Ish-kryeministri Isa Mustafa ka kryer një ekzaminim të rëndësishëm

Aktuale February 05, 2018 - 19:05

Ish-Shefi i Qeverisë do të vazhdojë më tutje trajtimin shëndetësor në Gjermani. Ekzaminimet mjekësore po tregojnë që Mustafës gjendja shëndetësore po i shkon drejt përmirësimit.

Megjithëkëtë, zyrtarët e LDK-së nuk kanë dhënë ndonjë datë se kur kreu i partisë do të kthehet në Kosovë. Kanë thënë se ka marrë disa rekomandime nga mjekët gjermanë për vazhdimin e trajtimit shëndetësor me trapi fizikale

Gjatë ditës së sotme ish kryeministri i vendit, Isa Mustafa, i është nënshtruar një ekzaminimi mjekësor në qendrën e terapisë fizikale në Gjermani në të cilën ai po qëndron që katër javë.

Mjekët e qendrës kanë thënë se gjendja shëndetësore e kreut të LDK’së po shkon drejtë përmirësimit. Por që sipas tyre, ai do të duhet të qëndrojë në këtë qendër edhe për një kohë.

Kështu ka thënë për Express, Besnik Berisha, këshilltar i Isa Mustafës.

“Sot e kanë pas një eksaminim, progresi është evident. Fizioterapia vazhdon deri në vlerësimin tjetër të gjendjes”, ka thënë Berisha.

Në muajin janar, Isa Mustafa ishte trajtuar në një spital privat në Prishtinë, siç thuhet për shkak të një gripi, për të vazhduar më pas trajtimin në Gjermani. Zyrtarë të LDK-së vazhdimisht kanë potencuar se gjendja e Mustafes është stabile dhe sipas tyre i njejti shumë shpejt do të kthehet në shtëpi. Sidoqoftë, sa ishte në Prishtinë për trajtim shëndetësor, mjekët kishin dyshuar se Mustafa mund të jetë prekur edhe nga “Guillain-Barré syndrome” (GBS).

Sindroma GBS është një çrregullim në të cilin sistemi imunitar i trupit sulmon një pjesë të sistemit nervor periferik. Simptomat e para të këtij çrregullimi përfshijnë shkallë të ndryshme të dobësisë ose ndjesive.

Këto simptoma mund të rriten me intensitet derisa muskuj të caktuar nuk mund të përdoren fare dhe, kur është e rëndë, personi është pothuajse tërësisht i paralizuar. 

Një individ i tillë shpesh vihet në një ventilator për ta ndihmuar me frymëmarrje dhe është parë nga afër për probleme të tilla si rrahje jonormale të zemrës, infeksione, mpiksje të gjakut dhe presion i lartë ose i ulët të gjakut. 

Shumica e individëve, megjithatë, kanë shërim nga kjo sindomë, edhe pse disa vazhdojnë të kenë një shkallë të caktuar të dobësisë.

Isa Mustafa në vitin 2010, atëherë në pozitën e kryetarit të Prishtinës, pat udhëtuar për në Bruksel, për t'iu nënshtruar një intervenimi në zemër.

Lideri aktual i LDK’së ka mbajtur pozita të lartë në hierarkinë komuniste para viteve te 90’ta. Pastaj, është bërë pjesë e Qeverisë së Përkohshme të Bujar Bukoshit në ekzil.

Pas luftës, ka mbajtur pozita në udhëheqjen e institucioneve publike si në Bordin e UP’së.

Një kohë ka shërbyer si Këshilltar i Fatmir Sejdiut për t’u bërë pastaj kryetar i Prishtinës deri më 2013. Më 2010 ka marrë pozitën e Kryetarit të LDK’së.

Në zgjedhjet e fundit, pas rrëzimit nga pozita e Kryeministrit, Mustafa vendosi të mos i hyjë as garës për deputet, duke ia lënë vendin e parë Avdullah Hotit