Pezullohet greva e kirurgëve

Aktuale February 06, 2018 - 08:30

Mjekët specialistë të Klinikës së Kirurgjisë në QKUK dhe në spitalet rajonale dje kanë  pezulluar grevën, të cilën e kishin nisur ditë më parë duke kërkuar rritjen e pagave.

Përmes një komunikate për medie, Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka treguar se është arritur marrëveshje që greva të pezullohet dhe mjekët të jenë të kyçur në grupet punuese që do të punojnë në kategorizimin e pagave.

Zyrtarë nga zyra e kryeministrit kanë thënë për Zërin se Qeveria do t’i mbajë premtimet për rritjen e pagave. Sipas tyre, këtë javë do të dërgohet dhe do të miratohet dokumenti për kategorizimin e tyre.

Përndryshe, kirurgët e QKUK-së kishin hyrë në grevë ditë më parë me kërkesën e rritjes së pagës prej koeficientit 8, që i bie 1,200 euro, dyfishin e pagës që ata tashmë kanë.

Pezullohet greva edhe në spitalet rajonale

Përmes një komunikate të dërguar për medie, zyra e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) dje ka lajmëruar se është pezulluar greva e mjekëve specialistë të Kirurgjisë në QKUK.

LEXO EDHE: Avdyli: Qeveria ''Haradinaj'', e dështimeve të mëdha

“Ky pezullim i grevës është arritur pas takimeve të vazhdueshme që kanë pasur me  z. Uran Ismailin, ministër i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës,  dr. Rrustem Musën, zëvendësministër i Ministrisë së Shëndetësisë dhe dr. Basri Sejdiun, ud. drejtor  i përgjithshëm i SHSKUK-së. Në takim është arritur marrëveshja që greva të pezullohet dhe mjekët të jenë të kyçur në grupet punuese që do të punojnë në kategorizimin e pagave që do të ndodhë me Ligjin e ri të Pagave, pas rishikimit të buxhetit”, thuhet në njoftim.

Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu, ka konfirmuar për “Zërin” se grevën e kanë pezulluar edhe kirurgët e spitaleve rajonale.

Ndërsa Basri Sejdiu, drejtor i SHSKUK-së, ka thënë se kanë marrë një optimizëm nga Qeveria që do të bëhet ndryshimi i pagave.

“Së shpejti do të fillojë edhe nënshkrimi i ligjit, edhe kategorizimi i pagave. Kemi marrë një optimizëm edhe prej Qeverisë. Në bisedimet që i kemi pasur janë zotuar se do të bëhet ky ndryshim i pagave. Diku kah qershori do të shihen rezultatet”, ka thënë ai për “Zërin”.

Edhe pse deri në ditën e djeshme kirurgët e QKUK-së ishin në grevë, pacientët të cilët janë të shtrirë në këtë Klinikë  kanë thënë se janë trajtuar mirë.

Qeveria do t’i mbajë premtimet për paga

Zyrtarë për komunikim në zyrën e kryeministrit kanë thënë se Qeveria do t’i mbajë premtimet për rritjen e pagave.

“Qeveria është e përkushtuar që t’i mbajë premtimet për rritjen e pagave për punëtorët shëndetësorë. Këtë vit paga e tyre është rritur prej katër për qind, derisa vazhdimisht bashkë me ministrin e Shëndetësisë Uran Ismailin po punohet që atyre t’u bëhet zgjidhje dhe në kushte më të mira të punës”, thuhet në një përgjigje për “Zërin”.

Sipas tyre, këtë javë do të dërgohet dhe do të miratohet dokumenti për kategorizimin e pagave.

“Buxheti i vitit 2018 është miratuar dhe rishikimi i tij mund të ndodhë vetëm në muajin qershor. Në të njëjtën kohë, në takim me sindikatat e mjekëve është dakorduar që të bëhet kategorizimi i pagave të mjekëve si zgjidhja më e shpejtë dhe më e mirë për trajtimin e tyre të dinjitetshëm. Koncept-dokumenti për kategorizimin e pagave do të vijë këtë javë në Qeveri, ku do të miratohet dhe do t’i hapet rrugë kategorizimit”, thuhet më tej.

Avdyli kërkon një zgjidhje para qershorit

Haxhi Avdyli, deputet nga radhët e LDK-së, si dhe mjek me profesion, në një intervistë për “Zërin” ka thënë se kryeministri duhet të gjejë një zgjidhje për kirurgët para qershorit.

“Një nga zgjidhjet është pagesa sipas performancës, që le të mbetet ajo rrogë por për ata kirurgë që kanë operacione të marrin edhe një shumë shtesë. Nëse një kirurg i ka 3 operacione, për ato operacione t’i shtohet edhe një shumë e caktuar si stimulim financiar. Situata e tanishme po i destimulon kirurgët dhe prandaj kanë marrë një veprim të tillë të cilat janë kërkesa shumë legjitime dhe duhet t’u gjendet zgjidhje. Nëse ka pasur zgjidhje për rritjen e pagave për stafin qeveritar, mund të gjendet zgjidhje edhe për këtë çështje më herët sesa qershori”, ka thënë ai.