Bum-i i ''Barutit''

Ekonomia February 20, 2018 - 08:44

E nisur në vitin 2012 me shumë pak para nga tre studentë kosovarë kompania zvicerano-kosovare “Baruti” sot është shndërruar në shembull të një kompanie të suksesshme. Ajo sot numëron 400 punëtorë dhe kryen nga Kosova shërbime “Call-Center” për klientë nga shtete të ndryshme evropiane, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Një ide e nisur në vitin 2012 nga tre studentë kosovarë në Zvicër sot është shndërruar në një nga investimet më të suksesshme në Kosovë.

Kompania zvicerano-kosovare “Baruti” sot është shndërruar në shembull të një kompanie të suksesshme. Jo vetëm në rrafshin biznesor, por edhe të sjelljes së mentalitetit zviceran të të bërit biznes në Kosovë.

“Baruti” kur e nisi punën si “Call-Center” fillimisht kishte të punësuar dhjetëra punëtorë, ndërsa sot ajo numëron gjithsej 400 punëtorë. Kompania ka arritur që për gjashtë vjet të operimit në Kosovë të kryejë shërbime “Call-Center” për dhjetëra klientë  nga shtete të ndryshme evropiane.

Drejtuesja e kësaj kompanie, Drenusha Shala, në një intervistë për gazetën Zëri tregon se gjithçka kishte nisur si një ide e thjeshtë gjatë studimeve të saj në Zvicër së bashku me dy bashkëpronarët tjerë, Flamur Shala dhe Muhamet Veliu.  

LEXO EDHE: Kosovarja e nderuar nga NASA

“Jemi tre shokë të studimeve, të tre shqiptarë, që kemi jetuar dhe e kemi pasur privilegjin për të studiuar në Zvicër, edhe që thjesht e kemi pasur një vizion për të gjetur një model që si të hapim sa më shumë vende pune në Kosovë”, thotë Shala, derisa tregon se para se ta fillonin punën erdhën në Kosovë fillimisht për ta hulumtuar tregun.

Të tre në Zvicër kishin punë të sigurta dhe karrierë me perspektivë. Por Shala thotë se dashuria për vendin i ka shtyrë që të kthehen dhe të investojnë në Kosovë.

“Isha 21-vjeçare, e kisha punën e sigurt në Zvicër. Thjesht vendosem për t’u kthyer. Flamuri gjatë studimeve ka punuar si hulumtues i tregut. Ka bërë intervista telefonike në Zvicër për një institut shumë në zë atje. Edhe na lindi ideja që këtë punë ta kryejmë edhe në Kosovë”, thotë ajo.

Në fillim kompania punësoi vetëm 35 punëtorë, por Shala tregon se kanë qenë të befasuar me entuziazmin e të rinjve për këtë punë dhe me numrin e madh të atyre që e njohin gjuhën gjermane.

Meqenëse kompania kryen shërbime për klientë kryesisht në Gjermani e në Zvicër njohja e gjuhës gjermane ka qenë e obligueshme.

Pavarësisht faktit se pronarët janë nga Kosova, “Baruti” njihet si investitor zviceran. Shala tregon se në fillim ka qenë shumë e vështirë për t’i bindur klientët se një kompani mund të kryejë shërbime nga Kosova.

Paragjykimet për Kosovën si një vend i dalë nga lufta kanë qenë shumë të mëdha.

“Fillimisht kur i kem thirrur klientët na kanë pyetur sa a ka internet në Kosovë. Kështu na kanë parë para 6 vjetësh, tash ky imazh ka ndryshuar ndërkohë. Në fillim ka pasur aq shumë paragjykime, saqë nuk kemi mundur të shesim as shërbimin tonë”, thotë Shala.

Megjithatë, sot pas gjashtë vjetësh shumëçka ka ndryshuar për të mirë.

“Baruti”, mentalitet zviceran i të bërit biznes

Përveç Prishtinës, “Baruti” ka filluar të zgjerohet edhe në qytete tjera të Kosovës. Tashmë në Prizren ka hapur zyrë dhe ka të punësuar atje rreth 30 punëtorë të rinj. Kjo rritje, sipas Shalës, ka ardhur pa hyrë fare kredi vetëm nga puna vetanake.

“Jemi rritur vetëm nga puna jonë. Çelësi i suksesit ka qenë se krejt fitimin që e kemi pasur e kemi investuar sërish në kompani”, ka thënë ajo.

Mirëpo, kontributi më i madh i “Barutit” në këndvështrimin e Shalës është sjellja e mentalitetit zviceran të të bërit biznes.

Ajo thotë se punojnë në bazë të Ligjit të Punës dhe janë shumë të kujdesshëm me përgatitjen e stafit. “Jemi kompania e parë që e kemi aplikuar edhe pushimin e atësisë. Pastaj sigurimin shëndetësor”, tregon Shala.

Investimi fillestar i kompanisë ka qenë 60 mijë euro, ndërsa vetëm për rroga “Baruti” jep afër 1 milion euro në vit. “Vetëm në Prishtinë 4.6 milionë euro paga kemi dhënë këto 6 vjet sa jemi në Kosovë.

Punësimi ka edhe përfitime indirekte. Kemi qenë 7 herë në medie zvicerane. Me njëfarë mënyrë po kontribuojmë edhe për imazhin e Kosovës, madje kemi arritur edhe konkurrencën për të inspiruar që të vijnë këtu”, shton ajo.

Sfidat, rekrutimi i stafit

Por rruga deri të suksesi nuk ka qenë aq e lehtë. Burokracia, mungesa e infrastrukturës dhe mungesa e profesionistëve për këtë lëmi kanë qenë tri sfidat kryesore me të cilat është ndeshur ky investitor në Kosovë.

“Nuk kemi pasur se ku të drejtohemi. Nuk ka pasur as databazë të centralizuar të bizneseve. Kam dashur për të ditur se kush prodhon tavolina që të furnizohemi, nuk kam ditur se ku bëhen tavolinat. S’ka pasur as faqe atëherë. Kjo ka qenë një problem i madh”.

Burokracia ka qenë një problem tjetër. Shala thotë se në shumë raste sjellja e inspektorëve është për të ardhur keq.

“Sfida më e madhe ka qenë rekrutimi i stafit. Pa staf si kompani nuk mundesh të rritesh. Na punojmë me tri ndërrime, prej orës 7:00 deri në orën 23:00. Kemi krijuar struktura menaxheriale në kompani. Edhe tash këta njerëz nuk kanë ekzistuar në treg. Kemi qenë treg i ri. Më është dashur që për secilin të punësuar të jem edhe mentor”.

Thotë se çdo vit investojmë vetëm në staf diku 30 mijë euro dhe se tani e kanë hapur edhe akademinë për trajnime. 

Shala nga përvoja në Kosovë ka treguar edhe disa anomali që ka parë te të rinjtë në Kosovë.

“Në Kosovë gjërat teknike mbivlerësohen. Krejt këtë biznes për ‘Call Center’ unë e kam mësuar me një libër. Nuk kam pasur lidhje për këtë biznes. Do të thotë është më shumë qasja dhe metodologjia sesi të arrish te qëllimi. Edhe kjo në Kosovë mungon. Këtë e shoh mangësinë kryesore të të bërit biznes në Kosovë”, ka vlerësuar ajo.

Një anomali tjetër sipas saj ekziston në raport me sektorin privat. Thotë se të gjithë duan të punojnë në Qeveri.

“Kur i kemi pyetur punëtorët në kompani, përmes një pyetësori, se sikur të mos ishit në ‘Barut’ ku kishit dashur të punoni, krejt na kanë thënë ‘në Qeveri’, pra në sektor publik. Në Zvicër është e kundërta, atje të punosh në sektor publik është e mërzitshme”. Prej atëherë Shala thotë ta ketë marrë si mision që me “Barutin” ta ndryshojnë këtë imazh. “Kemi dashur të tregojmë që ka edhe kompani private të cilat mund të operojnë në mënyrë të rregullt”, thotë ajo, derisa shton se me ketë qasje deri në vitin 2021 “Baruti” synon të punësojë deri në 1 mijë punëtorë.