Avdyli: Qeveria ''Haradinaj'', e dështimeve të mëdha

Aktuale February 06, 2018 - 08:16

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, e vlerëson si të gabueshëm vendimin e fundit të Kryesisë së Kuvendit që të mos e procedojë për seancë parlamentare Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi, pasi Kosova në këtë mënyrë po del nga “binarët e integrimit”.

Këto komente deputeti Avdyli i ka bërë gjatë një interviste për gazetën Zëri, duke shtuar se pas zgjedhjeve të fundit parlamentare u tha që po krijohet një qeveri e vendimeve të mëdha, por në fakt kjo po del të jetë qeveri e dështimeve të mëdha.

Gjatë kësaj interviste për Zërin Avdyli ka folur edhe për tentimin për ta shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale, ku për t’u mbyllur përfundimisht kjo çështje deputetët duhet t’i tërhiqnin nënshkrimet nga kjo iniciativë.

LEXO EDHE: Markoviq takon Haradinajn dhe Veselin, jo edhe Thaçin

Sa i përket grevës së kirurgëve Avdyli, i cili është vetë mjek me profesion, ka thënë se është e palogjikshme që një shofer i një zëvendësministri të paguhet më shumë sesa një mjek specialist, prandaj thotë se pagat e tyre duhet të rriten.

Ai ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë se nuk po ua jep me kohë as pagat specializantëve të mjekësisë, pavarësisht premtimeve të ministrit Uran Ismaili se do ta zgjidhë këtë çështje, prandaj, siç thotë deputeti i LDK-së, mjekët vazhdimisht po ikin nga Kosova, ashtu siç kanë ikur mbi 400 mjekë deri më tani.

Qeveri e zmbrapsjeve të mëdha


Zëri: Zotëri Avdyli, Kryesia e Kuvendit as sot nuk ka marrë vendim që ta procedojë për seancë parlamentare Demarkacionin me Malin e Zi. Si i komentoni vonesat e koalicionit qeverisës në lidhje me këtë marrëveshje?

Avdyli:
Qeveria e tanishme që është krijuar si një qeveri e vendimeve të mëdha po del të jetë një qeveri e dështimeve të mëdha dhe e zmbrapsjeve të mëdha. Jemi dëshmitarë që kjo Qeveri vazhdimisht ka sjellë vendime të gabuara dhe vendime, të cilat kanë bllokuar proceset në Kosovë. Shtyrja e radhës së Demarkacionit është e pakuptimtë sepse Kosova është duke humbur dhe duke dalë nga binarët e integrimeve euroatlantike dhe liberalizimit. Humbësi më i madh është qytetari i Kosovës, i cili si pasojë e vendimeve jo të arsyeshme dhe i kauzave të rrejshme, të cilat i ka udhëhequr kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, ka bërë që Kosova sot të bëjë hapa mbrapa. 

Zëri: A prisni që zgjidhja për çështjen e demarkacionit të arrihet të martën në takimin e kryeministrit Haradinaj me homologun e tij malazez?

Avdyli:
Pajtohemi të gjithë se Demarkacioni është një kusht jo i drejtë, por tash jemi në një situatë kur kjo çështje duhet të zgjidhet. U bënë 3 vjet që ishte temë aktuale jo vetëm e politikanëve, por ishte edhe temë torturimi ndaj qytetarëve. Në të njëjtën kohë është temë, e cila u shfrytëzua skajshmërish në mënyrë të pandershme për qëllime politike dhe për të arritur në pushtet. E kemi një situatë të tillë tani që njerëzit të cilët e shfrytëzuan këtë kauzë për t’u ringritur në pushtet dhe ata ende po e shfrytëzojnë këtë kauzë për qëllime politike me qëllim që të arrihen poenë politikë.

Zëri: A është e pranueshme për LDK-në që të votohet Demarkacioni me mundësinë e rinegocimit në rast të sigurimit të fakteve shtesë?

Avdyli:
Edhe në vitin 2015 i njëjti ligj e ka paraparë që nëse gjenden fakte të reja Demarkacioni të rishqyrtohet dhe është e njohur vazhdimisht që mund të rishqyrtohet. Po ashtu edhe Mali i Zi ka shprehur vullnet që ta rishqyrtojë mundësinë e fakteve të reja. Mirëpo fakte të reja nuk ka pasur dhe tani jemi në një moment kur duhet të gjejmë zgjidhje. Ne tani duhet të shikojmë përpara sepse qytetari ynë është lodhur nga bërja e politikës me çështje të tyre jetësore dhe tani është koha që edhe Qeveria të unifikohet dhe të marrë një vendim të duhur. LDK-ja do ta luajë rolin konstruktiv dhe do të punojë në interes të qytetarëve.

Haradinaj të kërkojë falje

Zeri: Tre liderët e vendit, presidenti Thaçi, kryeparlamentari Veseli dhe kryeministri Haradinaj janë takuar dje me kabinetin qeveritar në vilën e zëvendëskryeministrit Pacolli. A mendoni se është arritur pajtimi që së shpejti të miratohet Demarkacioni në Kuvend?

Avdyli:
Ne nuk kemi informata zyrtare dhe nuk e dimë saktësisht se çfarë është biseduar aty, por mirëpresim çdoherë çdo vendim pozitiv që ka të bëjë me jetën e qytetarëve dhe është koha e fundit për unitet. Kjo çështje është stërzgjatur dhe çdo ndryshim i mendimeve është i mirëseardhur për ne, por ne presim që kryeministri Haradinaj t’u kërkojë falje qytetarëve të Kosovës për vonesën 3-vjeçare që i ka kushtuar Kosovës.

Zëri: A prisni që gjatë këtij viti Kosovës t’i hiqen vizat me BE-në?

Avdyli:
Në bazë të rekomandimeve të BE-së i vetmi kusht është Demarkacioni dhe ne jemi shumë të vonuar në këtë aspekt, por shpresoj që nuk e kemi humbur trenin e fundit dhe do të arrijmë t’i kapim proceset e liberalizimit. Nëse e kemi humbur trenin duhet të presim edhe një vit, por viti tjetër është një vit jo i mirë për integrime sepse është vit i zgjedhjeve në shumë shtete evropiane, gjë që do të ndikojë të ketë shumë probleme në liberalizim dhe në vonesat tjera.

Zëri: Sot publikohet raporti i Strategjisë së Zgjerimit të BE-së, a mendoni që Kosova do të jetë pjesë e kësaj Strategjie?

Avdyli:
Kosova edhe në Strategjinë e Zgjerimit të BE-së është lënë anash, ajo përmendet vetëm shkarazi aty, përderisa për vendet tjera ka afate të caktuara për integrime. Për Kosovën në këtë Strategji përmendet vetëm në sferën e dialogut me Serbinë dhe për të nuk ka afat të integrimit euroatlantik dhe kjo jo për faji e qytetarëve të Kosovës apo të institucioneve të pavarura të Kosovës, por faji i një qeverie të papërgjegjshme.

Në bazë të informatave që kam, Kosova në këtë raport është vetëm në mënyrë shumësipërfaqësore, përmendet vetëm te dialogu me Serbinë, në atë formë që ky dialog duhet të vazhdojë por nuk ka afate për të e as si do të jetë fati i saj në BE, por në të njëjtën kohë nuk e dimë një vit të saktë se kur mund të ndodhë kjo.

Deputetët t’i tërheqin nënshkrimet për Specialen

Zëri: A besoni se përfundimisht ka dështuar iniciativa për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale apo mund të rikthehet sërish, pasi deputetët nuk i kanë tërhequr nënshkrimet?

Avdyli:
Në bazë të deklaratave të liderëve të PAN-it kjo ndërmarrje e rrezikshme ka dështuar. Tentativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale ishte një hap i gabuar, i cili e kthen situatën mbrapa ndërsa nuk e zhbën Gjykatën Speciale. Ne si qytetarë të Kosovës jemi kundër dënimit të ushtarëve të UÇK-së sepse secili prej tyre ka dhënë një kontribut sado të vogël për çlirimin e Kosovës dhe dënimi i tyre është dënim i gjithë Kosovës. E keqja është që Hashim Thaçi të njëjtin ligj e ka sponsorizuar dhe ai e pranon se ka folur me secilin veç e veç dhe pa ndryshuar asgjë në atë ligj tani po bën lojëra politike sa për të rritur pazarin e vet dhe mendoj që kjo ka shkaktuar dëm të madh në Kosovë. Gjithashtu janë manipuluar disa njerëz, të cilët nuk kanë të bëjnë asgjë me partitë politike. Tërheqja nga nënshkrimet është hapi i duhur që duhet ta bëjnë deputetët, të cilët kanë nënshkruar këtë iniciativë. 

Zëri: Si e vlerësoni punën e qeverisë “Haradinaj”?

Avdyli:
Qeveria “Haradinaj” është një qeveri jo e natyrshme sepse me të udhëheq kryetari i një partie të vogël dhe shumicën e ministrive e ka një parti e vogël. Anomalia e kësaj Qeverie është që udhëhiqet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, një parti minore që shumicën e ministrive më të rëndësishme i mban AKR-ja e Behgjet Pacollit me dy deputetë. Qeveria “Haradinaj” udhëheq me manipulime politike dhe me përkrahjen e një pakicë serbe, e cila edhe pse i ka rreth 5% të qytetarëve në Kosovë ata kanë 10 deputetë dhe kanë arritur që përmes tyre ta formojnë një qeveri. Kjo Qeveri nuk është pritur që të punojë më mirë, është qeveri e skandaleve, qeveri e regreseve të mëdha. Misioni më i mirë i kësaj Qeveri mund të jetë dorëheqja e saj, dorëheqje kjo e cila duhet të vijë sa më parë.

Zëri: Disa reparte në QKUK, si dhe disa spitale rajonale nuk kanë punuar për disa ditë pasi mjekët janë në grevë dhe po kërkojnë rritje të pagave. Si i komentoni kërkesat e kolegëve tuaj dhe çfarë zgjidhjesh duhet t’u bëjë ministri i Shëndetësisë?

Avdyli:
Reagimi i kolegëve të mi është një pasojë e veprimeve të pamenduara të një kryeministri, i cili një ndër vendimet e para të veta e kishte rritjen e kësaj Qeverie, si dhe rritjen e pagave të tyre. Është fyerje për një kirurg, i cili ka një fakultet shumë të vështirë, një specializim shumë të vështirë që në të shumtën e rasteve është kryer jashtë shteteve, ka një përgjegjësi të madhe ndaj jetës së pacientëve dhe në fund merr 600 euro, ndërsa një shofer i një zëvendësministri ose një këshilltari i presidentit merr pagë 2000 euro. Pra kjo grevë vjen si pasojë e vendimeve të kryeministrit të Kosovës. Një nga zgjidhjet është pagesa sipas performancës së mjekëve. Le të mbetet ajo rrogë, por për kirurgët, d.m.th. ata kirurgë që kanë operacione të kenë edhe një shumë pagese shtesë. Për shembull, nëse një kirurg i ka 3 operacione dhe për atë punë të stimulohet. Kështu stimulohet kirurgu i mirë dhe stimulohen kirurgët që të punojnë sa më shumë.