e tij po mendonin se si ta festonin pavarësinë në një formë të veçantë.

“Ne kishim disa ide se si mund ta festonim këtë ditë të madhe dhe mes tyre ishte edhe ideja më kulmore, të përdorim fytyrën e Adem Jasharit dhe të punojmë diçka me Adem Jasharin. Kjo ide filloi të zhvillohet dhe kështu kornizuam Adem Jasharin, portretin e tij dhe pastaj erdhi edhe slogani natyrshëm ‘Bac, u kry’.

Fillimisht ideja ka qenë që këtë slogan ta përdorim vetëm ne tre shokët dhe një grup i ngushtë”, rrëfen ai.

Jashanica më tutje tregon se kur u kompletua e gjitha doli një punë shumë e mirë, shumë e fuqishme.

“Atëherë vendosëm një pankartë të madhe me këtë slogan në sheshin kryesor të Prishtinës dhe kjo u prit mjaft mirë nga të gjithë qytetarët e Kosovës dhe në diasporë. Figura e Adem Jasharit ka qenë e patjetërsueshme për t’u përdorur në një kremte sikur qe Pavarësia e vendit.

Adem Jashari në vete personifikon sakrificën e gjithë popullit, për brezat tanë, për gjenerata tona që kanë dhënë shumë për lirinë e Kosovës dhe unë besoj që më së miri këtë e paraqet vetë figura e Adem Jasharit”, tregon më tutje ai.

 Jashanica tregon se para se ta mendonin këtë ide ata kishin planifikuar që festën ta kremtojnë më ndryshe se të tjerët.

“Kanë qenë shumë ide e njëra prej tyre ka qenë që të ngjitemi lart me një balon ose me një parashutë që të festojmë lart në qiell, për dallim nga gjithë të tjerët që festonin në tokë. Kjo ishte e parealizueshme dhe vendosëm të bëjmë diçka tjetër që realisht do të prekë emocionin e gjithë njerëzve të këtij vendi”, ka thënë ai.

“Bac, u kry”, logoja zyrtare edhe e Epopesë së UÇK-së

Një slogan i fuqishëm si ky pa dyshim se do t’i duhej një feste të madhe zyrtare siç qe ajo e Pavarësisë së Kosovës. Jashanica rrëfen se ai kishte bërë kërkesë që ky slogan të bëhet pjesë zyrtare e kremtes së pavarësisë, mirëpo për shkak të kohës së shkurtër është pamundësuar të ndodhë një gjë e tillë.

“Unë kam bërë një kërkesë në Qeverinë e Kosovës që kjo logo të merret dhe të bëhet pjesë zyrtare e festës. Kemi parasysh që ky slogan është bërë publik më 15 shkurt. Me siguri për çështje kohe nuk kanë mundur ta bëjnë pjesë të festës zyrtare”, ka rrëfyer ai.

Nuk ka vonuar shumë kohë dhe sipas Jashanicës Qeveria e Kosovës menjëherë ka shprehur interesim për sloganin dhe kësisoj e kanë marrë atë dhe e kanë bërë logo zyrtare të Epopesë së UÇK-së.

“Qeveria e Kosovës menjëherë është interesuar që ta kenë këtë logo dhe ta përdorin. Kjo logo është marrë nga Qeveria dhe në mënyrë zyrtare është bërë pjesë e Epopesë së UÇK-së, e cila organizohet nga Qeveria e Kosovës”, ka shtuar ideatori i këtij slogani.

E papritur për Jashanicën ka qenë popullariteti që ka fituar ky slogan pasi as që e kishte menduar një gjë të tillë. “Nuk e kam menduar asnjëherë si ka për t’u pritur slogani ‘Bac, u kry’ prej publikut, mirëpo ja që kjo është pritur tepër mirë”, ka rrëfyer Jashanica.  

Për të është e rëndësishme puna dhe jo mendimi se si një gjë ka për t’u pritur nga publiku.

“Artistët është mirë ta bëjnë punën e tyre dhe të mos mendojnë për atë se si ka për t’u pritur prej publikut. Vetëm ashtu mund të arrihet te një punë e madhe, vetëm ashtu mund të arrihet deri te një ide e madhe”, ka thënë ai.

“Bac nuk u kry, paskan rrejt”

Sipas Jashanicës slogani “Bac, u kry” nënkupton vetëm periudhën deri te shpallja e pavarësisë dhe ndarja nga Serbia. “Slogani  ‘Bac, u kry’ ngërthen në vete një periudhë, një epokë.

Epoka deri në çlirimin de facto dhe de jure të Kosovës nga Serbia. Më 17 shkurt 2008 de jure jemi ndarë nga Serbia dhe jemi shtet i pavarur”, ka shtuar ai.

Që nga shpallja e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran në vitin 2008 ka pasur shumë komente për atë se a është kryer apo jo e gjithë puna, duke e lidhur kështu në shumicën e rasteve me këtë slogan dhe duke e modifikuar atë në forma nga më të ndryshmet.

Jashanica në lidhje me këto modifikime ka thënë që nuk i pëlqejnë për arsye se kjo vepër nuk është krijuar për t’u politizuar.

“Nuk më vjen mirë që modifikohet dhe përdoret në trajta të tjera si ‘Bac, nuk u kry’ , ‘Bac, paskan rrejt’ apo tjera modifikime. Është politizuar shumë kjo vepër artistike pavarësisht që nuk duhet të bëhet diçka e tillë. Unë asnjëherë nuk kam pasur qëllim ta politizoj. Realisht nuk më pëlqejnë këto modifikime që janë bërë, mirëpo ja që kjo e ka edhe një pjesë të mirë, ky slogan nuk po vdes po vazhdon të jetojë”, ka thënë ai. 

Është kryer apo jo?!
Tani po bëhen dhjetë vjet që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe Jashanica rrëfen se shpesh përballet me pyetjen “A u kry?”. Sipas tij, një pjesë e madhe e punës është kryer mirëpo ende ka shumë punë për ta zhvilluar shtetin.

“Unë mendoj fuqishëm se është kryer, për shkak se unë i takoj një gjenerate që e kemi jetuar edhe pjesën kur kemi qenë të okupuar, edhe pjesën kur kemi qenë në luftë dhe nëse kthehem mbrapa dhe kujtojmë gjithë atë sakrificë që është bërë deri më 17 shkurt 2008 mendoj që është kryer një punë e madhe. De facto dhe de jure jemi të ndarë nga Serbia, tash e tutje na mbetet neve që ta zhvillojmë vendin”, ka thënë ai. 

Ndërsa krejt në fund ai shpreson për një të ardhme më të mirë në Kosovë si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë politik e social.

“Ne duhet të punojmë çdo ditë e më shumë që ta bëjmë Kosovën një vend më të mirë për ne dhe për fëmijët tanë. E kam menduar që të paktën do të jemi më afër Evropës dhe të jemi më afër integrimeve, që do të ketë një zhvillim më të madh socioekonomik në vend. Natyrisht njerëzit do të mundnin ta gjenin veten diku qoftë në pjesën e punësimit apo në jetën politike, ekonomike në Kosovë”, ka thënë Muhamet Jashanica.