Abdixhiku: Silleni marrëveshjen ta votojmë dhe ikni në theqafje

Aktuale February 16, 2018 - 12:11

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u ka bërë thirrje politikanëve kosovarë që ta sjellin në Parlament Marrëveshjen për Demarkacionin. Ai e ka komentuar deklaratën e përbashkët të Thaçit dhe Vujanoviqit, duke e quajtur kauzë fiktive situatën e krijuar që tri vjet.

"Silleni në Parlament, ta votojmë. T’u japim qytetarëve lëvizje pa viza; lëvizjen që ja mohuat qe 3 vjet. Silleni e më pas ikni. Ikni se lëmsh e keni bërë", ka shkruar ai.

Postimi i tij i plotë:

Dhe kështu,

Edhe pas demarkacionit, vjen demarkacioni.

3 vite të humbura për një kauzë fiktive nga një klasë që vetëm pushtet do. Nga një klasë që për 3 vjet mbajti vendin në krizë, në dhunë, djegie, trazira, atentate e kërcënime – në thirrje tradhtarë e shitës tokash për gjithkë. Pasi shanë e pështynë një marrëveshje për 3 vjet rresht, vendosën të njëjtën ta sjellin në Parlament. Të votohet marrëveshja e gushtit 2015 tash na thonë. Do t’i korrigjojmë çështjet pasi ti votojmë.

- E para, pasi ta ratifikojmë e votojmë, fjalët e deklaratat s’kanë më vlerë. Zero vlerë.
- E dyta, korrigjimi i tillë, për çfarë flasin sot ishte paraparë edhe me marrëveshjen e parë.

Por këta që sot na sillen tirumfalistë kishin nevojë për një derë; donin një pretekst për të dalë nga theqafja në të cilën na kishin futur të gjithëve. E kishin të qartë se s’mund të provonin demarkimin e ri. Se komisioni i tyre s’kishte gjetur fakte kadastrale të reja. Se e gjithë kauza e tyre opozitare ishte false – e rremë; mashtrim. Sot, edhe një deklaratë koti, e pavlerë në ratifikime ndërkombëtare, bën punë për ta.

Po të kishin këta pak dinjitet, do t’i kërkonin falje secilit. Edhe qytetarëve të vendit, edhe kundërshtarëve politik – që i rrezikuan me jetë – edhe gjithsecilit që ka humbur për 3 vjet. Por unë s’pres të skuqen këta sepse këta skuqjen si koncept nuk e dinë. Përkundrazi lavdërohen.

Pres, gjithsesi, që qytetarët të mbajnë mend. Të mbajnë mend dhe t’i mbajnë përgjegjës të njëjtit për humbjen e 3 viteve rrugëtim, për hiçgjë. 3 vjet për teke të t’paditurve.
Silleni në Parlament, ta votojmë. T’u japim qytetarëve lëvizje pa viza; lëvizjen që ja mohuat qe 3 vjet. Silleni e më pas ikni. Ikni se lëmsh e keni bë.