Dekada e humbur!

Aktuale February 16, 2018 - 07:39

Kosova po e përmbyll dekadën e parë të shtetësisë pa ushtri, pa liberalizim të vizave dhe me probleme të shumta politike e socioekonomike, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Premtimet për themelim të ushtrisë, për liberalizim të vizave e për krijim të qindra mijëra vendeve të punës qytetarëve u janë bërë çdo vit. Por, në vend të këtyre, klasa politike solli probleme të tjera, të cilat acaruan raportet me bashkësinë ndërkombëtare.

Në vend të fokusimit kah zhvillimi ekonomik, pushteti e opozita për më shumë se dy vjet e gjysmë e kanë zvarritur ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, ndërsa së fundi pati përpjekje edhe për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Zëri” ua rikujton disa nga zhvillimet më të rëndësishme për Kosovën në dhjetë vjetët e para të shtetësisë.

2008, shpallja e Pavarësisë dhe njohjet e para

Kosova si vendi i vetëm në rajon pa status politik të definuar shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008.

Kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, lexoi deklaratën e Pavarësisë para deputetëve dhe të ftuarve në seancën solemne.

Bashkë me deklaratën e Pavarësisë në këtë seancë u prezantuan edhe simbolet e shtetit, flamuri dhe himni. Menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë në të gjithë vendin “shpërtheu” festa, ashtu siç shqiptarët festuan edhe në mbarë botën.

Një ditë pas shpalljes së Pavarësisë Kosovës i erdhën shtatë njohjet e para. Afganistani ishte shteti i parë që njohu mëvetësinë e Kosovës. Më 18 shkurt Kosovën e njohën edhe: Kosta Rika, Shqipëria, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe Turqia. Deri në fund të vitit 2008 Kosova u njoh nga 53 shtete.

2009, anëtarësimi në BB dhe në FMN

Njohjet vazhduan të vinin edhe në vitin 2009, vit ky në të cilin Kosova u njoh nga 11 shtete. Ndërkohë, në muajin qershor Kosova edhe zyrtarisht u bë anëtare e Bankës Botërore dhe e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Në vitin 2009 Kosova organizoi zgjedhjet lokale, proces ky me shumë defekte e që shtyri Komisioni Qendror të Zgjedhjeve t’i çojë në rivotim disa komuna për shkak të parregullsive.

Më 1 dhjetor të atij viti Serbia procedoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë lëndën mbi ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

2010, GJND-ja: Pavarësia e Kosovës nuk përbën shkelje të së Drejtës Ndërkombëtare

Në korrik të vitit 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë “vulosi” ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë.

Ndërkohë, vendi u fut në një krizë politike pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se presidenti Fatmir Sejdiu kishte shkelur Kushtetutën e vendit, pasi nuk kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të LDK-së, por vetëm e kishte ngritur ushtrimin e kësaj detyre. LDK-ja e Fatmir Sejdiut vendosi të tërhiqet nga koalicioni qeverisës.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 dhjetorit, (ku u raportua për vjedhje “industriale të votave) Partia Demokratike e Kosovës doli fituese.

Në vitin 2010 raportuesi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty, në raportin e tij akuzonte kryeministrin e atëhershëm të Kosovës Hashim Thaçin për përfshirje në trafikim organesh, narkotikësh dhe armësh në kohën e luftës.

Gjatë këtij viti Kosova u njoh nga tetë shtete.

2011, fillimi i dialogut

Kosova hyri në vitin 2011 pa institucione të konsoliduara. Ndërsa ngërçi politik u tejkalua pas arritjes së koalicionit PDK-AKR dhe pakica.

Por, pak kohë pas konsolidimit të institucioneve të reja e gjithë marrëveshja u vu në pikëpyetje pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që rrëzoi Behgjet Pacollin nga posti i presidentit pasi vlerësoi se zgjedhja e Pacollit për president ishte bërë me shkelje kushtetuese.

Zgjedhjet e parakohshme i shmangu faktori ndërkombëtar. Emri i kandidatit për president doli nga zarfi me një marrëveshje të tre liderëve politikë, Hashim Thaçit, Isa Mustafës e Behgjet Pacollit, me ndërmjetësimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Kështu, Atifete Jahjaga u zgjodh presidente e vendit.

Më 10 mars 2011 Kuvendi miratoi rezolutën në mbështetje të dialogut teknik.

Ndërsa në korrik Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës për herë të parë mësynë veriun për t’i marrë nën kontroll pikat kufitare në Jarinjë e në Bërnjak.

Në këtë aksion mbeti i vrarë polici Enver Zymberi pas një përleshjeje të armatosur mes Policisë dhe serbëve, që kishin bllokuar rrugën për ta penguar depërtimin e njësive speciale në veri të vendit.

Krerët e shtetit thoshin se përmes këtij aksioni u shtri sovraniteti edhe në veri, gjendja në terren e dëshmon të kundërtën. Strukturat paralele ende vazhdojnë të punojnë, pavarësisht marrëveshjeve të Brukselit për shuarjen e tyre.

Në këtë vit Kosovën e njohën 12 shtete.

2012, përmbyllet mbikëqyrja e Pavarësisë

Në vitin 2012 u përmbyll mbikëqyrja ndërkombëtare për Kosovën.

Ndonëse i dha fund mbikëqyrjes ndërkombëtare, Kosova u pajtua t’i japë fuqi ekzekutive misionit EULEX, me çka prania ndërkombëtare e ruajti një pjesë të konsiderueshme të kompetencave në fushën e drejtësisë.

Rezoluta e dytë për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë në Kuvendin e Kosovës u miratua më tetor të vitit 2012, duke ia dhënë dritën e gjelbër dialogut në nivel kryeministrash.

Edhe në vitin 2012 Kosova u njoh nga 12 shtete.

2013, marrëveshjet Prishtinë - Beograd

Pas 13 takimeve në nivel kryeministrash, nga 19 tetori 2012 deri më 21 qershor 2013 janë arritur gjashtë marrëveshje.

Më 19 prill 2013 kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Ivica Daçiq, nënshkruan Marrëveshjen e Parë mbi Parimet që Qeverisin Normalizimin e Marrëdhënieve, e cila u cilësua si historike.

Në dhjetor 2012 Këshilli i BE-së në konkluzionet e saja deklaroi se Kosova dhe Serbia duhet t’i përmirësojnë marrëdhëniet e tyre, si njëri prej kritereve të rëndësishme në rrugën drejt integrimit në BE, duke mos bllokuar njëra-tjetrën në këtë rrugë.

Përmes këtyre konkluzioneve u kërkua që Serbia t’i përbëjë institucionet e paligjshme gjyqësore dhe policore në veri të Kosovës, t’i bëjë transparente fondet e sponzorimit të institucioneve të saj në Kosovë dhe nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit me EULEX-in.

Në këtë vit vendi mbajti zgjedhjet e rregullta lokale.

 Gjatë vitit 2013 Pavarësinë e Kosovës e pranuan 8 shtete.

2014, gjashtë muaj krizë dhe migrimi ilegal

Në pjesën e parë të vitit Kosova kishte mundësi të mirë për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura. Deputetët serbë në këmbim të votës për këtë transformimin kërkonin edhe një mandat me vende të rezervuara, çka do t’ua mundësonte atyre shtimin e deputetëve në rast se votohen për ta kaluar pragun.

Por, vazhdimi edhe për një mandat i vendeve të rezervuara për serbët u kundërshtua nga LDK-ja dhe nga “Vetëvendosja” dhe kështu nuk ndodhi formimi i ushtrisë.

Në maj, me mbështetjen e partnerëve të koalicionit qeverisës, Kuvendi votoi për shpërndarjen e asaj legjislature.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit Partia Demokratike e Kosovës doli e para, duke lënë pas LDK-në, “Vetëvendosjen”, AAK-në e Nismën.

Këto të fundit për 6 muaj ia vunë bllokadën PDK-së për koalicion, duke pretenduar që ta formojnë Qeverinë derisa Ramush Haradinaj ishte kandidati i tyre për krye të Qeverisë e Isa Mustafa për kryetar Kuvendi. Koalicioni anti-PDK u prish kur kësaj partie iu bashkua LDK-ja për ta formuar “koalicionin e elefantëve”.

Isa Mustafa e Hashim Thaçi, si krerë të dy subjekteve, nënshkruan marrëveshje më 8 dhjetor me të parin kryeministër e të dytën president pas disa muajsh.

Në fund të vitit 2014 nisi migrimi masiv i qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian përmes rrugëve ilegale.

Gjatë këtij viti Kosova u pranua vetëm nga katër shtete.

2015, Gjykata Speciale, Asociacioni e Demarkacioni

“Ikja” nga Kosova drejt vendeve evropiane vazhdoi edhe në fillim të vitit 2015.

Më 3 gusht 2015 Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, që do të merret me gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së nën dyshimet për krime lufte.

Kurse më 25 gusht Kosova dhe Serbia arritën t`i qesin në letër katër marrëveshje.

Këto marrëveshje kanë të bëjnë me Telekomin, energjinë, “Parkun e Paqes” në Mitrovicë si dhe me Asociacionin e Komunave Serbe.

Të nesërmen në Vjenë të Austrisë Kosova nënshkroi Marrëveshjen për Demarkimin e Kufirit me Malin e Zi.

Kjo marrëveshje dhe Marrëveshja për Themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe u bë “mollë sherri’ mes pushtetit e opozitës, të cilat më pas rezultuan edhe me protesta masive në vend. Të dyja marrëveshjet nuk janë jetësuar ende.

Në nëntor Kosova dështoi të anëtarësohet në UNESCO, kurse vitin 2015 Kosova e përmbylli me vetëm tri njohje të reja.

2016, MSA-ja hyn në fuqi

Rezistenca e tri partive, LVV-së, AAK-së e Nismës, vazhdoi edhe në vitin 2016 me gaz lotsjellës e me protesta. Më 9 janar thirrën një protestë në Prishtinë, njëra nga më të mëdhatë që nga paslufta, për ta kundërshtuar Marrëveshjen për Asociacionin dhe Demarkacionin. Pas fjalimeve të liderëve politikë protesta eskaloi.

Në 2 prill 2016 hyri në fuqi Marrëveshja për Stabilizim-Asociim.

Në bazë të marrëveshjes së koalicionit, PDK-LDK, më 26 shkurt 2016 Hashim Thaçi u zgjodh president për Kuvendin e Kosovës.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ekipet e Kosovës dhe të Serbisë në dialogun teknik më 30 nëntor arritën dakordimin për zbatimin e Marrëveshjes për Drejtësi. 

Një muaj më vonë Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimit ndau kodin telefonik +383 për Kosovën.

Në funddhjetor u ngrit një mur në veri të Mitrovicës.

Kosovën gjatë vitit 2016 e kanë njohur vetëm 2 shtete.

2017, arrestimi i Haradinajt, muri dhe treni

Viti 2017 për Kosovën u hap me problemin e murit ilegal, i ngritur në Mitrovicë të Veriut. Ky mur më pas u rrëzua me marrëveshje në muajin shkurt.

Ish-komandanti i UÇK-së, njëherësh kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, u arrestua në fillim të janarit në Basel-Molhouse nga autoritetet franceze në bazë të një fletarrestimi nga Serbia. Haradinaj u lirua në muajin prill.

Tensionet me shtetin e Serbisë arritën kulmin kur një tren i veshur me flamurin e Serbisë dhe që brenda tij mbante mbishkrime provokuese u nis nga Beogradi për në veri të Mitrovicës. Megjithatë, treni ruso-serb nuk arriti të futej në territorin e Kosovës.

Presidenti Hashim Thaçi ia dorëzoi kryetarit të Kuvendit Kadri Veselit projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë me kompetenca mbrojtëse e ushtarake. Bashkësia ndërkombëtare ishte kundër, SHBA-ja dhe NATO-ja kërkonte që transformimi të bëhej me ndryshime kushtetuese, çka bëri që projektligji të mos shkojë më tutje.

Me 10 maj qeveria PDK-LDK, e bërë për të kaluar vendime të mëdha, u rrëzua nga një mocion i organizuar nga Nisma, të cilën pos opozitës e përkrahu edhe gjysma e PDK-së. Presidenti Hashim Thaçi në po të njëjtën ditë shpërbeu Kuvendin derisa një ditë më vonë caktoi 11 qershorin si ditë të zgjedhjeve.

LDK-ja vendosi të mos shkojë e vetme në zgjedhje, duke u bashkuar me AKR-në e me Alternativën në koalicion parazgjedhor, ndërsa në momentet e fundit të afatit për regjistrim PDK-së iu bashkuan dy subjektet deri atëherë opozitare, AAK-ja e Nisma, me Ramush Haradinajn kandidat për kryeministër. “Vetëvendosja” mbeti e vetme.

Koalicioni PAN doli fitues, duke marrë 33,47% të votave, jo aq sa kishte pritur.  “Vetëvendosja” doli e dyta me 27,49%, ndërsa koalicioni LAN me 25,53% të votave.

Seanca konstituive e institucioneve u thirr më 3 gusht, ndërsa deri në shtator nuk u konstituua Kuvendi, kur AKR-ja u nda me LDK-në dhe iu bashkua PAN-it.

Ndërsa më 11 shtator u votua edhe Qeveria e re e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Më 22 tetor kosovarët votuan edhe në një proces zgjedhor, atë lokal në disa runde. Lista Serbe nga këto runde votimi doli me 10 komuna të fituara, me 8 komuna LDK-ja, me 7 udhëheq AAK-ja, me 5 komuna PDK-ja, si dhe me 3 komuna “Vetëvendosja” e me 1 Nisma për Kosovën.

Në fund të vitit 2017 pati një përpjekje për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, gjë e cila u kundërshtua ashpër nga bashkësia ndërkombëtare.

Vitin 2017 Kosova e përmbylli me vetëm dy njohje të reja.