“Trimi” ndihet keq për mosrespektim të flamurit

Aktuale February 16, 2018 - 07:43

As që i kishte shkuar në mendje se pas dhjetë vjetësh dikush do ta djegë flamurin e Republikës së Kosovës apo do të protestohet kundër vendosjes së tij në hyrje të Prishtinës, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Muhamer Ibrahimi – “Trimi”, disenjatori i flamurit të Republikës së Kosovës, thotë për gazetën “Zëri” se është për të ardhur keq se si edhe pas 10 vjetëve ka debat nëse duhet respektuar flamuri shtetëror apo jo.

LEXO EDHE: Dekada e humbur!

Sipas tij, respektimi i flamurit shtetëror nuk është mohim i patriotizmit apo mohim i simboleve kombëtare.

“Është dëshpërues fakti që në emër të patriotizmit individë e institucione lokale nuk i respektojnë simbolet e shtetit”, thotë Ibrahimi.

Arritjet kryesore, në sport

Muhamer Ibrahimi – “Trimi”, tregon për momentin kur flamuri që ai do ta dizajnonte mori formën e duhur. 

“Që prej pasluftës, kur Kosova përgatitej të bëhej shtet i pavarur, dihej se nuk mund të përfaqësohej me të njëjtin flamur sikurse Shqipëria, kështu që vendi duhej t’i kishte simbolet dhe flamurin me të cilat duhej të paraqitej”.

E gjitha u bë e qartë për Ibrahimin pas shpalljes së konkursit në qershor të vitit 2007 nga Ekipi i Unitetit.

Por, edhe para këtij konkursi Ibrahimi e kishte pasur të qartë formën që do ta merrte ky flamur, por me këto kërkesa nga ky ekip vetëm se gjithçka mori vendin e duhur në flamur. 

Ibrahimi konsideron se ndonëse Kosova po mbush 10 vjet pavarësi ka ende mangësi si shtet. Madje, sipas tij, të arriturat e Kosovës lënë shumë për të dëshiruar, sepse kanë kaluar 10 vjet dhe ka pasur shumë ngecje ekonomike, sociale dhe politike, mirëqenia nuk është ngritur dhe standardi jetësor nuk është rritur sa duhet.

“Përveç të arriturave individuale dhe sukseseve të mëdha në sport, në aspektet e tjera nuk mund ta nënvizoj ndonjë të arritur. Kam pritur shumë më shumë, Qeveria, elitat politike dhe liderët tanë të jenë më pragmatikë dhe të reflektojnë, të jenë më të përgjegjshëm ndaj vendit, të kenë atdhedashuri më të madhe ndaj vendit”, thotë Ibrahimi.

Mosrespektimi i flamurit, mosrespektim i shtetit

Por, mosarritjet e mjaftueshme të Kosovës për 10 vjet nuk janë e vetmja gjë që e shqetëson atë, pasi që njëri ndër shqetësimet e tij kryesore është mosrespektimi i flamurit nga disa parti shqiptare, që ai dizajnoi para 10 vjetëve.

Ibrahimi konsideron se mosrespektimi i flamurit është njëkohësisht edhe mosrespekt ndaj shtetit, gjë që disa parti shqiptare të vendin e bëjnë në emër të patriotizmit.

“Është për të ardhur keq që sot, pas 10 vjetëve, të jetë çështje polemika e debati për respektimin apo jo të simboleve të shtetit. Respektimi i flamurit shtetëror nuk është mohim i patriotizmit apo mohim i simboleve kombëtare”, thotë ai.

Ai konsideron se është dëshpërues fakti që në emër të patriotizmit individë e institucione lokale nuk i respektojnë simbolet e shtetit, sidomos parti shqiptare.

Pikërisht kjo gjë, sipas tij, e pamundëson që kosovarët të presin që simbolet e shtetit të respektohen në komunat që udhëhiqen nga serbët.