Vetëvendosin në shkurt

Aktuale February 07, 2018 - 08:11

Grupi i të pakënaqurve brenda lëvizjes “Vetëvendosje”, të cilit i prin ish-sekretari Dardan Molliqaj, brenda këtij muaji do të vendosin nëse do të qëndrojnë në këtë subjekt politik ose do ta formojnë një grup të ri parlamentar, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ditë më parë në medie është raportuar se ky grup, pjesë e të të cilit janë deputetët: Dardan Molliqaj, Visar Ymeri, Dardan Sejdiu, Shqipe Pantina, Faton Topalli..., kanë bërë kërkesë në Kuvend që ta formojnë një grup të ri parlamentar, pjesë e të cilit do të jenë së paku dhjetë deputetë të lëvizjes “Vetëvendosje”.

LEXO EDHE: “Vetëvendosja” paralajmëron protesta për rastin “Dehari”

“Kjo situatë nuk do të zgjasë në pafundësi dhe shpejt do të dalim me një vendim, qoftë për një zgjidhje brenda lëvizjes ‘Vetëvendosje’, qoftë për ndarje të Grupit Parlamentar.

Por mendojmë që brenda muajit kjo punë do të zgjidhet”, ka thënë për “Zërin” deputetja Shqipe Pantina.

Edhe sa i përket mundësisë së formimit të një subjekti të ri politik ajo ka thënë se një gjë e tillë është opsion, porse aktualisht nuk ka asgjë konkrete.

“Krejt këto janë opsione që janë diskutuar më shumë në medie sesa që ka diçka konkrete. Ne nuk e përjashtojmë si mundësi, por ende nuk ka asgjë konkrete”, ka përfunduar ajo.

Negociatorët Ahmeti e Konjufca pa asnjë rezultat

Kurse sekretari i përgjithshëm i lëvizjes “Vetëvendosje”, Ismajl Kurteshi, i tha “Zërit” se “Vetëvendosja” ua ka dhënë mundësinë të gjithë atyre që janë deklaruar të hidhëruar që të kthehen në parti. Mirëpo ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që grupi i të ashtuquajturve “Anti-Kurti” të fillojë të merret me organizime jashtë lëvizjes “Vetëvendosje”.

“Ata që kanë kërkuar zgjidhje tjetër pas realizimit të atyre kërkesave, që për mua nuk janë të arsyeshme, ata edhe e kanë shfaqur publikisht pakënaqësinë e tyre, porse a do të pajtohen varet prej atyre që deklarohen se janë të hidhëruar. Ata e kanë mundësinë të kthehen dhe po ashtu e kanë mundësinë të merren me ndonjë organizim të vetin. Është çështje që varet shumë prej tyre”, ka thënë ai.

Ndërkohe lëvizja “ Vetëvendosje” javë më parë ka përzgjedhur Shpend Ahmetin e Glauk Konjufcën për të negociuar me të dyja palët në mënyrë që të gjendet një rrugë e përbashkët. Mirëpo Kurteshi ka bërë të ditur se ende nuk ka asnjë rezultat.

“Unë kam disa angazhime të tjera me çështje organizative dhe këtu ku jam punët po shkojnë mjaft mirë. Sa i përket atij misionit për kontakte të drejtpërdrejta nuk kam informacion se ku ka arritur puna e Shpendit dhe e Glaukut, por natyrisht se kur ka diçka që ia vlen për t’u bërë publike dhe që shihet ndonjë rezultat në horizont sigurisht se do të njoftoheni”, ka thënë Kurteshi.

Kalkulimet e të rebeluarve  

Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se me gjithë përpjekjet e lëvizjes “Vetëvendosje” për pajtim të mundshëm një gjë e tillë është e vështirë të ndodhë pas deklaratave që të dyja palët i kanë bërë.

“Duke e parë nga këndi i lëvizjes “Vetëvendosje”, është e mirë dhe pozitive për faktin se po mundohen për një pajtim eventual dhe për një preventivë prej ndarjes së subjektit politik.

Mirëpo nëse e marrim dhe e shohim gjithçka çfarë ka ndodhur në parti atëherë mund të shohim se akuzat janë shkëmbyer mes dy taborëve dhe janë goxha të rënda e lë pak hapësirë për një pajtim eventual, sidomos nëse i referohemi deklaratave publike, të cilat i kanë dhënë qoftë përmes medieve apo statuseve në rrjetet sociale”, ka thënë ai.

Kurse Rasim Alija, nga organizata joqeveritare “Demokracia për Zhvillim” (D4D), ka thënë se krahu i rebeluar i “Vetëvendosjes” po kalkulon se çfarë fuqie politike do të kishin në rast të ndarjes. “Siç duket krahu i rebeluar është duke e kalkuluar peshën dhe fuqinë e tyre politike për të vazhduar me hapin tjetër, qoftë si grup i ri parlamentar, qoftë duke e krijuar një subjekt të ri politik”, ka thënë ai.

Alija ka thënë se “bashkimi” në këto rrethana që gjendet “Vetëvendosja” tingëllon i pamundur, por krahu i rebeluar po presin momentin e duhur për të rritur fuqinë e tyre.