“Vetëvendosja” paralajmëron protesta për rastin “Dehari”

Aktuale February 07, 2018 - 07:52

Kryetari i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ka deklaruar se do të kërkojnë interpelancë me kryeministrin Ramush Haradinaj për hetim të pavarur për rastin e vdekjes së Astrit Deharit, shkruan sot Gazeta Zëri

Kurti në një konferencë për medie gjatë ditës së djeshme tha se kryeministri u pati premtuar prindërve të Astrit Deharit se Qeveria do të angazhohet për këtë rast, porse nuk u ndërmor asgjë as tre muaj pas këtij takimi.

“Haradinaj me ekipin e vet bashkë me ministrin e tashëm të Drejtësisë patën pranuar në një takim zyrtar prindërit e Astrit Deharit, Avniun dhe Xhemilen.

Kryeministri u pati premtuar atyre se kërkesa e familjes është e arsyeshme dhe se Qeveria do të angazhohet që ky hetim të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Tre muaj janë tepër shumë dhe aq më tepër që nuk ka asgjë nga kjo Qeveri. Ajo nuk po e lejon nisjen e hetimit të pavarur ndërkombëtar siç është zotuar vetë.

Prandaj lëvizja ‘Vetëvendosje’ do t’i zhvillojë dhe do t’i intensifikojë aktivitetet në trysninë publike e politike për këtë gjë, me ç’rast ne do të fillojmë me një interpelancë me kryeministrin Haradinaj lidhur me hetimin e domosdoshëm të pavarur e ndërkombëtar”, tha Kurti.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, ka thënë se deri më tani asnjë kërkesë nuk është përmbushur që të mundësohet hetim i pavarur dhe ndërkombëtar për vdekjen e Astritit Deharit.

Ai ka kërkuar që të shkarkohen nga pozita ish-ministrja e Drejtësisë, aktualisht ministre e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, shefi i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni, drejtori i Njësisë Kundërterrorizmit Fatos Makolli dhe persona të tjerë që janë të implikuar në këtë rast.

“Po flitet pra për Dhurata Hoxhën. Shkarkimin e Shpend Maxhunit që është edhe sot e kësaj dite drejtori i përgjithshëm i Policisë, Nexhmi Krasniqin i cili është komandat i Njësisë Rajonale në Prizren, si dhe Fatos Makollin në kuadër të Policisë së Kosovës si drejtori i Njësisë Kundërterrorizmit. Sidomos ky i fundit i cili ka qenë njëri prej njerëzve aktiv në montimin e rastit kundër LVV-së si akuzë për ‘Terrorizëm’, prej të cilit po vazhdojnë të vuajnë dënimin në burg 4 aktivistë të LVV-së”, tha Konjufca.

Ai tha se përveç kësaj kanë kërkuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që deri më 5 shkurt të vitit 2018 si datë e fundit të shkarkohen nga çdo funksion të sistemit të drejtësisë tre prokurorë të shtetit, të cilët kanë qenë drejtpërdrejt të përfshirë në rastin e akuzës për “Terrorizëm” kundër aktivistëve të LVV-së ndër të cilët ishte edhe Astrit Dehari.

"Këta janë: Sylë Hoxha, ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, tash është prokuror i Prokurorisë Speciale; është Metush Biraj, prokuror i Prokurorisë Themelore të Prizrenit i cili e ka pasur drejtpërdrejt rastin e Astritit dhe është Aburrahim Islami, prokuror i Prokurorisë Speciale i cili e ka udhëhequr përndjekjen e Astrit Deharit dhe të aktivistëve të LVV-së të cilët edhe sot po e vuajnë dënimin”, tha Konjufuca.

Konjufca ka paralajmëruar edhe për organizimin e protestave nëse Qeveria e Kosovës nuk i hap rrugë drejtësisë.