Haradinaj - Markoviq pa zgjidhje për demarkacionin

Aktuale February 15, 2018 - 07:51

Pa ndonjë zgjidhje për problemin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi ka përfunduar takimi i kryeministrit Ramush Haradinaj dhe i homologut të tij malazez Dushko Markoviq, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Takimi i shumëpritur ndërmjet kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe atij të Malit të Zi Dushko Markoviq ka përfunduar pa ndonjë zgjidhje konkrete për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi.

Pas takimit dy kryeministrat në një konferencë për medie janë shprehur optimistë se do të gjendet një zgjidhje, por nuk kanë dhënë më shumë detaje se cila do të jetë ajo.

Kryeministri malazez ka thënë se për shtetin e tij kjo çështje ka përfunduar në momentin që Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar Marrëveshjen, megjithatë ka thënë se shpreson se do të gjendet ndonjë mënyrë që Marrëveshja e Vjenës të ratifikohet edhe nga Kuvendi i Kosovës, shkruan tutje "Zëri".

Kurse kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se ekziston një klimë që është pro zgjidhjes së problemit të kufirit.

Markoviq: Demarkacioni për Malin e Zi është i kryer

Kreu i Qeverisë së Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka thënë se për shtetin e tij çështja e kaurit ka përfunduar me ratifikimin e saj në Kuvend. Por ka potencuar faktin se për Kosovën kjo ende nuk është çështje e kryer.

Ai ka thënë se në takim është biseduar për gjetjen e një zgjidhjeje për ratifikimin e Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që Kosova të ecën përpara në proceset integruese.

“Gjithsesi kemi hapur edhe këtë çështje. Dy kryeministra dhe dy qeveri duhet të bisedojnë edhe për këtë çështje, që është e rëndësishme për të dyja vendet. Sa i përket Malit të Zi, kjo ka përfunduar me ratifikimin e saj në Kuvendin e Malit të Zi, por në Kosovë kjo akoma nuk është bërë. Mali i Zi dëshiron që ta ndihmojë Kosovën si një mik, si një fqinj... Pra kemi biseduar për këtë me qëllime më të mira dhe si fqinj të mirë në mënyrë që ta gjejmë zgjidhjen më të mirë që ta kemi marrëveshjen e ratifikuar dhe në këtë mënyrë Kosova ta ketë më të lehtë rrugën e saj drejt integrimit”, është shprehur Markoviq.

I pyetur se sa kohë duhet për gjetjen e një zgjidhjeje, Markoviq ka thënë se ata janë politikanë të përgjegjshëm dhe se angazhohen që çështjet e pazgjidhura të kryhen sa më shpejt. Megjithatë, ai nuk dha ndonjë datë se kur do të mundë të gjendet zgjidhja.

“Ne jemi politikanë të përgjegjshëm. Jemi për të gjetur zgjidhje. Biseda ishte për dialog të pandërprerë, për dalje nga kjo situatë”, ka shtuar Markoviq.

Haradinaj: Ekziston klimë e favorshme për gjetjen e një zgjidhjeje

Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Harardinaj, ka thënë se problemi i demarkacionit të kufirit është diskutuar në takimin e dy kryeministrave. Ai madje ka thënë se ekziston një klimë më e favorshme për gjetjen e një zgjidhjeje.

“E kemi biseduar. Ekziston një vullnet i mirë për ta gjetur një dalje nga gjendja ku jemi. Jam me shpresë se do të gjendet idealja për këtë gjendje”, ka deklaruar Haradinaj.

As kryeministri kosovar nuk ka dhënë ndonjë afat kohor se kur do të mundë të gjendet zgjidhja për problemin e demarkacionit.

Haradinaj u shpreh se vizita e Markoviqit paraqet një moment historik për Kosovën dhe Malin e Zi, vende këto që kanë raporte të mira që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e këndej.

Kërkohet integrimi i komunitetit malazez në Kosovë

Shefi i ekzekutivit të Malit të Zi, Dushko Markoviq, në konferencën e përbashkët me Haradinajn ka thënë se ka ardhur në Kosovë për vizitë miqësore dhe se Mali i Zi është i interesuar ta ndihmojë Kosovën në proceset integruese.

“Kemi ardhur në një vizitë miqësore te një fqinj i mirë. Dëshirojmë që në të ardhmen ta mbështesim Kosovën në rrugën e saj në integrimet euroatlantike. Mali i Zi dëshiron që me përvojën e vet në këto procese ta ndihmojë Kosovën... Vlerësoj lart bashkëpunimin që kemi. Do ta forcojmë në të ardhmen. Jemi shtet që duam të hyjmë në Bashkimin Evropian, jemi në NATO dhe duam që përvojat tona t’ua tregojmë juve e t’ju ndihmojmë në rrugën evropiane”, ka shtuar Markoviq.

Ai më tej ka ngritur edhe çështjen e komunitetit malazez në Kosovë.

“Kemi biseduar sot për marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore. Do të nënshkruajmë marrëveshje bashkëpunimi në shumë fusha. Kemi folur edhe për rëndësinë e çështjes së minoriteteve, për malazezët që jetojnë në Kosovë. Dëshirojmë përfshirjen e tyre në jetën e përgjithshme në Kosovë. Të realizohen të gjitha të drejtat e tyre të parapara me Kushtetutë. S’kemi problem me Kosovën. Pata nderin që jam kryeministri i parë malazez për vizitë në Kosovë”, ka përfunduar Markoviq.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova tashmë ka bërë disa veprime të para sa u përket kërkesave të bashkësisë malazeze që jetojnë në Kosovë.

“Janë disa kërkesa të para që janë përmbushur vitin që shkoi, njëkohësisht jemi në zbatim të një plani aksional që buron nga strategjia që e ka aprovuar Qeveria e vendit. Dhe rezultatet do t`i komunikojmë me kohë, dhe mund t’ju them se në Kosovë ka një unitet  që të respektohet pozita dhe kërkesat e bashkësisë malazeze në Kosovë. Ka qenë një gatishmëri e kahershme për një pozicion kushtetues të këtyre të drejtave. Vonesat nuk janë rezultat i kundërshtimit të këtij pozicioni”, ka deklaruar Haradinaj.

Gjithashtu është bërë e ditur se në takim është diskutuar edhe për bashkëpunimin ekonomik dhe për ndërtimin e infrastrukturës rrugore që lidh të dyja vendet.

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, në Kosovë ka arritur të mërkurën pasdite, ku në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” u prit nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha dhe ambasadori i Kosovës në Malin e Zi, Skender Durmishi.

Më pas Markoviq me nderim shtetëror u prit nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Kurse të enjten (sot) kryeministri malazez takohet me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.